Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtohet themelimi i bibliotekës presidenciale, nis ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’

Kosova do ta ketë Bibliotekën Presidenciale, “Dr. Ibrahim Rugova”. Kështu ka bërë të ditur, presidentja e vendit Vjosa Osmani – Sadriu, në ditën e edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”.

“Kjo bibliotekë do të mbledhë dhe ruajë dokumente e materiale që dëshmojnë periudhat historike të shtetësisë së Kosovës, mbi të gjitha për presidentin historik dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se bibliotekat janë baza e zhvillimit njerëzor një shoqërie me peshë të madhe edhe në zhvillimin e shoqërisë në Kosovë.

“Këtu ekspozohet pasuria jonë kulturore e bibliotekare në masë të madhe. Bibliotekat janë koleksione të dijës së qasshme për të gjithë”, ka thënë ai.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, ka thënë gjatë ceremonisë se temë boshte e javës së këtij edicion është “Kujtesa kombëtare, koleksionet audiovizuale”.

“Ka me qindra video- incizime që ruhen në koleksione private dhe kanë rrezik të shkatërrohen andaj ato duhet të ruhen. Përmes kësaj teme synojmë vetëdijesimin që ta ruajmë këtë pasuri kombëtare”, ka thënë Gajraku.

Hapja e edicionit të 18-të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” është përshëndetur edhe nga Deborah MacLean, përfaqësuese e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë dhe Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Në fund u ndanë mirënjohje për mbështetësit e BK, “Pjetër Bigdani’, dhe është hapur ekspozita, “Kujtesa kulinare e Kosovës: menytë e restoranteve”.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com