Presidenti i Parë që Vizitoi Kosovën

Ish-Presidenti i Çekosllovakisë dhe udhëheqësi i revolucionit paqësor që i dha fund sundimit komunist më 1989, Vaclav Havel, ka ndërruar jetë të dielën në Pragë në moshën 75 vjeçare.

Disidenti më i njohur çekosllovak që nga vitet 70’ta ishte përballur me ndalime të dramave të tij që satirizonin komunizmin dhe me burgime të kohëpaskohshme.

Shërbimi Botëror i BBC’së raportoi se çekët ndezën qirinj dhe vendosën lule tek statuja e St Wenceslas në sheshin Wenceslas, aty ky Haveli kishte folur para masave në demonstratat e nëntorit 1989. 

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një letër ngushëllimi për Presidentin aktual çek, Vaclav Klaus, e quajti Havelin ‘europian i madh’.

“Lufta e tij për liri dhe demokraci ishte e paharrueshme sikurse edhe humanizimi i tij”, shkroi Merkel. “Ne gjermanët kemi shumë për çka t’i falënderohemi atij”.

Kryeministrit britanik David Cameron, në ngushëllimin e vet, thotë se “Europa ka një borxh të madh ndaj Havelit”.

Presidenti aktual çek Vaclav Klaus e quajti Havelin “simbol të shtetit çek” ndërsa Miroslava Nemcova, spikere e dhomës së ultë të parlamentit, tha se vendi i saj kishte “humbur autoritetin e vet moral”.

Përkrahësi i ndërhyrjes së huaj në Kosovë

Haveli ka qenë i njohur edhe për shqiptarët e Kosovës të cilët i kishte mbështetur në deklaratat e tij publike teksa regjimi i Slobodan Milosevicit po aplikonte masat e tij shtypëse. Në muajin tetor 2011, Havel kishte ftuar dhe e kishte takuar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga në Forumin 2000, në kuadër të konferencës “Demokracia dhe Sundimi i Ligjit”.

Lulzim Mjeku, një ish-gazetar i njohur i politikës së jashtme, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, ka zhvilluar intervista dhe ka qenë i interesuar në karrierën e Havelit dhe vlerave prapa të cilave ai ka qëndruar.

Herën e fundit Mjeku e kishte parë Havelin në shatorin e këtij viti në Pragë kur ky i fundit ishte shpallur qytetar nderi i kryeqytetit çek. “Aty përcolla aktivitetet e Havelit”, tha Mjeku. “Ishte shumë i dobët nga shëndeti”.

Mjeku tregon Haveli në librin e tij të ri “To the Castle and Back”, në formë të memoareve për kohën sa ka qenë President, kur flet për Kosovën, fushatën e bombardimeve të NATO’s e përshkruan si një akt vetëmbrojtje.

Ai thotë se Haveli ishte kritik i apatisë së bashkësisë ndërkombëtare rreth krizës së ish-Jugosllavisë.

“Unë e kam ndjerë se herët a vonë ndërhyrja do të bëhet e pashmangshme dhe sa më herët që të bëhej aq ajo do të thoshte edhe aq më pak sakrifica. Unë e dënoj politikën e paqetimit”, citon Mjeku, Havelin.

“Një sulm me kohë dhe i koordinuar kundër Hitlerit do të shpëtonte miliona jetë. E di sa e vështirë është për një person të përgjegjshëm të vendosë nëse do të luftojë apo jo;
rreziku që të vuash dhimbjen, humbjen e jetës, është diçka që ai i imponon mbi të tjerët me vendimin e vet”, shkruante Havel.

Mjeku thotë se Havel do të mbetet në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës si Presidenti i parë i një shteti që ka vizituar vendin e çliruar, menjëherë pas luftës.

“Për këtë Beogradi zyrtar pat dërguar nota proteste e demarshe, pse gjoja Havel ka qenë dashur që për vizitën e tij në Kosovë t’i drejtohet Beogradit zyrtar për t’i dhënë leje”, kujton Mjeku. 

Havel, në memoaret e tij, thoshte se vizitën në Kosovë nuk do ta harronte kurrë.

“Dhjetëra mijëra familje me fëmijët e tyre, me kafshët dhe gjësendet e tyre, po ktheheshin nga matanë bjeshkëve prapa për në shtëpitë e veta prej nga ishin dëbuar. Mirënjohja e tyre për
ata që ndërhynë për ta, ishte e jashtëzakonshme”, citon Mjeku, Havelin. “Sa shpesh ndodhë në histori që gjysmë milioni njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre të ktheheshin masovikisht më pas? Në çështjen e Bosnjë-Hercegovinës, sikurse edhe në konfliktet tjera jugosllave, unë në të shumtën isha në anën e ndërhyrjeve me kohë”.

Haveli thoshte se disave në atë kohë mund t’ju ketë dukur si militarist. “Por ndërgjegjja më thoshte se ndërhyrja ishte mënyra e vetme për të parandaluar këtë gjëmë të pafundme. Një lloj ndërhyrjeje është jo vetëm shprehje e solidaritetit me bashkëqytetarët e planetit tonë të cilët vuajnë, por ndërhyrja paraqet edhe aktin e vetëmbrojtjes”.

“Ne nuk e dimë asnjëherë se sa i madh mund të behet ai konflikt nga konfrontimi ushtarak dhe kush në fund të fundit mund të kridhet brenda tij. Le të kujtojmë se Lufta e Parë Botërore filloi në Sarajevë”.

Mjeku ka lexuar edhe shumë nga letrat që Havel, derisa ka qenë në burg, i shkruante Olgës
(gruas së parë) me të cilat ai i ka bërë të ditura pikëpamjet e filozofisë së tij politike.

“Po të isha unë matanë Murit të Berlinit, mbase do të kisha qenë i gjelbër, i shkruan në një letër Olgës”, tregon Mjeku.

“Në një tjetër letër e porosit Olgën që të blejë librin e kardinalit Ratzinger ‘Rrënjët e Krishterimit’ se kur të dalë nga burgu do ta lexoj”, vazhdon Mjeku. “Ka qenë mik personal i rock yllit Mick Jagger, ndërsa fondacioni i tij për të drejtat e njeriut ka protestuar gjithnjë kundër regjimeve totalitare dhe shtypëse”.

Duhanxhi Kronik

Havel për herë të fundit në dalje publike është parë në takim me liderin fetar tibetian, Dalai Lama.

Ai kishte vuajtur nga sëmundjet një kohë të gjatë dhe ishte duhanxhi i madh. Atij i ishte hequr një pjesë e mushkërive gjatë një operacioni kanceri më 1990 ndërsa për problem me frymëmarrje ishte shtrirë në spital edhe më 2009.

I lindur më 1936 në një familje të pasur të etiketuar si ‘borgjeze’ nga komunistët, Havel kishte filluar të shkruaj që më 1950. Ai iu kishte rikthyer shkrimit edhe më 2003 kur ishte tërhequr nga detyrat publike.

Më 1989 Havel ishte emëruar President i Çekosllovakisë demokratike dhe të tregut të lirë, ndërsa më 1993, president i parë i Çekisë së pavarur pas ndarjes paqësore të Sllovakisë.