Frears: Një ditë, Një Shkrimtar i Madh Do të Lind...

Stephen Frears është i ftohtë dhe përdor ironinë shumicën e bisedës. Regjisori i veteran  thumbon me humorin e njëjtë sikur në filma, edhe kur jep intervista. Atë humorin e errët, tipik britanik, me të cilin identifikohet krijimtaria e tij dhe gjurmët e lëna në kinematografinë britanike.  

Por, është një e vërtetë që Frears-it nuk i lë hapësirë për t’u bërë i ftohtë dhe ironik. Kjo e vërtetë ka ndodhur në Kosovën e para 15 vjetëve, por që regjisori e ka kuptuar tek fundjavën e fundit të muajit prill, kur ka vizituar vendin në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit “PriFest”.

Pasi ka hapur festivalin me filmin e tij të fundit “Philomena”, të shtunën ai ka vizituar një nga qytetet ku banorët kanë përjetuar rëndë pasojat e luftës së fundit, të cilat kinematografia kosovare ende nuk i ka ekranizuar në atë mënyrë që t’i bëjë të njohura ndërkombëtarisht.

Me një karrierë prej tri dekadash në industrinë e filmit, i nominuar për “Oscar”, fitues në festivalet si: “Berlinale” e “Eropean Awards”, Stephen Frears i njohur si ekranizuesi i tregimeve humane, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se është i shokuar me atë çfarë ka mësuar për Kosovën gjatë qëndrimit dyditor.

“Po të kishte një film a një libër të mirë për tregimin tuaj, unë me siguri do ta dija ose së paku dikush do të më tregonte”, thotë Frears.

I shokuar nga krimet në Gjakovë

I ulur në tarracën e një hoteli luksoz në qendër të kryeqytetit, Frears çlodhej nga vizita siç e quan ai shokuese në Gjakovë, teksa shikonte ndeshjen e futbollit mes Manchester United-it dhe Norwich-it.

Atij fillimisht ia merrte mendja se në të njëjtën kohë mund të shikojë futboll dhe të flasë për kinematografi e luftë, por më pas lë anash futbollin për të shprehur nervozizmin me rrëfimet që ka dëgjuar në Gjakovë, ku në luftën e fundit janë vrarë 1 mijë e 200 civilë, 1 mijë gra janë dhunuar dhe 60 persona ende nuk janë gjetur.

“Jam i turpëruar sa pak kam ditur për atë vend. Jam i turpëruar nga Qeveria e Britanisë dhe administrata e  Blair-it që ka lejuar diçka e tillë të ndodhë.  Gjatë kësaj vizite mësova diçka që kurrë nuk e kam ditur dhe jam i shokuar”, tha Frears.

Por ironia e tij vjen në shprehje kur i bëhet një pyetje.

“Unë jam i huaj dhe mos pritni nga të huajt që të tregojnë historitë tuaja, gjejeni zgjidhjen ju, sepse ju i keni përjetuar ato”, thotë Frears, i cili për më shumë, kosovarëve ju sugjeron diçka tjetër-pritjen.

“Gjendet” regjisori-mungon shkrimtari

Ai tregon se çfarë e bën të madh një regjisor?

“Aftësia për të rrëfyer në mënyrë madhështore, tregimet e vogla”, përgjigjet Stephen Frears, teksa një gazetare që sapo kishte përfunduar intervistën 3 minutëshe më të i ankohej se nuk ka marrë përgjigjet e duhura nga ai.

“Ajo më pyeste se a më pëlqen Kosova, unë i thashë “Po”. Më pyeti nëse e di se çfarë filmash bëhen këtu, i thashë “Jo”, ndërsa kur më pyeti nëse do ta bëja një film këtu iu përgjigja me “Nuk e di”. Çfarë të them tjetër”, shpjegon Frears.

“Gjithmonë kam probleme me intervista dhe gazetarët”, shton ai.

Frears është njëri ndër regjisorët më të njohur të filmit dhe televizionit në botë. Ani pse karriera e tij prej regjisori siç e quan vetë Frears është një “aksident i lumtur”, shumica e filmave të tij janë tregime dramatike të fateve njerëzore.

Ai ka bërë regjinë e gjashtë filmave, ku aktorët e angazhuar sikurse Glenn Close, Michelle Pfeiffer (Dangerous Liasons), Anjelica Huston dhe Annette Bening (The Grifters) janë nominuar për “Oscar”. Ndërsa Hellen Mirren, që luajti në filmin (The Queen) fitoi “Oscar-in”.

Edhe filmi i tij i fundit “Philomena” me Judi Dench e Steve Coogan në rolet kryesore ka qenë i nominuar për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë të vitit. Ky ekranizim që nëpërmjet një ish-gazetari të BBC-së shpërfaq fatin tragjik  të një ish-motreje nderi në Kishën Irlandeze e cila thyen rregullin që ndalon seksin. 

Frears i cili gjithashtu ka punuar shumë në BBC si regjisor i filmave televizivë, njihet për ekranizim të tregimeve që zakonisht janë shkruar në romane. Në shumë intervista e ka pranuar se ai nuk di të shkruajë, prandaj gjithmonë ka nevojë të takohet me njerëz për të dëgjuar histori.

E histori të ndryshme që ka dëgjuar në Gjakovë thotë se duhet gjithsesi të tregohen. Frears ka përshtypjen se tregimet nga Kosova nuk i di bota.  Sesa janë të njohura tregimet ballkanike në botë, ka qenë edhe tema e sivjetme e Forumit të Festivalit “PriFest”.

