Foto: Kallxo.com

Sava Janjiq tregon pse reagoi për rrugën e jo për hidrocentralin (VIDEO)

Kreu i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, në një intervistë për KALLXO.com, ka folur për rrugën e kontestuar, për hidrocentralet dhe restoranet brenda zonës së mbrojtur, për hidroenergjinë që e ka marrë Manastiri nga këto hidrocentrale, për ndikimin e Beogradit dhe për marrëdhëniet me ndërkombëtaret e institucionet e Kosovës.

Ai ka treguar arsyet pse nuk do ta lejojnë ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, por vetëm asfaltimin e saj. Janjiq ka folur edhe për hidrocentralet të cilat janë ndërtuar brenda zonës së mbrojtur, si dhe energjinë që ZRRE thotë se në vitin 2016 ky Manastir e ka marrë ilegalisht nga këto hidrocentrale.

Ai ka thënë se i kanë informuar përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe autoritetet e Kosovës që për nisjen e punës së paligjshme brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur, duke thënë se problemi është që rruga Deçan – Plavë po ndërtohet, nuk po asfaltohet.

“Çështja me rrugën është problemi i kthimit të rrugës së një fshati të këtushëm prej 10 kilometra në një rrugë ndërkombëtare që lidh Kosovën me Malin e Zi, e cila do të kalojë përballë Manastirit të Deçanit”, ka thënë Janjiq për KALLXO.com.

Ai ka thënë se për këtë është informuar edhe Këshilli Implementues Monitorues, i cili përfshin edhe Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Ambientit.

“Sigurisht, ne diskutuam direkt në disa mbledhje për çështjen e rrugës dhe ishte shfaqur në këtë Këshill analiza ligjore e Bashkimit Europian dhe analiza ligjore e OSBE-së, që thotë se ndërtimi i kësaj rruge është i jashtëligjshëm, pra e dinë shumë mirë”.

I pyetur pse nuk po lejojnë asfaltimin e një rruge e cila është rrugë ekzistuese, Janjiq ka thënë se problemi është që rruga Deçan – Plavë po ndërtohet, nuk po asfaltohet.

“Po, është një rrugë ekzistuese 10 kilometra e gjatë dhe kjo rrugë nuk është problem, është një rrugë dytësore. Problemi është se nëse kjo rrugë kthehet në një rrugë ndërkombëtare me trafik të rënduar, këtu është problem”, ka thënë ai.

Foto: Kallxo.com

Institucionet e Kosovës kanë thënë se ky është asfaltim, por Janjiq e ka demantuar këtë. Ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, dhe dëshmohet edhe në tabelën e punimeve.

“Kjo nuk është e vërtetë, ka një shenjë këtu që thotë se ky është ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, pra kjo nuk ka të bëjë thjesht me asfaltim të rrugës, kjo është ngritje e një rruge në një rrugë ndërkombëtare dhe kjo i është dorëzuar haptas Këshillit dhe Këshilli për Mbrojtjen e Zonave Speciale e di që kjo nuk është thjesht asfaltim i rrugës dytësore, pasi kjo nuk do të ishte kurrë problem, por ky është në fakt ndërtim i një rruge ndërkombëtare, ndërlidhëse me Malin e Zi”.

Foto: Kallxo.com

Janjiq ka thënë se rrugën nuk e kundërshton vetëm manastiri, por edhe institucionet ndërkombëtare.

“Është çështje e ligjit i cili i ndalon, jo rrugët lokale, por ndalon rrugët ndërshtetërore, ndërkombëtare dhe kjo është një rrugë ndërkombëtare e cila do të sjellë shumë kamionë, shumë trafik këtu dhe ky është një problem, i cili nuk shihet si problem vetëm nga Kisha Ortodokse Serbe. Ky shihet si një problem gjithashtu edhe nga Bashkimi Europian i cili ka kryer një analizë ligjore mbi këtë, gjithashtu dhe OSBE që ka kryer një analizë ligjore për këtë dhe ne pajtohemi plotësisht me qëndrimin e tyre që kjo do të ishte tepër e dëmshme dhe prandaj ne sugjeruam disa vite më parë që Qeveria e Kosovës duhet të gjejë një tjetër zgjidhje transiti dhe zgjidhja e transitit u gjet”.

Ai ka folur për rrugën e nisur në vitin 2014, e cila ishte planifikuar të shkonte nga Lloqani për në Malin e Zi.

“Z. Thaçi, i cili ishte Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në 2014, ai e përuroi bashkë me Rasim Selmanaj, tani deputet në Parlamentin e Kosovës, atëherë kryetar i komunës së Deçanit, e përuroi këtë rrugë këtu si një rrugë transiti e cila do të vazhdonte për në Plavë dhe ne e përgëzuam këtë vendim si një vendim të arsyeshëm i cili do të shmangte trafikun e rënduar përmes Zonës së Mbrojtur Speciale”.

