Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde - Foto: REL/Reuters

Kreu i FMN-së flet për ‘re që po nxihen’ në ekonominë globale

Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka thënë se “retë në horizont… po bëhen më të zeza përditë e më shumë”.

Këtë deklaratë, sipas CNN, Lagarde e ka dhënë gjatë një konference për media në Berlin.

“Reja më e madhe dhe më e zezë që po e shohim është rënia e besimit e shkaktuar nga përpjekja për ta sfiduar mënyrën se si tregtia është bërë, mënyrë në të cilën marrëdhëniet janë mbajtur sipas operimit të organizatave shumëpalëshe”, ka cituar rrjeti amerikan i lajmeve.

CNN ka raportuar se kjo deklaratë vjen pas samitit të G7-tës në Montreal të Kanadasë, ku sipas mediumit amerikan, presidenti Trump e ka sulmuar kryeministrin kanadez Justin Trudeau në lidhje me tregtinë.

Veç tjerash, sipas CNN, tensionet tregtare janë rritur ndërmjet Shteteve të Bashkara dhe aleatëve kryesorë të samitit të G7-tës, pasi që administrata Trump filloi zbatimin e tarifave për aluminin dhe çelikun ndaj Bashkimit Europian, Meksikës dhe Kanadasë. Por, edhe këto tri palë kanë paralajmëruar masa të ngjashme.

Ngjashëm me Lagarde, sipas CNN, në konferencën në Berlin edhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë Roberto Azevedo ka thënë se tensionet tregtare të mëdha “rrezikojnë të kenë efekt të madh ekonomik, duke e minuar periudhën më të gjatë të qëndrushme që nga kriza financiare”.