Takimet ‘pezull’ të LDK dhe VV-së në nivel të liderëve

7 nëntori ka qenë data e fundit që kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar për të diskutuar për harmonizimin e planprogramit qeverisës.

Ndonëse janë deklaruar se janë të gatshëm për të formuar qeverinë e re, tash e dy javë tentativat në këtë drejtim janë ‘ngrirë’.

Madje ata nuk kanë caktuar asnjë datë për fillimin e takimeve të paralajmëruara në nivel liderësh për të diskutuar çështjen e presidentit dhe të dialogut.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje shprehet se takimet duhet të vazhdojnë, LDK vazhdon të insistoj se pa përfunduar certifikimin i rezultateve zgjedhore, nuk do të ketë takime në nivel të liderëve.

E në anën tjetër edhe diplomatët ndërkombëtar kanë sugjeruar që të mos ketë vonesa në këtë drejtim.

Ndërsa sipas njohësve të çështjeve politike në vend, këto vonesa të të dy parive janë rezultat i dallimeve të konsiderueshme në pozicionet politike dhe ideologjike mes VV-së dhe LDK-së si dhe të mungesës së përkushtimit për ndërtimin e një platforme unike qeverisëse.

LDK-ja pret certifikimin, VV-ja e gatshme për të vazhduar

Sipas anëtarit të kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, kanë mbetur ende disa tema të cilat duhet të diskutohen më Lëvizjen Vetëvendosje, por sipas tij, kjo duhet të ndodhë pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë në disa prononcime që është e natyrshme dhe e logjikshme që ne të presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për të përmbyllur marrëveshjen tonë, sepse ajo marrëveshje arrihet mbi bazën e certifikimit të rezultateve”, ka thënë Hoti në një intervistë për RTK-në.

Ndërsa Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë për takimin e ardhshëm, dhe sipas tij certifikimin i zgjedhjeve nuk duhet ta pengoj procesin.

“Ende nuk është caktuar ndonjë datë për takimin e liderëve, por sigurisht se ajo do të ndodhë, nuk ka pasur asnjë refuzim dhe se bashkëpunimi është në nivel shumë të mirë. Për mendimin tonë takimet mund të bëhen edhe para certifikimit’, ka thënë ai.

Ndërsa për përfshirjen e koalicionit Nisma-AKR-PD, anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur se kjo i takon VV-së të vendosë.

“Nuk është çështje që na takon neve, në bazë të kushtetutës i takon VV-së, ka një vullnet të dyanshëm mes LDK-së dhe VV-së të bashkëpunojmë, por nuk e di vullnetin e VV-së për bashkëpunim me Nisman”, ka thënë Hoti.

Ndërsa sipas zëdhënësit të VV-së qytetarët kanë votuar që ata që kanë qenë në pozitë duhet të kalojnë në opozitë.

“Ndërkohë sa i përket subjekteve tjera për përfshirje në koalicion edhe dje kemi theksuar që zgjedhjet e 6 tetorit janë mesazh i qartë: populli ka votuar për ndryshim dhe se pozita e deri djeshme duhet të kalojë në opozitë”, ka thënë Manxhuka.

Certifikimi i rezultateve të shihet ‘kohë e artë’ për bisedime mes VV-së dhe LDK-së

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke ju referuar takimeve të deritanishme në nivel të grupeve punuese ka thëne që këto takime nuk kanë sjellë diçka konkrete.

“Takimet e rralla nuk kanë rezultuar me avancime konkrete dhe nuk shihen as përafrime sa i përket planifikimeve qeverisëse të shtyllave fundamentale shtetërore. Mungesa e transparencës për procesin e deritashëm të diskutimeve është një indikator tjetër për vështirësitë e këtyre bisedimeve”, ka thënë ai.

E në anën tjetër gazetari, Agron Halitaj thotë se procesi i bisedimeve mes dy partive është shoqëruar me mungesë të përkushtimit, madje sipas tij arsyetimi i LDK-së është i paqëndrueshëm.

“Dy partitë nuk kanë treguar ndonjë përkushtim të theksuar për krijimin një platforme unike qeverisëse, e aq më pak për harmonizimin e qëndrimeve rreth atyre që quhen “tema të mëdha”. Arsyetimet se nuk mund të bisedohet pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve janë të paqëndrueshme. Sikur të ekzistonte vullneti i dyanshëm mes palëve, periudha deri në certifikimin e zgjedhjeve do të shfrytëzojë si “kohë e artë” për t’i qartësuar të gjitha çështjet e shtruara në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas Halitajt problemin më të madh në dakordimin në nivel liderësh, LDK-ja dhe VV-ja do ta kenë në çështjen e dialogut, sidomos në insistimin e Kurtit që të rishikohen 33 marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Hendekun më të madh e kanë në qasjen që duhen ndjekur gjatë dialogut me Serbinë. Siç dihet Isa Mustafa ka qenë bartës i procesit të dialogut për disa vjet rresht dhe është nënshkrues i disa marrëveshjeve të cilat janë kundërshtuar fuqishëm nga LVV.  Albin Kurti e ka ripërsëritur disa herë se me të ardhur në krye të Qeverisë do ta bëj një vlerësim të marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017, që praktikisht i bie se do t’i vlerësoj edhe marrëveshjet e nënshkruara nga Isa Mustafa. Se a do të jetë e pranueshme kjo për LDK-në, është pak e pritshme”, ka theksuar ai.

Ndërsa për Muhaxhirin, në këtë situatë në të cilën është vendi, LDK-ja dhe VV-ja duhet të ulen për të arritur kompromisin.

“LVV dhe LDK në asnjë rast nuk duhet ta injorojnë peshën e madhe të potencialit për ndryshim, të cilin ua kanë përcaktuar qytetarët kosovarë, në mënyrë që sjelljet politike t’i kenë proporcionale me realitetin. Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë personalitete dominuese përbrenda partive të tyre, prandaj, nëse kanë vullnet, me takime kokë-më-kokë do të mund t’i orientojnë dinamikat dhe t’i përshpejtojnë lëvizjet kualitative drejt marrëveshjes”, ka theksuar ai.