Ilustrim

Dy të ndaluar në dy bastisjet në Zveçan dhe Vushtrri ku u gjet sasi e madhe municioni

Prokuroria e Mitrovicës ka ndaluar dy persona, në dy bastisje te zhvilluara në Zveçan dhe Vushtrri, ku u gjet municion i pushkës së gjuetisë.

Sipas njoftimit të prokurorisë gjatë bastisjes në Zveçan është konfiskuar sasi e madhe municioni e pushkës së gjuetisë, si dhe është ndaluar një person, për shkak të dy veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Ndërkaq, gjatë bastisjes së një veturë në Vushtrri janë gjetur dhe konfiskuar njëmijedyqind (1200) fishekë të pushkës së gjuetisë, si dhe është ndaluar personi të cilit i janë gjetur fishekët.

Ai dyshohet për shkak të veprave penale të armëmbajtjes pa leje dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Me vendim të prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda dy (2) të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për dyzetetetë (48) orë.