Foto: Urim Krasniqi / KALLXO.com

Si të mbrohet lufta për çlirim?

Karta në dorën tonë duhet të jetë se ndonëse të okupuar dhe viktima, i dënuam krimet e kryera nga individë që keqpërdorën luftën tonë, ndërkohë që Serbia, megjithëse okupatore e agresore, nuk po i dënon ata që krimet i kryen me urdhra prej institucioneve të saj. 

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (ICTY) me seli në Hagë, e mandej edhe gjykatat e themeluara nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK dhe EULEX, hetuan, gjykuan e ndonjëherë edhe dënuan ish-pjesëtarë të UÇK-së, por asnjëherë pjesëtarë të formacioneve tjera të armatosura – të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) ose të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). 

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë janë institucioni i parë i drejtësisë që po merret edhe me pjesëtarë të këtyre dy organizimeve tjera ushtarake. Madje, aktakuza e parë e këtij institucioni u ngrit ndaj një ish-pjesëtari të LKÇK-së, Sali Mustafës, ish-komandanit të gueriles së kryeqytetit, të quajtur BIA (Bahri Fazliu, Ilir Konushevci, Agron Rrahmani), që operonte në kuadër të Zonës Operative të Llapit (ZOLl).

Salih Mustafën e rëndon akuza për krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare, se gjatë prillit 1999, bashkë me disa ushtarë tjerë të UÇK-së, kanë arrestuar 6 persona që nuk kishin pjesëmarrës aktivisht në luftime dhe i ka mbajtur në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllashë të Prishtinës. Aktakuza përmban katër pika: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje e paligjshme (njëri nga gjashtë personat e ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash është vrarë).

E kisha të vështirë ta besoja vërtetësinë e kësaj aktakuze, jo për shkak se të akuzuarin deri më 1999 e kisha fqinj, por për shkak se LKÇK-ja, organizimi ku ai aderonte, e themeluar në korrik 1993, botonte dhe e shpërndante ilegalisht çdo muaj fletushkën ‘Çlirimi’, në të cilën kësaj organizate i shpërfaqej ashiqare ndjeshmëria për jetët e civilëve të pafajshëm, pavarësisht prej përkatësisë etnike. 

Madje, një numër i jashtëzakonshëm i ‘Çlirimit’ i botuar në janar 1997, thuhej se “aksionet e hedhjes së bombave nëpër kampet e kolonëve serbë dhe hedhja e bombës në kafenenë e mbushur me civilë në Deçan, kanë ngjyra të theksuara të terrorizmit”. Po kështu, në korrik të vitit 2007, pra tetë vjet pas luftës, ish-pjesëtari i LKÇK-së, Aziz Bici, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative e Shalës (ZOSh), kërkonte nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës ta hetonte batalionin që ky e kishte komanduar gjatë luftës, për të parë nëse ishte shkelë e drejta humanitare ndërkombëtare.

Salih Mustafa, i dënuar me 5 vite burg në vitin 1994 nga regjimi okupues serb për shkak të veprimtarisë së tij në LKÇK, duhet ta dëshmojë vetë pafajësinë dhe Dhomat e Specializuara e Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë ato që do të vendosin nëse ai me bashkëluftëtarët i kanë shkelur rregullat e të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (ICTY), i themeluar nga OKB-ja më 1993, me mandat për të gjykuar palët në konflikt, i shpalli ndër liderët kryesorë të UÇK-së, duke i liruar komandantët Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, dhe fajësoi Sërbinë, duke ia dënuar udhëheqësit politikë, ushtarakë e policorë: Nikola Sainović, Dragoljub Ojdanic dhe  Sretan Lukic.

