Ilustrim

Dezinformimi në kohë lufte, një arsye më shumë për edukimin medial obligativ në shkolla

Shkruar nga Alban Zeneli

Invazioni i Rusisë në Ukrainë, paraqet një kombinim të ndërhyrjes ushtarake, interferimit me dezinformata dhe tendencë për të krijuar disa narrativa të rreme në arsyetim të ndërhyrjes ushtarake ruse.

Kjo teknikë e kombinimit të sulmit ushtarak me dezinfomin na sjellë edhe një herë në vëmendje nevojën që qytetarët e secilit vend duhet të kenë shkathtësi të domosdoshme të dallimit të fakteve, opionioneve e narrativave të falsifikuara.

Për t’i arritur këto shkathtësi, shkollimi publik duhet ta bëjë obligative lëndën e edukimit për median, ndërsa, pjesa tjetër duhet të sensibilizohet për këto problematika. Po çfarë realisht është bërë Kosovë në këtë drejtim?

Çfarë bënë MASHTI?

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që nga viti 2016 kur e ka miratuar kurrikulën bërthamë për herë të fundit nuk e ka trajtuar më çështjen e Edukimit Medial për fëmijët që vijojnë sistemin publik të shkollimit.

Futja e kësaj teme si temë ndërkurrikulare në sistemin e arsimit publik ishte një hap i rëndësishëm edhe pse i vonuar për kohën. Megjithatë, tash e gjashtë vite nuk ka ndonjë lëvizje, e cila do ta ndryshonte statusin e kësaj lënde duke parë domosdoshmërinë e kohës.

Nga e gjithë përmbajtja e kurrikulës bërthamë, vetëm një paragraf në formë përkufizimi i dedikohet Edukimit për Media, që esencialisht nuk i ndihmon as mësimdhënësve në përzgjedhjen e temave që dëshirojnë t’i aplikojnë me nxënësit e tyre.

“I referohet përdorimit të medieve për sigurimin e informacioneve të reja dhe të drejta, krijimin dhe përdorimin e informatave, komunikimin përmes medieve tradicionale dhe digjitale, kritikën ndaj medieve, gjuhën e medieve dhe ndikimin e saj në shoqëri, pritjet e qytetarëve nga mediet dhe përdorimit të drejtë dhe të sigurt të tyre etj. Çështja e edukimit për media përfshinë përmbajtjet lidhur me mediet tradicionale dhe digjitale, televizionin, radion, filmin, gazetat, revistat, internetin, fotografitë, reklamat dhe lojërat elektronike, etikën në media, etj.”, këto fjali në kurrikulën bërthamë janë të vetmet që përshkruajnë Edukimin për Media, që në fakt janë të pamjaftueshme për të ndërtuar ndonjë koncept për problemet e reja në këtë fushë.

Duke pasur parasyshë që problemet me përdorim të rrjeteve sociale, që në rastin e Kosovës kanë evoluuar kryesisht pasi që është shkruar ky dokument, problemet me dezinformimin, propagandën dhe keqfunksione tjera të cilat janë shfaqur së fundmi në media, ky dokument tashmë është i mangët në trajtimin e problemeve të mediave, sidomos pjesën e “edukimit për lajmet”.

Po ashtu, në ndërkohë që përmbajtja për media në kuadër të lëndës së Edukatës Qytetare është tejkaluar dhe nuk u ndihmon fëmijëve të arrijnë shkathtësi të gjykimit për përmbajtjet mediale.

Çfarë bëjnë faktorët tjerë shoqëror?

Duket se në rastin e Kosovës, akterët që nuk i përkasin direkt linjave shtetërore janë shumë më përpara në trajtimin e problemeve që lidhen me keqfunksionet e medias.

Në këtë kuptim, organizata të shoqërisë civile, sindikata, media e studiues së fushës kanë trajtuar këtë problematikë shumë më herët sesa vet Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Shembull, profesorë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, përveç avokimit me vite për këtë çështje, së bashku me organizatën INDEP kanë përshtatur një pjesë të kurrikulës për Edukim Medial dhe Informacion të UNESCO-së për rrethanat e Kosovës.

Pra, një pjesë e rëndësishme e dokumentit bazë për këtë lëndë tashmë ekziston edhe në gjuhën shqipe, e përdorshme për mësimdhënësit. Në anën tjetër, përmes një trajnimi të licencuar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka punuar në ngritjen e kapacitetit të mësimdhënësve në këtë fushë.