“Duhet të prisni që të lindë një shkrimtar i madh . Një ditë një shkrimtar i madh do të lindë dhe do të tregojë  historinë tuaj”, thotë Frears.

Sipas tij, kineastët e kanë paksa të pamundur që të rrëfejnë nëpërmjet filmave histori të tilla.

“Nëse një regjisor arrin ta tregojë këtë histori, do të ishte i mençur”, thotë Frears. Ai e pranon se nuk do të mundte që ta bënte një film bazuar në tregimet e Kosovës, pa i lexuar ato tregime të shkruara nga një shkrimtar siç e quan ai të madh.

“Por një ditë dikush do të vijë dhe do ta kuptojë atë çfarë  ka ndodhur dhe do ta tregojë atë  në mënyrë origjinale”, thotë Frears.


Regjisori britanik ka vizituar edhe shkollat – shtëpi në Prishtinë

Publiku ka të drejtë

Në vitin 2013 përpos filmit “Philomena”, Frears ka realizuar edhe filmin “Muhammad Ali’s Greatest Fight” ku shpërfaq “luftën” më të rëndësishme të boksierit legjendar me Qeverinë Amerikane. Është një film për politikën, arrogancën në Luftën e Vietnamit dhe hakmarrjen që i kërkohet sportistit më të madh të shekullit XX që në film portretizohet nga aktori Christopher Plummer, pasi i refuzoi të shkojë në luftë.

Në fakt, filmat e Frears-it gjithmonë kanë shpërfaqur rrëfime të komplikuara të njerëzve të thjeshtë.

Në “High Fidelity” të vitit 2000, Frears ekranizon rrëfimin e Rob-it, pronarit të një dyqani CD-sh dhe kasetash që është i fiksuar në bërjen e top listave të muzikës. Në të njëjtën kohë ai krijon edhe Top 5-sen e lidhjeve të dështuara, njëra prej të cilave është në progres.

Me Glenn Close-n e John Malkovich-in në rolet kryesore, në filmin e 1998, “Dangerous Liasons” që fitoi 3 “Oscarë”, Frears bëri bujë pasi shpërfaqi klasën e pasur të aristokratëve në Francë, përkatësisht të një familje të dhënë pas tradhtive dhe pasionit.

Për Frears, i cili përkundër nominimeve nuk është vlerësuar me çmimin më të rëndësishëm në kinematografinë amerikane “Oscar”, publiku është gjëja kryesore për një kineast.

“Nuk mund t’u tregosh njerëzve se çfarë filma të shikojnë. Tash për tash shumë njerëz pëlqejnë filma komikë. Audienca është kruciale për kineastët. Ata nuk janë budallenj”, thotë Frears.

Kësisoj, edhe pse personalisht nuk është se pëlqen kinematografinë amerikane, Frears thotë se tani të gjithë filmat janë komercialë.

“Të gjithë i duan filmat amerikanë dhe nuk duhet kërkuar arsye për këtë. Është veç një fakt i jetës. Hollywood-i është shumë i mirë në punën që e bën dhe industria e filmit në Amerikë është shumë e fuqishme”, thotë Frears.

Ai do të depërtonte në Amerikë kur realizoi një film për Mbretërinë Britanike.

Në vitin 2006, Frears realizoi filmin ndër më të njohurit “The Queen” që fitoi një “Oscar”. Ai i kritikua nga shumë britanikë për mënyrën e ashpër të portretizimit të mbretëreshës Elizabeta II, në periudhën pas vdekjes së princeshës Diana.

Ballkani i komplikuar

Por çka i thotë Ballkani regjisorit Frears?

“Ballkani nuk më thotë asgjë, përpos luftës dhe përpjekjeve për ta ndalur atë, ose të kundërtën-për të filluar një të tillë. Përpara Kosovës, kam dëgjuar për Bosnjën. Por Ballkani është shumë i komplikuar dhe kurrë nuk e kam kuptuar. Tek tash që po vij këtu kam filluar pakëz ta kuptoj”, thotë Frears.

E për kinematografinë e këtij regjioni Frears flet vetëm duke përmendur njërin nga regjisorët më kontrovers, Emir Kusturicën, i cili së fundmi bëri bujë kur deklaroi se ka në plan të bëjë një film për trafikimin e organeve gjatë luftës në Kosovë, bazuar në raportimet Dick Marty-t, në Këshillin e Evropës nga të cilat javën që shkoi u krijua edhe një Gjykatë Speciale.

“E di që Kusturica është i lidhur me nacionalizmin, por ka qenë i vetmi që ka bërë filma për Ballkanin e që ka bërë bujë”, thotë regjisori britanik.

Për Frears-in, kinematografia në Ballkan është po aq e komplikuar dhe e lidhur me nacionalizmin, sa edhe vetë mënyra e jetesës.

“Është shumë e komplikuar edhe kjo se si nacionalizmi është i lidhur ngushtë me filmin në Ballkan. Por është, kam bindjen, vetëm një argument specifik për të shpjeguar Ballkanin. Më përpara, kinematografinë në Ballkan do të titulloja si lokaliste”, ka bindjen Frears.

Por regjisori tërheq vërejtjen se ky lokalizëm ka pasojat e veta, pasi mund ta lë të izoluar gjithë kinematografinë e këtij rajoni. Sipas tij izolimi shpërthehet vetëm kur rrëfen ngjarjet në mënyrë origjinale.

“Normalisht nëse keni fat të tillë si shoqëri, histori të tilla mund të shuhen të mos tregohen kurrë”, shton ai.