Integriteti i informacionit, përgjegjësi e secilit

Shkruar nga Xhemajl Rexha

“Kosova është imune nga propaganda ruse”, thotë shpesh me shumë kënaqësi, Serhii Shevchenko, njëri nga gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë  – Kosova”.

Edhe pse e thotë në kuptimin më të mirë që reflekton apatinë e popullit shqiptar të Kosovës ndaj Rusisë dhe gjithhçkaje që vjen nga atje, asnjë vend nuk mund të jetë krejtësisht imun nga përpjekja e vazhdueshme për të influencuar nga jashtë. Dhe, lider për këtë është padyshim Rusia.

Faqja e Ambasadës ruse në Shqipëri publikoi së fundi një tabelë me ata që i quajti mercenarë nga shtete të ndryshme që gjoja po luftonin në anën e Ukrainës. Për Shqipërinë e Kosovën aty jepeshin numra tre-shifrorë të pjesëmarrësve të pretenduar, që paraqet një propagandë tipike, të pambështetur në asnjë provë.

Lajmit propagandistik i dhanë jehonë disa media serbe në Kosovë, dhe shumica e atyre shqiptare në Shqipëri. Madje, portali online Panorama u ofroi lexuesve të vet mundësinë për të lexuar direkt propagandën e ultë ruse, duke ua ofruar linkun direkt të faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse.

Në vend që të marrin si të mirëqena “lajmet” që vijnë nga  mediat e sponosorizuara nga shteti rus, ose vetë shteti rus, mediat në Kosovë e Shqipëri duhet të kundër-luftojnë narracionin, duke vërtetuar nëpërmjet organeve të sigurisë si Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që nuk ka raste të njohura të shtetasve që kanë shkuar për të luftuar atje, e aq më pak në numra treshifrorë.

Kur Komisioni Evropian vendosi ta mbyllë “Russia Today” dhe “Sputnik”, si media propaganduese të makinerisë vrastare të Putinit, Federata Evropiane e Gazetarëve vlerësoi se lajmet e rrejshme nuk luftohen me cenzurë.

Siç argumenton EFJ, duhet ofruar kundër-narrativën, vënien në pah të gabimeve faktuale si dhe përkrahjen e gazetarisë së pavarur.

Nga mediat në Kosovë nuk pritet që të jenë në gjendje të vetme të luftojnë propagandën ruse. Në rastin më të mirë duhet të kujdesen që të mos e shpërndajnë, dhe të bazohen në mediat kredibile ndërkombëtare kur raportojnë për luftimet në terren.

Përgjegjësia nga lartë -poshtë

Një studim i “Reuters Institute” gjen se audiencat e reja vazhdimisht po humbasin interesimin për lajmet, dhe kur u qasen atyre së fundi më së shpeshti e bëjnë nëpërmjet platformave sociale si TikTok. Kjo do ta bëjë më të lehtë qarkullimin e lajmeve të rrejshme me shpejtësi dhe shpërndarje të paparë deri më tani.

Gazetarët e kanë përgjegjësinë e dyfishtë. Së pari duhet të kujdesen që lajmi që e publikojnë vetë t’i përmbajë të gjitha elementet e artikullit profesional, përfshirë verifikimin e informacioneve që plasohen. Por, gazetarët e kanë edhe detyrën për të verifikuar dhe nxjerrë në pah informatat e rrejshme ose të manipuluara që politikanët, e të tjera fytyra publike japin, kryesisht në mënyrë të njëanshme dhe të pasfiduar në rrjetet sociale.

Për shumicën e gabimeve që përfshijnë edhe shpërndarjen e informacioneve të rrejshme, redaksitë kryesisht fajësojnë praktikantët, ose gazetarët në provë.

Në fakt, përgjegjësia duhet të kërkohet në hirearkinë më të lartë të deskut të lajmeve që përfshijnë redaktorët dhe kryeredaktorët.

E derisa fokusi i trajnimeve që AGK-ja ka organizuar me partnerët ndërkombëtarë ndër vite kanë qenë gazetarët e rinj dhe studentët e gazetarisë, në fakt është parë që redaktorët janë adresa më e rëndësishme për të adresuar sfidën e publikimit të lajmeve të rrejshme.

Mediat duhet të zgjerojnë transparencën duke postuar emrat e autorëve të të gjithë artikujve, dhe duke i bërë të dukshëm artikujt e sponsorizuar. Mediat, gjithashtu duhet të jenë vetëkritikë, dhe të mos e shohin si degradim nevojën për korrigjim e përmirësim.

Mjafton të ndiqen shembuj të mediave të mëdha ndërkombëtare, si për shembull “Huffington Post” që vazhdimisht përditëson artikujt për të reflektuar përmirësimin e gabimeve të formave të ndryshme.

Edukimi medial

Të rinj 16-17 vjeç të një gjimnazi në Prishtinë kanë pasur dhjetëra pyetje për punën e gazetarëve dhe vërtetësinë e informacioneve që ata i pranojnë.

Edukimi medial në gjimnazin më të madh në Prishtinë “Sami Frashëri” është lëndë zgjedhore, por klasa ku po bashkëbisedonim u mbushë e tëra.

Në pak shkolla si kjo nxënësit kanë mundësi të mësojnë për mediat, funksionin e saj dhe rolin krucial në demokraci.

AGK-ja angazhohet që edukimi medial të nisë sa më herët, dhe të jetë obligativ. Për këtë, duhet një përpjekje e madhe e institucioneve të Kosovës me palët e interesuara për të qenë në gjendje që të nxjerrin mësues ekspertë për t’u angazhuar me nxënës për këtë temë.

Të rinjtë mund të jenë aleati qendror për të denoncuar lajmet e rrejshme, dhe këtë më së miri në rrjetet sociale që për ata janë burimi kryesor i informacionit.

Synimi duhet mbetur që edukimi të jetë gjithëpërfshirës, dhe përtej Prishtinës në mënyrë që në luftën e përhershme dhe vështirë të fitueshme me lajmet e rrejshme, të kujdesemi që së paku të minimizojmë dëmin.

Autori është kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe drejtor i informacionit në Televizonin Kanal10