Dezinformatat e prodhuara në Serbi publikohen pa asnjë filtër në Kosovë

Shkruar nga Agron Canolli

Që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, janë shtuar deklaratat dhe informacionet e rreme që janë shpërnda nga Serbia në raport me Kosovën. Deklaratat e liderëve të Serbisë dhe informacionet e rreme fillimisht janë publikuar në mediat në Serbi e më pas janë ri-publikuar në mediat në gjuhën shqipe.

Këto informacione të rreme dhe deklarata të pabazuara të publikuara nëpër media në gjuhën serbe dhe shqipe kanë ndikuar që të rritet paniku dhe pasiguria tek qytetarët që jetojnë në Kosovë, në veçanti serbet që jetojnë në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Dezinformata e prodhuara në mediat e Serbisë dhe nga deklaratat e zyrtarëve serb u ripublikuar në mediat në gjuhën shqipe pa një redaktim apo verifikim shtesë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një emision në televizionin në “Pink TV” në Serbi, tha se Kosova po armatoset nga Britania e Madhe, Amerika dhe Turqia, duke i konsideruar këto veprime të jashtëligjshme, teksa i referohej rezolutës 1244.

“Jo vetëm britanikët po i armatosin, por edhe amerikanët, turqit po trajnojnë pilotë për aeroplanë një ditë. Britania e Madhe po shkel Rezolutën 1244 duke armatos Prishtinën me raketa të rrezikshme anti-tank”, thoshte Vuçiq në këtë emision.

Kjo deklaratë e Vuçiqit u përhapë në mediat në Serbi, si “Kurir”, “Novosti”, “B92”, por është shpërndarë edhe nga portali “Kosova Online me qendër në Kosovë. Deklarata e njëtë është përkthyer edhe nga disa media në Kosovë siç ishte “Paparaci”, “Almakos”, “Bota Sot”, dhe “ABC News” media e Shqipërisë. Këto lajme janë shpërnda vetëm bazuar në deklaratat e Vuciqit, pa marrë konfirmime nga institucionet e Kosovës nëse pretendime të tilla janë të vërteta.

KALLXO.com kishte kërkuar përgjigje nga zyrtarët e NATO-së dhe të Ambasadës Amerikane, por të dy institucionet kishin thënë se misioni i KFOR-i nuk do të ndryshohet, por as dinamika e zhvillimit të FSK-së.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjatë dhe të përllogaritur. Kosova mund ta demonstrojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë e anëtarësimit në NATO duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit dhe duke mos devijuar prej tij”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

Dezinformatat e Serbisë e ndjekur me mediat serbe dhe ato kosovare vazhdonte edhe më tej nga Ministria e Brendshme e këtij shteti. Në njoftim dërguar medieve, kjo ministri akuzonte Britaninë e Madhe se po armatos Kosovën, duke e quajtur “terroriste”, pa ndonjë argument. Pretendimet e tilla ishin publikuar edhe nga media të rajonit në gjuhën shqipe, siç është “Alsat Meqedonia”, “Top Channel” dhe “KDpolitik.com. Pra, edhe mediat në gjuhën shqipe të Maqedonisë dhe Shqipërisë kanë publikuar lajmin e shpërndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, pa e bërë asnjë verifikim nëse një deklarim i tillë qëndron si dhe pa marrë përgjigje nga institucionet e Kosovës.

Kishte edhe deklarata të tjera të zyrtarëve serb, që deklaronin se armatosja e FSK-së po bëhet me qëllim të sulmit në katër komunat me shumicë serbe.

Në të njëjtin kanal televiziv ku kishte deklaruar presidenti i Serbisë për armatosjen e Kosovës, kryetari i Komisionit për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Milan Drecun shkoi më tej, duke aluduar se Kosova po armatoset me qëllim që të pushtoj një pjesë të veriut.

Ndërsa, Vlade Raduloviq,i sh-komandant në Ushtrinë e Serbisë, në një hapësirë mediale nga agjencia e lajmeve, “Tanjug” thoshte se Kosova nuk po armatosët për Shqipërinë, por për ta sulmuar Serbinë. I njëjti lajm është publikuar edhe në mediat në gjuhën shqipe, si Paparaci dhe Sinjali.

Kosova nuk është armatosur nga Britania e Madhe, ShBA-ja, Gjermania dhe as Turqia. Në realitet Serbia është pasuruar me armatim nga Kina.

Të gjitha këto lajme janë ripublikuar në mediat në gjuhën shqipe, por pa marrë reagime nga pala kosovare për pretendime të tilla. Informacionet e rreme serbe lidhen me një fluturim të KFOR-it në Aeroportin e Prishtinës, i cili nuk kishte të bënte me furnizim të veçantë me armatim për shkak të luftimeve në Ukrainë.

