Protesta në Mitrovicë, nga Minuta në Minutë (TV)

19:35

Drejtori i Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, në një konferencë të mbajtur rreth orës 19 te ura e Ibrit, tha se janë 13 policë të lënduar, dy prej të cilëvë të lënduar rëndë janë dërguar në QKUK në Prishtinë.

“Janë 21 protestues të lënduar”, tha Thaçi.

Sipas tij janë djegur gjashtë makina të policisë dhe të misioneve të huaja, si dhe shumë të tjera janë dëmtuar.

Drejtori i Policisë në Mitrovicë tha se gjatë protestës së sotme ka pasur edhe dëmtime të disa dyqaneve.

”Protestuesit po shpërndahen dhe qyteti po i kthehet normalitetit”, përfundoi Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të ndihmojnë organet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

Pas dhunës së shprehur në protestat e sotme në Mitrovicë, Presidentja Jahjaga ka thënë se  çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës, dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit, ndërsa ndërsa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që përmes angazhimit konkret të gjejë zgjidhje për “largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën”.

“Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e saj ndërkohë që nga organet e rendit kërkon rivendosjen e qetësisë në qytetin e Mitrovicës”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Kosovës.

Apel për qetësi ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina, ka përgëzuar Policinë e Kosovës për mënyrën se si e kanë menaxhuar këtë protestë ndërsa u ka bërë thirrje liderëve dhe qytetarëve në jug dhe në veri të Mitrovicës që të veprojnë me qetësi dhe ta vazhdojnë dialogun në mënyrë që t’i zgjidhin problemet “përmes qartësimeve, takimeve dhe negociatave”.

16:56

Me anë të një deklarate, Qeveria e Kosovës ka ftuar qytetarët që po protestojnë sot në Mitrovicë për qetësi, maturi dhe vetë përmbajtje duke kërkuar që “të mos bien pre e provokimeve nga ata që kanë për qëllim destablizimin e Kosovës”.

Qeveria thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë faktorët relevant për të zgjidhur problemin e barrikadave mbi lumin Ibër.

“Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se barrikadat e reja mbi lumin Ibër do të hiqen shumë shpejtë dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet në deklaratë.

Për këtë, qeveria e vendit e ka ftuar Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimet për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe që sa më shpejtë të lirohet Ura e Ibrit nga pengesat për lëvizjen e lirë.

“Sigurojmë se në rast të mosefektivitetit në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës do të marrë masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Dhuna i Kthehet Mitrovicës

16:25

Dhuna është rikthyer në Mitrovicë pasi protestuesit dhe policia janë përleshur të dielen pasdite.

Kjo është ngjarja më e dhunshme në vendin që e ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë në vija etnike, me shqiptarët në jug dhe serbët në veri, që nga trazirat e marsit të vitit 2004.

Shumë forca policore e ushtarake janë përqendruar në urën mbi lumin Ibër ku disa qytetarë nga jugu i Mitrovicës ishin mbledhur për të protestuar kundër vendosjes së një parku mbi urën kryesore të qytetit nga pjesa veriore e tij.

Por përkundër përpjekjeve, protestuesit nuk janë lejuar që t’i afrohen “Parkut të Paqes” të ndërtuar nga administrata komunale e Mitrovicës së Veriut.

Gazetari i KALLXO.com në vendin e ngjarjes raporton se situata ka eskaluar në momentin kur protestuesit kanë provuar ta thyejnë kordonin e policisë në përpjekje për të shkuar në drejtim të parkut.

Në atë moment, hedhjes së gurëve nga ana e protestuesve, policia i është ëprgjigjur me gaz lotsjellës.

Dy veturave të Policisë së Kosovës u është vënë flaka, ndërsa një tjetër e policisë ndërkombëtare është rrokullisur nga ana e protestuesve.


15:25

Protestuesit i kanë vënë zjarrin automjeteve të policisë në protestën e cila po mbahet pranë urës kryesore mbi lumin Ibër.

Para pak minutash ka filluar përleshja mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Gazetari i KALLXO.com raporton se policia është duke u përpjekur që të mos i lejojë protestuesit t’i afrohen urës mbi lumin Ibër.

Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

15:04

Rreth 100 protestues janë nisur para pak minutash nga Stacioni i Policisë në Mitrovicë në marshin e tyre të planifikuar deri te ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Jugut.

Me parullat në duar “S’duam Park, Duam Urë” dhe “Ose Ju, Ose Na”, ata pritet që sapo të mbërrijnë te ndërtesa e komunës të bëjnë disa fjalime kudnër ndërtimit të “Parkut të Paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Organizatorët e protestës janë takuar sot edhe me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili ka kërkuar nga ta që protesta të jetë paqësore.

