Isa Mustafa reagon pas hulumtimit të Jeta Xharrës për gjendjen në QKUK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas transmetimit të hulumtimit të KALLXO.com që shpërfaqi problemet me të cilat po ballafaqohen pacientët dhe familjarët e të prekurve me COVID-19.

Mustafa ka deklaruar se pacientët me Covid-19 në QKUK dhe në spitalet rajonale kryesisht shprehen mirë për punën që po e bëjnë mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor.

Sipas tij, është e ulët që dikush nga mediat dhe politika të tentojë “të përdhosin këtë punë titanike”, pasi që nga fillimi i pandemisë, mjekët nuk po kanë jetë private.

“Kur bisedon me mjekët tanë, thonë se ka 9 muaj që nuk kanë jetë private. Nuk kanë kohë të kujdesen as për familjet e tyre. Prandaj është e ulët që dikush nga mediat dhe politika të tentojë të përdhosin këtë punë titanike. S’kanë as të drejtë morale, sepse disa prej tyre kanë paga disafish më të larta se të mjekëve, bëjnë jetë të lirë,  largë përgjegjësisë për të sëmurit dhe për familjarët e tyre dhe marrin guxim të  mbjellin defetizëm, në emër të lirisë së fjalës. Të sëmurëve iu nevojitet kurajo, besim se do të shërohen. Mjekët, drejtuesit e SHSUK-së, klinikave dhe spitaleve , së paku meritojnë respektin tonë dhe përkrahjen tonë për një punë të përgjegjëshme dhe me sakrificat ditore që po bëjnë. “, ka shkruar Mustafa në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën.

“Është një lloj mrekullie që në mungesë të kapaciteteve hapësinore e njerëzore, me telashe të furnizimit me oksigjen të përballohet fluksi i pacientëve që kanë nevojë”, tha kreu i LDK-së, partia e të cilit, në disa qeveri, ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe në qeverinë aktuale, LDK e drejton Ministrinë e Shëndetësisë me Armend Zemajn në postin e ministrit.

Hulumtimi me titull ‘FACT-CHECK për COVID-19”, i cili u transmetua mbrëmë në platformën e KALLXO.com shfaqi se në klinikat e QKUK-së ku po trajtohen pacientë me COVID-19 mund të hyjë kush të dojë dhe kur të dojë.

Ekipi i KALLXO.com ka gjetur se as roje sigurie nuk rrinë te portat e klinikave.

Po ashtu, në dhomat e klinikave janë parë shumë familjarë të të infektuarve.

Gjithashtu, është vërejtur mungesa e infermierëve në dhoma dhe familjarët duke i trajtuar të afërmit e tyre. Në emisionin e mbremshëm, familjarë të të infektuarve dhe të viktimave të coronavirusit tregojnë përvojat e hidhura të tyre gjatë qëndrimin në klinikat me të sëmurë nga COVID-19.

Ndaj këtij hulumtimi ka reaguar Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK, e cila thekson se nuk janë paralajmëruar nga ekipi i gazetares Jeta Xharra për xhirimet të cilat do t`i realizojnë në klinikat e QKUK-së, aty ku trajtohen pacientët me COVID-19.

ShSKUK reagon pas hulumtimit të Jeta Xharrës