Ky fluturim kishte ndodhur për një operacion për forcat britanike që gjendën në Kosovë. Këto pretendime serbe u demantuan edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, pikërisht për shkak të informacioneve të rreme të publikuara. Këto informacione u demantuan edhe nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bekim Jashari.

Informacione të pavërteta ishin publikuar edhe mediume të tjera online në gjuhen shqipe, ‘albasky’ kishte publikuar artikullin me titullin: “Miliona euro investime në Ushtrinë e Kosovës” si dhe artikullin tjetër me titullin “Amerika e konfirmon: Do ta armatosim fuqishëm Kosovën”, ku asnjëri artikull nuk është i vërtetë dhe se deklaratat e kaluara janë nxjerrë nga konteksti për të ardhur në këtë përfundim.

Lajmet e rreme për dëbimin e serbëve

Aksionet e Policisë së Kosovës ishin interpretuar si tentim për dëbuar serbët nga Kosova. Policia e Kosovës fillimisht më 24 shkurt kishte mbyllur disa rrugë ilegale që shfrytëzoheshin për kontrabandë, ndërsa më 20 prill kishte shkatërruar një laborator ku kultivoheshin substanca narkotike, në Izvor të Zveçanit. Aty ishin gjetur 11 mijë fije marihuanë, por që paraprakisht kishte pasur të shtëna me armë zjarri. Ky aksion i Prillit ishte zhvilluar edhe në lokacione të tjera në Kosovë nga Policia dhe Dogana.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në televizionin “Pink TV” e më pas edhe në mediat e tjera serbe, pa argumente kishte pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po tenton t’i dëboj serbët nga Kosova.

Tri mediume kosovare, kanë shpërndarë të njëjtat akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, për dëbim të serbëve: gazetametro.net, gazetademos.com dhe shqip.com. Këto media kishin publikuar deklaratën e kryeministres së Serbisë pa i dhanë kontekst dhe pa treguar se aksioni i Policisë së Kosovës ishte kundër kontrabandistëve dhe jo kundër serbëve.

Për të njëjtën çështje kishte reaguar Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili aksionin e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, për ta luftuar kontrabandën, e kishte quajtur tentim për t’i frikësuar serbët.

Portali i “banglarreporter.com”, në gjuhën shqipe kishte publikuar një artikull në mars, ku sipas këtij mediumi presidenti i Serbisë, kishte paralajmëruar serbët e Kosovës se Policia do të ndërmarrë aksione dhe se qytetarët atje duhet të jenë të gatshëm. Ky artikull është dezinformatë e plotë, për shkak se Vuçiq nuk kishte folur për këtë temë dhe se deklarata të cilës i referohet mediumi ishte dhënë vite më parë për një situatë tjetër.

I njëjti portal “banglarreporter.com” kishte pretenduar se Vulin ka paralajmëruar Kosovën se nëse anëtarësohet në NATO do të veprojnë sikurse Rusia ndaj Ukrainës, pra fillimin e luftës. Mediumi në fjalë nuk ka citat as vërtetësi për një deklarim të tillë.

Dezinformatat që janë përhapur në Serbi, Kosovë dhe më gjerë ishte demantuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, e cikla kishte kërkuar që të shmangeshin spekulimet që po nxisin tensione mes dy vendeve. Kjo për faktin edhe të sulmeve të njëpasnjëshme të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës – pjesë kjo e banuar me shumicë serbe.

Nga data 25 mars publiku kosovar është dezinformuar me një tjetër informacion të pavërtetë se Serbia po dërgon trupa shtesë në kufij me Kosovën. Në artikull pretendohet se ka edhe pamje të këtyre forcave, teksa në fotografi shihej një tank në rrugë dhe tre gishta që simbolizojnë nacionalizmin serb.

Të paktën tri media në Kosovën (lajmi.net, sinjali.net dhe ballkani.info) kanë publikuar këtë artikull, duke iu referuar një mediumi spanjoll “The Political Room” të cilat kanë publikuar një video ku shihen forca të ushtrisë në rrugë, por që nuk janë të konfirmuar kohën e ngjarjes dhe as vendin.

Një numër i konsideruar i mediave në Serbi kanë publikuar një tjetër artikull me informacione të rreme, i cili krijon panik për publikun. Mediat atje duke marrë për burim raportimin e “Telegraf.rs”, kanë pretenduar se shqiptarët planifikojnë sulme në disa pjesë të Beogradit. Sipas këtij mediumi në redaksinë e saj kanë ardhur disa mesazhe që shqiptarët po kërcënojnë Serbinë.

Në realitet në argumentimin e këtij pretendimi, nuk rezulton askund të përmendën shqiptarët dhe si e tillë është dezinformatë e cila ndjellë frikë në këtë shtet, por edhe tek qytetarët e Kosovës. Në fakt alarme të rrejshme për bomba ka pasur edhe në Kosovë dhe vendet të tjera, por asnjëherë nuk është zbuluar se kush qëndron mbrapa këtyre kallëzimeve të rreme për bomba.

