Murgeshat Serbe Mësojnë Shqip

Derisa aktivistët politikë të shumë ngjyrave e përkatësive vazhduan të vendosnin gjithfarëlloj barrikadash muajt e shkuar, disa shërbyese të Zotit kanë filluar të punojnë në drejtimin e kundërt.

Në Manastirin e Sokolicës, në Boletin, murgeshat ortodokse po heqin barrikadat ndëretnike e ndërgjuhësore. Ato kanë filluar të marrin një kurs të gjuhës shqipe. 

Manastiri ka marrë emrin e një mali aty afër. Ndërsa nga ky fshat kishte marrë mbiemrin edhe patrioti shqiptar i para një shekulli, Isa Boletini, i njohur si kosovari që ka marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Shumë njerëz e vizitojnë objektin pasi besojnë se një skulpturë e vjetër e Shën Mërisë u sjell fat e shërim, ndërsa motrat merren në vazhdimësi me përkthime.

Ideja për kursin ishte e kryemurgeshës Mati Makaria.

Ajo tregon se ka angazhuar një mësimdhënëse që t’iu mbajë kurse të gjuhës shqipe motrave të nderit në këtë Manastir në mënyrë që edhe ato të mund të flasin shqip.

“Ne jetojmë midis shqiptarëve dhe duhet të dimë gjuhën e njëri-tjetrit”, ka thënë Makaria, për Radio Kosovën. “Neve nuk na intereson politika, me atë le të merren politikanët”.

Kjo lëvizje e motrave si duket nuk i ka penguar selisë së Kishës Ortodokse Serbe pasi që kjo e fundit nuk ka reaguar.

“Kisha nuk ka ndonjë bezdi nga kjo. Në fakt, ne nuk jemi robot të kishës që të na e diktojë  se çfarë të bëjmë ose të presim të na japë direktiva. Mendoj që kisha jonë është liberale dhe ne kemi liri të plotë”, thotë Makaria.

Me veshjen tradicionale kishtare, 67 vjeçarja Makaria udhëzon vizitorët që shkojnë për herë të parë në këtë kishë dhe këtë tani ajo dëshiron ta bëjë në gjuhën shqipe.

“Ne e kemi derën gjithmonë hapur për njerëzit”, thotë ajo.

Në mesin e vizitorëve ka edhe myslimanë të cilët, tregon ajo, i udhëzon të luten në gjuhën dhe mënyrën e tyre. “Ata mund t’i luten Allahut njësoj si ne Krishtit dhe këtë mund ta bëjnë në shqip ose në çfarëdo gjuhe tjetër të veten”.

Përderisa marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ndikohen nga raportet tjera, këto motra thonë se banorët duhet të bashkëpunojnë dhe të tregojnë se bazat etnike nuk duhet të jenë arsye e ndarjes dhe përçarjes.