Sipas të dhënave të SBASHK-ut, afër tremijë mësimdhënës që veçse shërbejnë në sistemin publik të shkollimit kanë përfunduar një modul bazik të Edukimit për Media. Në këtë kuptim, një numër rreth 10 për qind e mësimëdhënësve kanë fituar shkathtësitë bazike të Edukimit për Media përmes këtij trajnimi dhe do të mund të zbatonin lëndën në shkollat e tyre.

Si pjesë e edukimit jo-fromal për të rinjtë e Kosovës, një numër i madh i organizatave joqeveritare në Kosovë kanë trajnuar të rinjtë për shkathtësitë bazike e të nevojshme për përballjen me botën digjitale, që në rastin e Kosovës duket të jetë shumë e përhapur.

Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë internetin e përdorin 93.2 për qind e ekonomive familjare, ndërkohë që një raporti të STIKK-u, nxjerrë në pah që afër 27 për qind e përdoruesve janë nga mosha 10-19 vjeç.

Ky përdorim aq i madh i internetit sigurisht që i vë edhe para mundësisë së madhe të konsumimit të dezinformatave, propagandës dhe formave tjera të keqfunksioneve mediale.

Në këtë drejtim, studiuesit e kësaj problematike në Kosovë, vërejnë që mungesa e aftësisë te shoqëria jonë për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale e bënë atë të çarmatosur përballë dezinformatave.

A është fakt apo opinon? Kush do të duhej ta dinte?

Në një studim të Andreas Schleicher, që i bënë një analizë rezultateve të testit ndërkombëtar PISA, thotë që te rezultatet e këtij testi, tregojnë që shkolla e sotme në shumicën e vendeve nuk i përgatitë të rinjtë për sfidat me dezinformatat dhe keqfunksionet tjera të medias.

Raporti i Schleicher, që trajton rezultatet e fundit të publikuara nga ky test (2018) ku Kosova ka zënë vendin e tretë nga fundi i listës, thotë që më pak se 1 në 10 nxënës të moshës 15 vjeçare kanë aftësi të dallojnë faktin nga opinioni në një tekst me udhëzimet përkatëse.

“Krahasoni këtë me gjetjet nga ky raund i fundit i PISA-s, të cilat tregojnë se më pak se 1 në 10 studentë në vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ishte në gjendje të dallonte faktin dhe opinionin, bazuar në sugjerime të nënkuptuara që i përkasin përmbajtjes ose burimit të informacionit. Arsimi ka fituar garën me teknologjinë gjatë historisë, por nuk ka asnjë garanci se do ta bëjë këtë në të ardhmen”, thuhet në raportin e Schleicher, që e bënë të qartë që këtë dallim është dashur ta dinë shumica e nxënësve në këtë moshë.

Sigurisht, kjo është një shkathtësi që duhet mësuar edhe në Edukim Medial, duke pasur parasysh që dezinformatat kanë predispozita të kenë më shumë opinione sesa fakte të verifikuara. Sipas Schleicher, kjo problematikë nuk është e re, por sasia dhe shpërndarja e infomacioneve në ekosistemin digjital është një gjendje perfekte për shpërndarjen e lajmeve të rreme, duke e ndikuar opinionin publik dhe zgjedhjet politike që bëjnë njerëzit.

Ky konstatim nga gjetjet e PISA-s, bëhet shumë më aktual në rastin e Kosovës, duke ditur se shkathtësitë e nxënësve tanë në këtë fushë në bazë të rangimit janë nën mesataren e përmendur në këtë raport.

Po ashtu, tashmë kur me nisjen e invazionit rus në Ukrainë në fund të muajit të kaluar është rritur edhe numri i përmbajtjeve dezinformuese të shpërndara nëpër rrjete sociale e media pa adresë.

Nga ky numër në rritje në këtë kohë të luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës nuk ka shpëtuar as tregu medial në Kosovë, ndërsa një numër i madh i tyre është denoncuar nga platformat kallxo.com dhe hibrid.info që janë anëtare në Rrjetin Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve(IFCN). Kosova renditet nga fundi i listës së testit PISA, rezultatet e të cilit thonë se vetëm 1 në 10 fëmijë (15 vjeçar) në gjithë botën arrijnë ta dallojnë opionin nga fakti brenda një teksti. Duke pasur parasysh këto fakte, shkathtësitë e publikut kosovar për të gjykuar në mënyrë kritike vihen në pikëpyetje të madhe.

Në këtë kohë të shpërthimit të dezinformimit dhe propagandës së luftës, futja e lëndës Edukimi Medial si lëndë obligative në shkollë është një domosdoshmëri e prioritetit të lartë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.