Publikimi i informacioneve të pakonfirmuara

Profesori i Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë se kjo vije si pasojë e mos respektimit të parimit bazë të gazetarisë – verifikimit të fakteve.

“Në qendër të këtyre keq funksioneve qëndron mos zbatimi i një standardi esencial në gazetari që është verifikimi i informacioneve para publikimit. Në rastin e Kosovës ka një numër të madh të mediave online kryesisht të cilat nuk zbatojnë parimet e verifikimit të lajmeve para publikimit”, thotë ai.

Profesori Zeneli përmend edhe çështjen financiare si arsyeje që pamundëson gazetarinë profesionale në këto media.

“Shumica e mediave në Kosovë kanë mungesa financiare dhe rrjedhimisht kanë një numër shumë të kufizuar të korrespodentëve jashtë vendit. Zakonisht përkthimi i këtyre lajmeve është pa kontekst dhe shpeshherë i pasaktë. Në këtë kuptim mjafton të kujtojmë disa raste kur Kosova është quajtur krahinë e Serbisë në disa tekste të mediave kosovare, duke u përkthyer kështu fjalëpërfjalshëm narrative e rreme serbe për Kosovën”.

Hulumtuesi, Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thekson nevojën e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të ketë një strategji të komunikimit për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e publikut.

“Dezinformimi dhe keqinformimi në kohën e luftës në Ukrainë, por edhe gjatë emergjencave të ndryshme që janë paraqit viteve të fundit, kanë shpërfaq nevojën për një plan të centralizuar të komunikimit strategjik nga institucionet e Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë një strategji të qartë dhe gjithëpërfshirëse komunikimi për çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e publikut e cila siguron ndarje konkrete dhe të qarta të roleve dhe veprimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thotë ai.

Informacione të pavërteta që krijojnë panik dhe pasiguri tek qytetarët e vendit, Kosova përballët vazhdimisht në rrethana të caktuara, të cilat për burim kanë zyrtarët e lartë serbë dhe mediat atje. Këto informacione dhe agjenda të tilla të Serbisë depërtojnë në publikun kosovarë, përderisa nga Qeveritë e Kosovës nuk janë parandaluar asnjëherë.

Qeveria e Kosovës është pyetur për planit e saj për tu përballur me dezinformatave që kanë burimin në Serbi, por deri në publik të këtij shkrimi nuk kanë kthy përgjigje rreth strategjisë së saj për tju përgjigjur dezinformatave, ndërsa Ministria e Brendshëm kanë kërku më shumë kohë për tu përgjigur.

Shpat Balaj, hulumtues i Qendrës Kosovare të Studimeve të Sigurisë, thotë informacionet e tilla kanë për qëllim përhapjen e panikës dhe synojnë të rritin pasigurinë me potencial të destabilizimit, në veçanti pas luftës së filluar në Ukrainë.

“Raportimi për luftën në Ukrainë në një rajon të prekur nga luftërat si Ballkani Perëndimor mundet me pas ndikim me impakt më të lartë, gjë që është vërejtur edhe me panikën e krijuar në Kosovë. Kjo rrit cenueshmërinë e qytetarëve dhe rrjedhimisht rritet edhe potenciali për destabilizim – që unë besoj që është qëllimi kyç i përhapjes së informacioneve të rreme që lidhen me luftën në Ukrainë”, deklaron Balaj.

Zëvendëskryetari i Komisionit për Punë dhe Siguri, Enver Dugolli, i konsideron shantazh veprimet e Serbisë, që me informacione të rrejshme të dërgon sinjale ndaj Perëndimit, për mundësit e destabilizimit të vendit.

“Serbia vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës duke mos e njohur dhe përpiqet të shfrytëzon këtë situatë në Ukrainë që si lloj shantazhi ndaj Perëndimit, përpiqet të përcjell sinjale që nëse i bëhet shumë presion, ajo mund të destabilizoj Ballkanin Perëndimor dhe më theks të veçantë Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën”, potencon Dugolli.

Për profesorin e Universitetit të Prishtinës, Alban Zenelin, informacionet e tilla serbe kanë për qëllim të kthejnë në kujtesë luftën e Serbisë në Kosovë në vitin 1999 që në këtë mënyrë të ngjallin frikë, si dhe të keq informojnë publikun kosovarë.

Keqinformimi i publikut si në Kosovë ashtu edhe në Serbi ka filluar që nga përfundimi i agresionit serb në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s, por që kjo betejë vazhdon ende, në faza të ndryshme me volum më të lartë, në veçanti për të mbjellë frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. Një gjë e tillë vazhdon të jetë mjaftë efikase për shkak të mos respektimit të kritereve bazë të gazetarisë si nga mediat serbe, ashtu edhe disa prej atyre në Kosovë.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.