Foto: Kallxo.com

“Po, për në luginën e Loçanit, e cila është luginë paralele. Pra kjo nuk është një zonë e veçantë e mbrojtur dhe kjo është zgjidhja më e mirë. Unë nuk e di përse qeveria e ndërroi qëndrimin e saj. Kjo ishte pranuar nga Qeveria e Kosovës zyrtarisht dhe mbështetur nga Këshilli për Mbrojtjen e Zonave Speciale”.

Kur është pyetur pse brenda zonës së mbrojtur janë lejuar ndërmjet e hoteleve dhe hidrocentraleve, ai ka thënë se rruga është çështje tjetër.

“.. ka aktivitete që janë të ndaluara dhe të kufizuara. Aktivitetet e ndaluara janë të ndaluara me ligj, nuk ka diskutim. Aktivitetet e kufizuara janë diçka mbi të cilat mund të biesh dakord”.

Foto: Kallxo.com

Duke ju referuar nenit 5 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, Janjiq është pyetur pse ka lejuar dhe nuk ka reaguar kur janë ndërtuar hidrocentralet, të cilat ndalohen me ligj.

“Kjo ishte në diskutim në Këshillin për Mbrojtjen e Zonave Speciale për këto… Këto në fakt nuk janë hidrocentrale me diga dhe liqene. Ka pasur një diskutim për këtë, pra ky ishte një nga projektet me shumë rëndësi për qeverinë e Kosovës dhe nuk ishte Manastiri, ishte Këshilli dhe qeveria dhe komisioni ligjor që ranë dakord që këta hidrocentrale nuk shkaktojnë rrezik në natyrën e kësaj zone sepse nuk po krijojnë liqen apo diçka të tillë”.

Foto: Kallxo.com

I pyetur pse nuk kanë reaguar kur janë ndërtuar hidrocentralet, ai ka thënë se kanë shprehur shqetësime, por i kanë siguruar që hapësira nuk do të dëmtohet dhe se ky ishte vendim i të tjerëve.

“Ne shprehëm shqetësime që ata nuk duhet të dëmtojnë zonën, por ishte vendim i Këshillit dhe ministrave të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës pasi kjo ishte me rëndësi të madhe për popullin e Kosovës, për prodhimin e energjisë, dhe u ndërtua. Pra kjo nuk ishte leje nga Manastiri. Manastiri është ai që jep leje për aktivitete të ndaluara”.

Ai ka thënë se brenda Zonës së Mbrojtur Speciale, është një restorant që është ndërtuar para se të shpallej ligji, është një tjetër i cili u ndërtua më vonë, por se  për këto mund të bihet dakord mes komunitetit dhe Manastirit nëse mendojmë që kjo është e dobishme për komunitetin.

Foto: Kallxo.com

Sa u përket hidrocentraleve, Janjiq ka thënë se ai projekt shkoi në Manastir pas një analize ligjore.

“ Kjo nuk u soll tek ne si diçka për të cilën mund të biem dakord ose jo, por ka një analizë ligjore nga ekipet ligjore të Këshillit të cilët kërkuan nëse ky hidrocentral është diçka që lidhet me dëm të natyrës. Ata gjetën që ky lloj hidrocentrali, në fakt nuk e dëmton zonën dhe kompania austriake që ishte e përgjegjshme për këtë thanë që do të punojnë një mbjelljen e një vegjetacioni të ri dhe gradualisht ta kthejnë zonën siç ka qenë më parë. Pra nuk na është kërkuar të pajtohemi ose jo. Ky ishte një opinion ligjor”.

I pyetur a kanë reaguar, Janjiq thotë se nuk reaguan, ngase besuan që kjo është në interes të Kosovës.

“Jo, ne nuk reaguam pasi ne besuam që është në interesin e popullit të Kosovës”.

Këto hidrocentrale janë ndërtuar nga kompania austriake Kelkos.

Foto: Kallxo.com

I pyetur për një raport 2016 të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili thotë se kjo kompani i ka dhënë rrymë ilegalisht Manastirit, Janjiq i mohon këto.

“Jo, ne e marrim energjinë direkt nga sistemi i Kosovës. Ne e paguajmë [energjinë]”, ka thënë ai.

Në fund, Janjiq tha se ata nuk janë përfaqësues të Beogradit në Kosovë.

“Ne jemi qytetarë të Kosovës, kemi letërnjoftim të Kosovës, siç e shihni ne jetojmë këtu si të gjithë qytetarët e tjerë, prandaj Beogradi nuk ka asgjë të bëjë me këtë dhe absolutisht nuk kemi asnjë ndërhyrje nga Qeveria e Beogradit përveç deklaratave të tyre. Ne në fakt po punojmë më tepër me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe mund t’ju siguroj që po i koordinojmë aktivitetet tona jo vetëm me qeverinë e Kosovës por edhe me OSBE-në, BE-në dhe ambasadat e tjera”.

Foto: Kallxo.com