Shenjat e Para të Mbrojtjes së Bizneseve të Huaja

Gjykata Komunale e Ferizajt, më 14 tetor 2011, kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin e shpallte Januz Lamallarin, 41 vjeç, fajtor për veprën penale përdorim i paautorizuar i firmës, i markës apo modelit të huaj të rregulluar me Kodin Penal të Kosovës. Edhe vetë gjykata ishte e bindur se rasti po vendoste një precedent në këtë lëmi.

Lamallari, pronar i firmës Ntp “Mania”, sipas aktgjykimit, me qëllim të mashtrimit të blerësve, në mënyrë të paautorizuar kishte përdorur markën e mallit të huaj të këpucëve “Cat” (Catrlipllar). Gjykata e kishte gjobitur atë me një mijë euro, e kishte ngarkuar të mbulonte shpenzimet administrative të gjykimit dhe kishte urdhëruar konfiskimin e 1281 palë këpucëve të “firmës” CAT.

Pronari i “Manisë” nuk ka pranuar të flasë për gazetën ndërsa punëtorët në firmë kanë treguar se më nuk shesin këpucë “Cat”.

Në procesverbalet e gjykatës që i ka gazeta, Lamallari, i cili mohonte fajësinë e tij, tregonte se këpucët e kinse firmës “CAT” i kishte blerë në Kinë përmes një menaxheri kosovar. Vlera e këpucëve kineze kishte qenë 7-9 euro, ndërsa versionet e saj origjinale në SHBA shiten mes 70-80 eurove për një palë.

Më pas malli kishte mbërritur në Maltë e Itali dhe prej andej në Vërmicë. Policia ia kishte gjetur mallin falso në deponë e tij në Ferizaj duke ia ndaluar shitjen deri në një vendim të gjyqit.

Zyra Bashkëpunuese në Belgjikë e Firmës “CAT” që ka selinë në Illinois, SHBA, ishte njoftuar se sasia e mallit kishte hyrë në Kosovë ndonëse ishin bërë përpjekje që ajo të ndalet në Maltë dhe Itali. Më pas, kompania e njohur, përmes përfaqësuesit të saj në Kosovë, ishte ankuar tek autoritetet kosovare.

“CAT” ishte regjistruar në nëntor 2008 në regjistrin e markave tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila e konsideron atë të mbrojtur deri në tetor 2017.

foto  
Dyqani i NTP “Mania”, Ferizaj  

Provat i kishin mjaftuar gjykatës që ta shpallte Lamallarin fajtor dhe ajo jepte mendimin se “mosrepsktimi i obligimeve për mbrojtjen e markave tregtare shkakton uljen e kredibilitetit të vendit”. Sidoqoftë, ajo e kishte kufizuar gjobën ndaj tij në 1000 euro duke marrë parasysh se ai nuk ishte dënuar më parë dhe se “veprat penale të kësaj natyre janë tejet të përhapura në vendin tonë”.

Gjykata i kërkonte MTI-në që ta publikonte vendimin e saj në buletinin dhe webfaqen e vetë.

Markat tregtare mbrohen në Kosovë përmes ligjit për markat tregtare.

Isa Dukaj, drejtor i Zyrës për Pronësi Industriale në kuadër të MTI-së, thotë se numri i markave tregtare për të cilat është aplikuar për regjistrim në Kosove është afërsisht 21,000.

Prej tyre, tha Dukaj, afër 9000 janë të regjistruara dhe mbi 7000 kërkesa për regjistrim janë të shqyrtuara dhe të ekzaminuara nga kjo zyrë.

Luljeta Plakolli, juriste e të Drejtës së Pronës Intelektuale, thotë për gazetën se në Kosovë ekziston vetëdije e ultë në lidhje me këtë të drejtë. “Tek ne ka mungese të njohurisë në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që kanë të bëjnë me markat tregtare”, tha ajo. “As pronarët e markave tregtare nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre, e as përdoruesit e markave tregtare nuk janë të informuar për obligimet e tyre”.

Kaherë është sugjeruar se sistemi i dobët gjyqësor mund të jetë pengesë për investimet e huaja, përveç madhësisë së tregut kosovar, ndonëse nxitja e kompanive të mëdha ndërkombëtare shihet si shans për rritje të vendeve të punës dhe përfitim të përvojës në biznes.

Gazeta JnK raportoi javë më parë se firma “Patton Boggs” me seli në Washington ishte duke u paguar 50,000 dollarë në muaj nga zyra e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë që të lobojë për Kosovën – përfshirë hapjen e restorantit të parë të McDonalds-it në vend.

