Tahire Haxholli

Sfida e uniformës për Tahire Haxhollin - VIDEO

Tash e 19 vjet, Tahire Haxholli është në shërbim të qytetarëve të vendit si pjesëtare e Policisë së Kosovës.

Gjatë karrierës së saj, Haxholli ka lëvizur në shumë pozita brenda policisë, duke filluar nga shefe e Njësisë së patrullës, Njësinë e komunitetit dhe drejtuese e Sektorit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Ndërsa tani, Haxholli është në krye të Sektorit për Administrimin e Trajnimeve në Policinë e Kosovës.

Në një intervistë për KALLXO.com, Haxholli ka treguar se si ka filluar ëndrrën e saj për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Arsyeja edhe motivi më i madh kanë qenë që të jem pjesë e Policisë së Kosovës sepse vet nga natyra kam dëshirë që t’i ndihmoj qytetarët, të jem në shërbimin e tyre dhe mundësia më e mirë ka qenë se nga profesioni që ka Policia e Kosovës mund t’i ndihmosh qytetarët, dhe mund t’u shërbesh në disa aspekte si është mbrojtja e jetës, e pronës e lirë, të gjitha këto”, ka thënë Haxholli.

Duke pasur parasysh pozitat drejtuese që ka mbajtur Haxholli në Policinë e Kosovës, ajo ka pasur raste të japë urdhra edhe për zyrtarë policorë të gjinisë tjetër.

“Policia e Kosovës i ka disa rregulla disa udhëzime administrative, hierarkia respektohet shumë në Policinë e Kosovës edhe komanda edhe urdhrat janë të njëjta si ta komandosh një burrë si ta komandosh një grua, nuk është problem të komandosh burrat”, ka thënë Haxholli.

Në intervistë, Haxholli ka folur edhe për vështirësitë që gratë brenda Policisë së Kosovës kanë gjatë ushtrimit të profesionin të tyre.

“Nga ana psikologjike është më e vështirë që një grua ta ushtrojë profesionin e policisë se një burrë. Nga anët tjera nuk kemi asnjëherë problem gjithherë jemi të barabarta dhe ndonjëra ka pasur raste kur kemi arritur edhe suksese më të mëdha se burrat”, tregon Haxholli.

Si zyrtare policore, Haxholli gjatë tërë ditës ka për obligim ta mbajë me vete armën, për të cilën thotë se nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë eksperiencë të hidhur.

“Me thanë qe kam gjuajt dhe ja kam drejtua ndonjë personi nuk kam pas rast, është larguar është evituar rreziku por nuk kam shti me armë. Edhe kur e kam marrë armën i jam lutë Zotit që mos të kem asnjëherë rastin që të gjuaj më armë ndaj ndonjë personi, por ne jemi për me mbrojtë jetën e qytetarit dhe kolegut dhe në rast rrezikut për t’u mbrojtur e kemi autorizim të shtijë me armë”, ka thënë Haxholli.

Pas rreth 20 viteve, si pjesëtare e Policisë së Kosovës, Haxholli thotë se asnjëherë nuk ka menduar që ta lë Policinë e Kosovës.

“Asnjëherë nuk kam menduar me lanë policinë, asnjëherë, por gjithherë kam menduar që të arrij sa më lart, sa më shumë të bëjë ndryshime aty ku ka mundësi brenda Policisë së Kosovës, për momentin nuk mendoj me lënë Policinë e Kosovës”, thotë Haxholli.

Që ta lë policinë e Kosovës nuk e ka menduar përkundër vështirësive që ka duke jetuar e ndarë me familjen e saj.

“Fatmirësisht edhe burri po më kupton po më përkrah sepse burri jeton në një shtet tjetër në Zvicër edhe unë në Kosovë edhe për këtë arsye akoma nuk kam menduar që ta lë Policinë e Kosovës”, tha Haxholli.