Festivali ‘Polip’ nesër e nis rrugëtimin e 10-të nga Biblioteka Kombëtare

Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, ‘Polip’ do të mbahet sivjet ndërmjet datave 11 dhe 14 shtator 2020.

Qendra Multimedia në Prishtinë, e cila organizon këtë festival përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se edicioni jubilar i Festivalit Polip sivjet mbahet online, duke iu përshtatur masave dhe vendimeve të ndërmarra nga institucionet relevante kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

 “Anipse në rrethana të pazakonta, sivjet nën moton ‘Change Your Language!’ (Ndrysho gjuhën tënde!) do të mundohemi të sjellim atmosferën që e ka dominuar këtë festival në të kaluarën. Veç leximeve, do të organizohen edhe panele diskutimi, koncerte muzikore e aktivitete të ndryshme letrare”, thuhet në njoftimin e qendrës

Sipas komunikatës së Qendrës Multimedia, mbi 30 autorë nga vende të ndryshme të botës janë mysafirë të këtij edicioni, ndër ta edhe shkrimtari i njohur nga Serbia, Bora Qosiq.

Edicioni i sivjetmë i “Polip” do të hapet me mbrëmjen poetike, ‘FM Poetry Drive’,  një udhëtim letrar që organizohet në bashkëpunim me Festivalin e Artit në Hapësirë Publike HAPU.

Publiku ftohet me makinat e tyre të përcjellin këtë udhëtim poetik në rrugët e Prishtinës, si një uvertyrë poetike para hapjes zyrtare të festivalit polip që do të bëhet me publikun online.

Gjatë këtij udhëtimi, përmes frekuencës FM radiove të tyre në makina, publiku do të dëgjojnë poezi të disa prej autorëve pjesëmarrës në festivalin “Polip”.

Tashmë është bërë publike edhe programi i edicionit të 10-të të festivalit “Polip”.