Sudani t’ia Kthejë Aeroplanin Muzeut të Kosovës

I veshur si një amerikan i rëndomtë, i shoqëruar me shumë mysafirë të huaj disave prej të cilëve ua njeh gjuhët amtare dhe me një histori fluturimesh të panumërta në shpinën e tij, kozmopolitani James Berisha gjendet në Kosovë për të festuar përvjetorin e pavarësisë së vendit – ku, dhe vetëm aty, ai do të zgjedhte të bënte aterim të përhershëm.

Katërdhjetëvjeçari energjik po planifikon të iniciojë kthimin e aeroplanit të tij “Cessna 172” nga Republika e Sudanit ku gjendet që nga Maji 2011 kur motori i dalë nga funksioni e kishte detyruar të ateronte dhunshëm në shkretëtirat e këtij vendi.

“E kam kryer timen me atë aeroplan”, thotë James. “Tash ai duhet t’i takojë Kosovës”.

James ka blerë një motor të ri prapa në Amerikë dhe i cili gjendet në Kosovë. Ai thotë se do të përmbyllë misionin e tij në Afrikë me vizita në Egjipt dhe Libi, dy shtete që vitin e kaluar shembën regjimet autoritare.

“Por, lobimi nuk do të ndalet. Do t’ju kthehemi përsëri atyre që nuk na kanë njohur”, thotë Berisha.
Aeroplani privat, një motorësh, me katër ulëse, gjendet akoma në aeroportin e minierës së arit në Hassai, Sudan, pranë vendit ku James kishte ateruar.

Kur fluturimi ishte çrregulluar, ai vazhdoi 15 minuta të parehatshëm në qiell derisa koordinatat për një rrugë të paasfaltuar i merr nga një pilot aeroplani komercial.

James arrin të lëshohet në tokë në një rrugë dytësore në mes të shkretëtirës. Atë e gjejnë disa punëtorë të minierës.

Punëtorëve iu bashkohet edhe Denis Baillargeon, menaxheri Kanadez i minierës, i cili me të kuptuar se Berisha është shqiptar, i thotë se dëshiron ta ndihmojë duke tërhequr aeroplanin nga shkretëtira në një vend të sigurt me kamionin e tij.

Baillargeon ishte ndihmuar nga një shqiptar në një moment kritik të jetës së tij në Ballkan, kur ai ishte duke udhëtuar nga Maqedonia për në Bullgari.

Berisha ka fluturuar më shumë se 300 orë në kuadër të fushatës “Flying for Kosova”  dhe në 95 shtete. Republika e Sudanit ishte vetëm kapitulli i parë i peripecive në udhëtimin e tij të madh.

Kapitulli i dytë: Si mësoi James Berisha për Enver Hoxhën

Pas rehatimit të aeroplanit në Sudan, në parkingun e minierës së kandezit Baillargeon, James mori fluturim komercial dhe vazhdoi në shtetin fqinj, në Eritre.

Atje ai arriti në mëngjesin e 10 gushtit. Paraqet pasaportën e tij amerikane dhe licencën e pilotit e cila i mundëson që të mos ketë nevojë për vizë.

Kishte dëgjuar për gjendjen e këtij vendi prej gjashtë milionë banorësh, por natyrën e tij arriti ta ndjejë vetëm kur hyri brenda në të.

James niset në punët e zakonshme të lobimit. Shkon në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Eritresë dhe aty dërgon letrën me kërkesën për njohje që i ishte lëshuar nga Ministresha për Integrime Europiane, Vlora Çitaku.

Takohet edhe me ambasadorin e atjeshëm francez. Por tentimet për të dhënë intervista në mediat lokale, i dalin të pasuksesshme . Në vitin 2010, Eritrea ishte renditur në vendin e fundit (178) nga Reporters Without Borders për nënshtrim të mediave ndaj regjimit.

Gjashtë ditë më vonë, Berisha niset për të vazhduar udhëtimin e tij por shpejt e kuptoi që ky hap nuk do të bëhej aq lehtë.

“Asnjëherë në jetë nuk më ka ndodhur kështu”, tha ai. “Në çdo shtet, hyrja është e vështirë e jo dalja”.

Pas kalimit të kontrollit të zakonshëm në aeroport, Berisha fillon pritjen e kohës për të hyrë në aeroplan.

Mirëpo, atij i afrohen disa persona dhe i kërkojnë që të shkojë me ta. E fusin në një zyre duke i bërë pyetje të ndryshme, si për shembull se si ka hyrë ne Eritre pa pasur vizë dhe gjëra të tjera.

Në ndërkohë, para këtij hetimi, Berisha u dërgon një e-mail kolegëve të tij në Prishtinë duke i paralajmëruar nëse nuk dëgjojnë nga ai për 24 orë. “Ta dini se do të jem i arrestuar”, u tha ai. Intuita i doli e vërtetë.

Berisha arrestohet nga Siguria Nacionale dhe dërgohet në njërin prej 15 burgjeve të kryeqytetit, Asmara.

Atje qëndron 156 ditë duke parë gjëra të tmerrshme. Ai tha se duke qëndruar aty e paramendonte se si ka mundur të ketë qenë Shqipëria në kohën e ‘xhaxhit Enver’.

“Ishte tmerr. Nuk më kanë torturuar fizikisht, por unë isha psiqikisht i torturuar”, tregon Berisha.

Askush nuk i tregonte se pse ishte arrestuar. Dhe ishte i vetmi i burgosur i bardhë.

Dikur hetuesit filluan ta pyesnin për takimin me ambasadorin francez dhe për faktin se letrat që ai kishte prezantuar, të ministres Çitaku, nuk ishin të vulosura.

Ushqimi vinte me rregull, por kishte probleme pastërtie, sidomos në rastin e ujit që ishte krejt i turbullt. Berishës i ishte paraqitur diarea dhe qe detyruar të shkonte dy herë në spital.

Mirëpo, ai fillon të gjejë mirëkuptimin e të burgosurve tjerë.  “Ata janë kujdesur shumë për mua dhe kam lënë shumë shokë prapa. Më vjen shumë keq për ta që mbesin në burg”, thotë Berisha, duke treguar se si ata ndanin për të ngrënë edhe për të nga pjesët që ua sillnin familjarët e tyre.

Kur u bënë disa muaj, James filloi të humbte shpresë.

Por një mbrëmje vjen drejtori i burgut dhe i thotë se do të largohej nga Eritreja ditën e nesërme. Siguria Nacionale e merr, por nuk ia lejon edhe çipin e foto-aparatit ku kishte bërë foto me qindra zyrtarë të ndryshëm në Afrikë si dhe dosjen e tij me dokumente e kontakte të ndryshme të ministrive të shteteve që kishte vizituar.

Aty ai kishte kuptuar se e priste një delegacion nga Kosova që edhe kish ndikuar lirimin e tij, në krye me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli me aeroplanin e tij privat.

“Kur u ngritëm lart në qiell, isha personi më i lumtur në botë”, shprehet ai.