Kandidati i LDK-së kushtëzon votën vetëm për projektet që ndërlidhen me qytetarët

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Safet Kamberi në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se nëse merr besimin e qytetarëve për përfaqësim në kuvend do të jetë zëri i tyre sidomos i qytetarëve të Mitrovicës.

Kamberi tregon tutje se votën e tij do ta kushtëzoj me projektet për interesat e qytetarëve ndërsa nuk jep qëndrim të tij personal sa i përket shitjes së Telekomit të Kosovës.

Ai thotë se është për ndërtimit e termocentralit të tretë me qymyr.

Në lidhje me martesat mes gjinisë së njëjtë Kamberi thotë se është kundër, ndërsa për bartjen e shamive në shkolla thotë se ‘gjithçka çka lejohet me ligj për mua dhe grupin parlamentar të LDK do të jetë e pranueshme.’

Më poshtë mund të lexoni të plotë intervistën me kandidatin për deputet nga LDK, Safet Kamberi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me shty nëse bëheni Deputet?

Safet Kamberi: Po, Lidhja Demokratike ma tash veç ka hartu programin e saj dhe normal që ai do të jetë them synimi i çdo Deputeti të Lidhjes Demokratike dhe grupit parlamentar të LDK-së.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin, a keni me vazhdu me qenë Deputet apo keni me kalu në ndonjë post tjetër?

Safet Kamberi: Dëshira ime është që tash meqenëse kam hyrë në këtë garë të jem zë i qytetarëve të Kosovës dhe i qytetarëve të Mitrovicës në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Safet Kamberi: Ne konsiderojmë që të gjitha ato taksa që ndërlidhen pak a shumë me konsumatorin e Kosovës, normal që duhet të zvogëlohen për shkak se duhet të zvogëlohet kosto e jetesës tek qytetarët e Kosovës, të gjitha ato që kanë të bëjnë me biznese unë mendoj që janë me interes që ndoshta të rriten dhe të bëhen në harmoni me biznesin.

KALLXO.com: Cilat janë tre amendamentet e para që keni me i propozu?

Safet Kamberi: Me të thënë të drejtën nuk kam menduar rreth kësaj teme.

KALLXO.com: Cilat janë 3 problemet apo nevojat kryesore të komunës prej nga vini?

Safet Kamberi: Komuna e Mitrovicës ka shumë telashe, prej asaj që është problem politik mirëpo edhe punë tjera të cilat lidhen kryesisht me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Safet Kambeti: Në asnjë formë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Safet Kamberi: Do të jem si çdoherë i përpiktë në qëndrimet e Lidhjes Demokratike.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar ka me ndje më shumë përkrahjen tuaj si Deputete?

Safet Kamberi: Meqenëse një kohë të gjatë kam qenë edhe në pozitën e Zëvendësministrit të punës dhe mirëqenies sociale dhe në pozitën e Ministrit të punës, unë besoj që ato do të jen target kryesor të punës time të cilat lidhen kryesisht me këtë Ministri.

KALLXO.com: Cka do të bëni për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Safet Kamberi: Ne do të mundohemi maksimalisht që t’i trajtojmë me ligje dhe me amendamente të ndryshme që me të vërtetë ta kemi një ambient sa më të mirë në Kosovë.

 KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Safet Kamberi: Ne jemi pro.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër përdorimit të qeseve të plastikës?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shitjes së Telekomit të Kosovës?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit?

Safet Kamberi: Do ta respektojmë qëndrimin e partisë.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së tarifës me Serbinë?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ndërtimit të Hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Safet Kamberi: Aty ku nuk ndotet ambienti jemi për.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër mbylljes së Universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Safet Kamberi: Ne do ta rrisim kujdesin Institucional në raport me këto Universitete, ne jemi kundër mbylljes.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër monopolit në homologim?

Safet Kamberi: Jemi kundër monopolit.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër martesave të gjinisë së njëjtë?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër bartjes së shamive në shkolla?

Safet Kamberi: Gjithçka çka lejohet me ligj për mua dhe grupin parlamentar të LDK do të jetë e pranueshme.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër kuotës së Deputetëve nga diaspora?

Safet Kamberi: Kundër

KALLXO.com: A jeni për apo kundër ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Safet Kamberi: Jemi pro ri-dizajnimit të skemës.

KALLXO.com: A jeni për apo kundër heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Safet Kamberi: Ne duhet ta largojmë kartonin e gjelbër.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Safet Kamberi: Fushatën e Lidhjes Demokratike e financon Lidhja Demokratike. Fushata ime personale është në kuadër të fushatës së Lidhjes Demokratike.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur keni me qenë Deputete apo Ministre?

Safet Kamberi: Për momentin jam kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe do ta mbaj pozitën e Deputetit të Kosovës.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Safet Kamberi: Të hyrat e mija mujore janë afër 650 Euro dhe ndoshta edhe pasuritë janë, përveç ato që janë të trashëguara nga familja kam edhe një banesë e cila është në emrin tim.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me bashkëshorten?

Safet Kamberi: Po.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru në spital privat apo publik?

Safet Kamberi: Gjithherë në ato publike.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni Deputete, nëse sëmureni?

Safet Kamberi: Në spitalet publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj, a janë në shkolla publike apo private?

Safet Kamberi: Publike

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të pa punë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që keni me marrë mandatin?

Safet Kamberi: Unë përveç bashkëshortes jemi familje e ngushtë edhe ashtu dy vajza të vogla i kemi, do të shikoj mundësitë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet në qeverisje shtetërore?

Safet Kamberi: Ne do ta mbështesim gjithherë me mbështetjen e Institucioneve të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Safet Kamberi: Me interesin e qytetarit.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti apo puna me të cilën ju keni me lënë gjurmë si Deputete?

Safet Kamberi: Puna ime kryesore do të jetë në rastet siç thash edhe më herët në gjitha ato fusha që lidhen me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Me rastet sociale, skemat penzionale dhe të gjitha këto do të jenë temat kryesore të cilat unë do ta bëj aktivitetin tim në kuadër të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Safet Kamberi: Besoj që do të jetë numër i madh i tyre. Nuk mund të them me numër të sakt.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti apo mandati?

Safet Kamberi: Takimet e mia me qytetarë pothuajse janë të përditshme dhe do të vazhdoj me të njëjtin trend.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Safet Kamberi: Të gjitha ato duhet të trajtohen me ligj.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i inicu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Safet Kamberi: Unë besoj sa ka mundësi por varësisht prej nevojave ne do të iniciojmë këto dëgjime.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Safet Kamberi: Gjithsesi

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse Kryeministri ka aktakuzë?

Safet Kamberi: Besoj do ta respektojmë qëndrimin e qeverisë.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Safet Kamberi: Edhe kjo do të jetë në harmoni me grupin parlamentar dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike.

KALLXO.com: Sa Zëvendësministra duhet t’i ketë një Ministri?

Safet Kamberi: Në raste specifike mund të jetë i dyti, përndryshe një mjafton.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëz që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Safet Kamberi: Ne do ta respektojmë ligjin, i cili e cakton shumë drejt çështjen e emërimit të anëtarëve të bordeve.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Safet Kamberi: Gjithsesi, Lidhja Demokratike është shumë transparente në raport me shpenzimet e fondeve të saj, edhe ashtu janë fonde të cilat ndahen nga Kuvendi i Kosovës.

KALLXO.com: A keni me i hapë dokumentet dhe faturat në Kuvend apo Ministri?

Safet Kamberi: Do të jen gjithçka transparente mbi shpenzimet e buxhetit të Republikës së Kosovës, qoftë ai i Kuvendit të Kosovës qoftë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.