Një grup tjetër i qytetarëve është mbledhur pranë urës mbi lumin Ibër ku janë stacionuar forca të shumta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR.

(E plotësuar)

13:48

Gazetari i KALLXO.com në Mitrovicë raporton se një qytetar shqiptar e ka nxjerrë një rrënjë të pishës nga saksia e vendosur në urën mbi lumin Ibër dhe e ka hedhur në lum.

Policia nuk ka reaguar ndaj këtij akti, ndërsa qytetari, rreth 55 vjecar, ka thënë se po e bën këtë nga mllefi.

Aktualisht rreth 50-60 persona janë mbledhur në afërsi të urës, ndërsa organet e rendit dhe sigurisë po përpiqen t’i mbajnë njerëzit sa më larg urës.

Në vendin ku ku pas një ore pritet të fillojë protesta, ka edhe pjesëtarë amerikanë të KFOR-it.

13:24

Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR do të kenë rolet e tyre gjatë protestës së paraljmëruar për sot në pjesën jugore të Mitrovicës.

Gazetari i KALLXO.com në Mitrovicë raporton se një konvoj i KFOR-it gjerman është parë duke kaluar nëpër Mitrovicë dhe tashmë është pozicionuar në afërsi të stadiumit të qytetit.

Sipas KFOR, në këtë protestë, Policia e Kosovës do ta luajë rolin e reaguesit të parë, EULEX si reagues i dytë dhe KFOR si reagues i tretë.

“Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR do të veprojnë të vendosur dhe në mënyrë të paanshme për të krijuar kushte që protestuesit të veprojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga KFOR pak orë para protestës.

“Si zakonisht, ofruesit e sigurisë do t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të parandaluar ndonjë prishje të rendit publik”, thuhet në këtë deklaratë.

Protesta Kundër Barrikadës Nuk i Afrohet Urës

12:42

Organizatorët e protestës kundër barrikadës së re mbi urën kryesore të lumit Ibër që nga vendosësit e saj po quhet “park i paqes” demantojnë disa medie se do t’i afrohen urës gjatë marshimit. Ata planifikojnë të lëvizin në jug të Mitrovicës nga stacioni i policisë te objekti i komunës.

Protestuesit kundër barrikadës së re në urën kryesore të lumit Ibër, planifikojnë që gjatë marshit të tyre të mos i afrohen fare objektit për të cilin protestojnë.

Labinot Musliu njëri nga organizatorët i tha KALLXO.com-it se përgatitjet për protestën po shkojnë ashtu siç janë paraparë.

“Do të nisemi në orën 15:00, nga stacioni i policisë në jug të Mitrovicës ku do të kalojmë nga qendra e qytetit të tregu dhe do ndalojmë të objekti i Komunës së Mitrovicës, ku janë paraparë edhe disa fjalime nga ne”, tregoi itinerarin e marshit Musliu.

Protesta në fillim u shfaq si ide nëpër rrjetet sociale, ndërsa të shtunën zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës Avni Zahitii tha po KALLXO.com-it se një grup i të rinjve kanë paralajmëruar protestë në Mitrovicë të dielën.

”Protesta do të jetë paqësore dhe është një grup i të rinjve të cilët do ta organizojnë”, shpjegoi Zahiti.

Natën mes të martës dhe të mërkurës u hoq barrikada e vendosur me material të fortë që qëndroi mbi urën e qytetit të ndarë për gati tre vjet.

Ura qëndroi e hapur për disa orë, për t’u bllokuar përsëri nga banorë të veriut të uidhëhequr nga kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq. Këtë radhë vendosësit e barrikadës së re mbi urë sollën vazo betoni me shkurre dekorative, duke e quajtur këtë veprim “park të paqes”.

Të premten të njëjtët përforcuan këtë barrikadë të re, me vendosjen në anën veriore të urës të disa vazove gjigante të ndërtuara nga betoni mbi bazamentin e urës.

Protestuesit u takuan të dielën me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin, disa orë para se të nisin protestën e paralajmëruar për orën 15:00.

Kryetari Bahtiri nuk foli pas takimit me grupin e protestuesve. Se çfarë u diskutua në takim tregoi organizatori i protestës Labinot Musliu.

“Ne e njoftuam kryetarin për organizimin dhe pritjen për mbarëvajtjen e protestës, gjithashtu e njoftuam edhe me parakalimin tonë dhe ndalimin para objektit të kësaj komune”, tha Musliu.

Vetë Bahtiri vizitoi urën të shtunën.

“Durimit i ka ardhur fundi. Kjo barrikadë duhet të hiqet deri sonte. Nëse jo, atëherë do ta shihni”, tha Bahtiri.

Kur u hoq barrikada e vjetër mbi këtë urë, Bahtiri atë heqje ia atribuoi punës së tij si kryetar komune.