Kthimi Te Ajo Ditë

Fotografitë nga dëbimet dhe masakrat e luftës së para 14 viteve në Kosovë e pushtuan rrjetin e madh social Facebook ditën e përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë. 

Një të tillë, e publikova edhe vetë me diçiturën natyrisht të huazuar nga urtia shekullore e njerëzimit: “E shkuara që harrohet është e destinuar të përsëritet… prandaj të mos harrojmë”… 

Pati natyrisht shumë pëlqime, ashtu sikurse edhe shumë komente. Të gjitha mbështetëse për diçiturën. Aq shumë solidarizuese!

Të njëjtën gjë bëra edhe unë me fotografi të ngjashme që u shpërndanë dhe u publikuan në Facebook nga miq të mi virtualë. U solidarizova me ndjeshmërinë dhe me sensin e tyre të drejtë për ta përkujtuar një nga ditët më të rëndësishme për historinë e re dhe të vjetër të Kosovës.

E di që secili prej tyre ka një apo dhe shumë kujtime nga ajo ditë dhe nga ditët që pasuan. Kujtime që s’duhen harruar, pas 14 viteve jo se jo, por as pas 28, 32, 46…. e më shumë viteve. 

Edhe pse mund të jenë të hidhura, të trishta, të dhimbshme apo të tmerrshme. Ato nuk duhen harruar. Sepse, ato janë kujtimet që e mbajnë gjallë historinë tonë, kujtimet prej nga ku filloi e ardhmja e lirisë…

Kthimi te ajo ditë dhe kapja pas kujtimeve të tilla më shumë se gjithçka tjetër na jep mundësinë që të reflektojmë mbi atë se ku ishim dhe nëpër çfarë kaluam e çfarë përjetuam për të mbërritur këtu ku jemi.

I ngjan kthimit te vetvetja. Te ajo vetvetja që ka humbur e është tretur nëpër gjithë ato që kanë ndodhur në këta 14 vjet. Që është humbur nëpër hullitë e zhgënjimit të përditshëm nga gjithkush e për gjithçka.

E di se duket dëshpëruese t’u thuash njerëzve të kapen pas kujtimeve, aq më tepër pas kujtimeve të dhimbshme e të trishta.

T’u thuash se pikërisht në ato kujtime ka filluar e ardhmja. E ardhmja e aq shumë ëndërruar me emrin LIRI! Aq më tepër që shija e vërtetë e lirisë nuk kishte rezultuar e njëjtë me atë shijen e pritshme të saj…

Liria është kthyer në barrë të madhe për shumë nga njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë humbur një nga motivet për të ecur përpara: ëndrrën e madhe të lirisë! Liria nuk është më një term abstrakt e një ëndërr e kamotshme, një mbulesë patriotike që ta bën më të lehtë përballjen me të keqen. 

Liria reale, e prekshme, rezultoi diçka krejt tjetër nga ideja e projektuar për të. Një barrë që mezi ku mbahet në kurriz, ndërsa njeriu i mbushur kokë e këmbë me të (lirinë) zvarritet për mbijetesë.

Një gur i ngjitur në shpinën e Sizifit…

Realiteti nuk i ndihmon që të njehsohen me lirinë, të mos e mbajnë si barrë mbi shpinën e tyre. Realiteti është i dhimbshëm dhe i trishtë, ndonëse jo si realiteti i para 14 viteve, ai i luftës.

Një shoqja ime e preokupuar aq shumë me zhvillimet e fundit në Kosovë, më thoshte një ditë gjithë mërzi se ky realitet është kështu si është, vetëm se lufta u harrua shumë shpejt. 

U hodh si pa të keq në skutat e harresës, ndërkohë që pasojat e saj janë aq shumë të pranishme.  Ne sillemi, sikur lufta s’ka ndodhur kurrë, sikur nuk kemi qenë ne personazhet e saj, sikur s’kemi pësuar prej saj, më thoshte shoqja ime, duke shtuar se, asgjë e mirë nuk do na ndodhë përderisa të mos përballemi me pasojat e luftës.

Sipas saj, duhet ta gjejmë atë fuqi, fuqinë e përballjes, për të gjetur më në fund shumë nga fuqitë e tjera që na kanë humbur, si ta zëmë fuqia e reagimit qytetar, mungesa e të cilit na ka shtënë në një letargji të çuditshme.

E pata lënë të shfryhej mirë e mirë shoqen time, pa i ndërhyrë dhe pa i thënë asnjë fjalë. Pa e mbështetur me fjalë, ndonëse në vete i jepja të drejtë.

Ajo është një nga miqtë e mi që edhe në Facebook e shprehu shqetësimin e vet dhe në ditën e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, publikoi një fotografi me masakrën e Reçakut. Me thirrjen që të mos harrojmë luftën dhe atë çfarë përjetuam në të.

Natyrisht që i bëra një LIKE të sinqertë, duke e vlerësuar shqetësimin e saj, frikën e saj se duke harruar atë që na ndodhi shpejt do detyrohemi ta përjetojmë edhe një herë. Si një mallkim ndoshta apo si një kompensim për lehtësinë me të cilën harruam dhe shkelëm mbi vuajtjet dhe dhimbjen tonë.

As në Facebook nuk munda t’i bëj koment. Heshta sikur edhe atëherë kur të njëjtat shqetësime mi shprehu personalisht. Nuk kisha çfarë të komentoja, as çfarë të shtoja. 

Më së paku doja të bëja politikë me këtë shqetësim të sajin të sinqertë. Më së paku doja të merresha me varfërinë, zhgënjimin, aplikimin e shtetit arbitrar, korrupsionin dhe anarkinë e përgjithshme, blerjen dhe shitjen e diplomave, titujve akademikë dhe shpirtit…

Sepse, në fund të fundit, pavarësisht nëse më 2 prill do të ketë ose jo një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht nëse do ketë riformatim të qeverisë apo riformatim të koalicionit, pavarësisht nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme dhe pavarësisht nëse dorëhiqet apo e dorëheqin drejtorin e KEK-ut, ministrin e Ekonomisë dhe atë të rendit, pavarësisht nëse do apo nuk do të liberalizohen vizat, unë mendoj se më e rëndësishme është që të respektojmë vërtet dhe pa retorikë politike ata që kontribuan për lirinë, të gjitha ato viktima të luftës ose civile që pësuan në mënyra nga më të tmerrshmet nga makineria e luftës serbe.

Do më pëlqente që katarsën tonë ta nisim pse jo nga ngritja e një muzeu për pasojat dhe tmerret e luftës. Ai do ishte aty për të dëshmuar edhe kur ne ta harronim luftën.

Për të na tërhequr vërejtjen se “e shkuara që harrohet është e destinuar të përsëritet…”