Promovimi i monografisë ‘Maestro Gjelosh Gjokaj’. Foto: KALLXO.com

Prishtinë, promovohet monografia për piktorin Gjelosh Gjokaj

Monografia “Maestro Gjelosh Gjokaj” e botuar nga Komuna e Tuzit në Mal të Zi, përgatitur dhe redaktuar nga Sead Gjokaj, është promovuar sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Kjo monografi e botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, përmbledhë dhe jep informacione të rëndësishme për opusin krijues të Gjokajt.

Gjokaj, një prej artistëve të njohur shqiptar të artit pamor, ishte nga komuna e Tuzit.

Në fjalën hyrës të këtij promovimi, akademik Luan Mulliqi, tha se Gjoka gati tërë jetën e kaloi jashtë atdheut, por gjithë krijimtarinë ia kushtoi vendlindjes. Ndërsa, Marian Camaj- Ujkaj, drejtoreshë e Kulturës në Tuz, tha se Gjokaj është edhe një pasqyrë e arealit kombëtar të Malësisë së Madhe.

Për rëndësinë e monografisë foli publicisti Shkëlzen Maliqi.

“Redaktori Sead Gjokaj, për dy tre dekada me përkushtim ka koleksionuar veprën e Gjeloshit dhe ka bëre një punë të madhe duke përgatitur një monografi vëllimore pë Gjokajn”- tha ai.

Ndërsa, redaktori i monografisë “Maestro Gjelosh Gjoka” Sead Gjokaj foli për veprën, kontributin, por edhe vlerësimet për krijimtarinë e Gjokajt.

Piktori Gjelosh Gjokaj është lindur më 1933 në Milesh të  Tuzit në Malin e Zi.

Studimet e larta në Akademinë e Artit i përfundoi në Beograd më 1963. Nga 1964 deri më 1969 punoi në Prishtinë si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Pas këtij viti jetoi në Romë -Itali e më pas në Augsburg – Gjermani, ku edhe vdiq më 2016.

Gjokaj konsiderohet edhe si pikaso shqiptar. Ai ishte anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.

Monografia ‘Maestro Gjelosh Gjokaj.