Ministrja Dumoshi takon deputetët e grupit 6+

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me grupin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës 6+.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për projekte në të cilat pritet që MKRS-ja të investojë, me theks, ato që janë në interes të qytetarëve të komuniteteve jo shumicë.

Ministrja Dumoshi u ka premtuar deputetëve se MKRS-ja i trajton me kujdes dhe prioritet projektet që kanë të bëjnë dhe që janë në interes të komuniteteve.

MKRS përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se ministrja Dumoshi diskutoi me deputetët e 6+ për tema dhe projekte që kanë të bëjnë për diversitetin dhe dialogun kulturor mes komuniteteve jo shumicë që jetojnë në Kosovë, trashëgiminë kulturore, restaurimin e objekteve, në veçanti në Prizren si dhe për bashkëpunimin, subvencionet në kulturë, rini e sport për këto komunitete.

“Komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë janë një pasuri e vendit tonë të cilat bëjnë që diversiteti të jetë një ndër vlerat që çmohet e respektohet juridikisht e konkretisht. Vazhdimisht ministra të cilën unë e udhëheq i ka përkrahur projektet e idetë që janë në dobi të komuniteteve jo shumicë dhe me mbështetjen e saj MKRS-ja ka nxitur dialogun kulturor mes komuniteteve me qëllim të ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe shmangies së keqkuptimeve”, citon komunikata ministren Dumoshi.

Nga ana e tyre, po sipas njoftimit, deputetët e komuniteteve jo shumicë, gjatë këtij takimi, kanë paraqitur sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet që ata përfaqësojnë dhe e informuan ministren për prioritetet që presin t’i përkrah MKRS-ja.