Me mbylljen e mandatit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (ICTY) në vitin 2018, gjykimi dhe dënimi i ekzekutuesve të krimeve nëpër ish-njësitë federale jugosllave mbeti në gjykatat speciale për krime lufte të vetë ish-njësive federale të përfshira në luftë. Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia, ndonëse me vështirësi, themeluan gjykatat speciale për krime lufte. Kosova dështoi pothuajse tërësisht, duke dëshmuar se nuk ka prokurorë, gjykatës, avokatë, policë, gardianë e profesionistë të guximshëm, e mbi të gjitha dështoi t’i mbronte dëshmitarët, prandaj bashkësia ndërkombëtare vendosi të na e themelonte Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Hagë dhe jo në Prishtinë.

Fajtorë kryesorë për këtë zhvillim janë ata që e udhëhoqën politikisht Kosovën gjatë kësaj dekade. Po të shqetësoheshin për Kosovën, pas publikimit të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, do të krijonin kushte për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Prishtinë. Për më tej, ata që përmenden në këtë raport, nuk do të konkurronin më për asnjë pozitë shtetërore, të vetëdijshëm se kur të raportonin mediat ndërkombëtare për ta si bartës të pozitave shtetërore në Kosovë, medoemos do t’ua përmendnin këtë raport, duke ia dëmtuar kësisoj imazhin Kosovës.

Natyrisht se themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, Serbia do ta përdorë në rrafshin ndërkombëtar për ta njollosur Kosovën dhe krejt UÇK-në si bartëse të luftës për çlirim, me qëllim që prej viktimizueses, veten ta portretizojë ndërkombëtarisht si viktimë. Këtë nuk duhet t’ua lejojmë. Prandaj, na kërkohet një projekt ndërkombëtar që t’i kundërvihet fushatës ndërkombëtare të Serbisë, e që do ta rifreskonte kujtesën botërore me një pasqyrim objektiv të ngjarjeve në Kosovë gjatë periudhës janar ’98 – dhjetor ‘99.

Lufta e UÇK-së ishte e drejtë ngaqë ishte çlirimtare, por raporte të organizatave prestigjoze ndërkombëtare pohojnë se disa individë në radhët e UÇK-së, e për fat të keq madje me pozita të larta, ishin përfshirë në shkelje të rregullave të të drejtës humanitare ndërkombëtare. Pavarësisht se ç’bën Serbia me kriminelët e saj, që kanë kryer krime madje me urdhra të institucioneve shtetërore, ne duhet t’i dënojmë kryesit e krimeve që na e keqpërdorën luftën për liri e pavarësi, sepse kështu e mbrojmë atë.

Karta në dorën tonë duhet të jetë se ndonëse të okupuar dhe viktima, i dënuam krimet e kryera nga individë që keqpërdorën luftën tonë, ndërkohë që Sërbia, megjithëse okupatore e agresore, nuk po i dënon ata që krimet i kryen me urdhra prej institucioneve të saj.

Argumenti tjetër në dobi tonën është se rreth 40 kishat e manastiret ortodokse të shkatërruara gjatë trazirave më 17 e 18 mars 2004, ndonëse nuk dihet nga kush saktësisht, i rregulluam me taksat tona, ndërkaq rreth 200 xhamitë e shkatërruara gjatë luftës 1998-99, ndonëse dihet se u shkatërruan nga forcat ushtarake e policore serbe e jugosllave, u rregulluan pas luftës kryesisht me ndihmat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova duhet të angazhohet për gjykime fer për të akuzuarit nga Gjykata Speciale dhe për drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore, fetare, politike, e me radhë.

Po ashtu, organet e drejtësisë kosovare duhet t’i përvishen punës – gjë që e kanë bërë shumë pak gjatë gjithë kësaj kohe – për t’i ndjekur, gjykuar e dënuar të gjithë ata që kryen krime ndaj civilëvë shqiptarë në Kosovë. E meqë Kosova synon të integrohet në strukturat euroatlantike, nuk duhet ta kopjojë shoqërinë serbe e të lejojë që ata që shpallen të fajshëm, pas lirimit të mbajnë poste publike.

(Mendimet e shprehura në këtë Opinion nuk pasqyrojnë domosdo qëndrimet e BIRN)