Në faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) qysh tash shihen së paku gjashtë restorane “McDonalds” përgjatë vendit.

Asnjëra prej tyre, megjithatë, nuk shërben menynë e vërtetë të McDonaldsit.

Në qoshen e rrugës “Kemajl Hetemi” në Ferizaj, një objekt i vogël me vetëm 15 metra katrorë, i hapur që në vitin 1990 me emrin “Mcdonalds”, ka shitur hamburgerë duke përdorur këtë emër deri para një viti.

Pronari i saj Zubidin Shefiti thotë se emrin  “Mcdonalds” ia ka vënë restorantit të tij të vogël vetëm sa për të sinjalizuar se bën hamburgerë. “Por asnjëherë nuk është tentuar të kopjohet mënyra e përgatitjes e ‘McDonald-sit’”, tha ai.

“Ky emër nuk më ka ndihmuar për të pasur më shumë myshterinj”, shtoi Shefiti. “Lokali ka qenë i njohur për ferizajasit në bazë të veprimtarisë tregtare”.

foto  
“McDonald” i Ferizajt  

 

Juristja Luljeta Plakolli thotë se mund të ketë raste kur një kompani e jona mund ta përdorë emrin e një marke tregtare, në bazë të një licence, apo autorizimi.

“Megjithatë riprodhimi, shfrytëzimi për qëllime të përfitimeve komerciale, shfrytëzimi i emrit dhe reputacionit të një kompanie që është pronar i një marke tregtare pa lejen paraprake të pronarit të markës së tillë konsiderohet shkelje”, thotë ajo.

E në anën tjetër, disa biznese që sillen në përputhje me ligjin mund të ndodhë që dëmtohen nga ata që falsifikojnë.

Qendra tregtare “Albi Mall” në Prishtinë ka bashkëpunim me rreth 25 marka tregtare botërore. Një ndër këto marka është “GEOX” , brendi i këpucëve italiane, me të cilën ka kontratë që nga viti 2006.

Shkaku i taksave, çmimet e këpucëve të kësaj marke mund të jenë deri në 10 për qind më të larta se në Europë, por kualiteti është i njëjtë dhe çmimet zakonisht sillen mes 55 dhe 150 eurove. 

Por, para një viti e gjysmë, dikush tjetër futi ilegalisht në territorin e Kosovës produkte të falsifikuara. “ Dogana e Kosovës ka lajmëruar përfaqësinë e ‘GEOX-it’ dhe menjëherë është filluar me shqyrtimin e këtij rasti. Kemi konsultuar marrëveshjet që kemi me këtë brend dhe kuptuam se ky mall nuk ishe yni ”, tha menaxheri Ardian Canhasi. “Dikush tjetër kishte tentuar ta fusë atë ilegalisht në Kosovë”.

Malli ishte asgjësuar nga Doganat.

Canhasi tregon se në një tast tjetër klientët kishin lajmëruar se në treg po shiteshin mallra me çmim më të lirë të markës franceze “OKAID”. Albi Mall ishte ankuar më pas në MTI.

Doganat e Kosovës thonë se më 2011 mallrat e dyshuara se shkelin pronësinë intelektuale e të ndaluara arrinin sasinë e 232681 artikujve. Prej tyre 229271 artikuj ishin konfiskuar, ndërsa 3410 artikuj ishin liruar në qarkullim të lirë pasi ishte konstatuar se nuk shkelnin pronësinë intelektuale.

Atë vit, 134 804 artikuj në vlerë 626567 eurove ishin shkatërruar.

Më 2012 janë ndaluar 100669 artikuj.  4798 janë konfiskuar e shkatërruar, në vlerën e 115490 eurove, ndërsa 94710 janë liruar në qarkullim.

 “Mallrat që më së shumti konfiskohen janë kryesisht produktet ushqimore, tekstili dhe mbathjet”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Juristja Plakolli thotë se markat tregtare konsiderohen pronë si çdo pronë tjetër fizike, prandaj “askush nuk ka të drejtë që t’ia marrë dikujt tjetër markën tregtare dhe ta shfrytëzojë për përfitime të veta ekonomike”.

Ajo thotë se infrastruktura ende duhet të forcohet pasi gjykatat punojnë me numër të vogël të gjyqtarëve përkundër sasisë së kontesteve.

 “Gjykata Ekonomike për shembull punon me vetëm 3 gjyqtarë. Edhe pse të gjithë kanë qenë të trajnuar mbi legjislacionin e pronësisë intelektuale në Kosovë, volumi i rasteve që ata i pranojnë i tejkalon aftësitë e tyre për tu marrë në mënyrë të duhur me këto padi”, thotë ajo.