Ilustrim

Bizneset nuk kanë lehtësira tatimore nëse sponsorojnë OJQ-të që avokojnë për të drejtat e grave

Rreth 200 organizata joqeveritare të cila avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë ballafaqohen me mungesë të fondeve. Mungesa e përkrahjes financiare për këto organizata është një sfidë për ta përmbushur misionin e tyre.

Aktualisht përveç donatorëve, apo ndonjë granti që u ndahet nga institucionet, si Komuna apo ndonjë dikaster qeveritar, këto organizata nuk kanë përkrahje tjetër.

Disa prej tyre arrijnë të realizojnë të hyra në disa raste nga puna e grave dhe vajzave që bëhet në kuadër të këtyre organizatave.

Ligji për sponsorizim nuk e ka përcaktuar asnjë lehtësirë tatimore për komunitetin e biznesit nëse ndajnë mjete për këto OJQ që merren me të drejtat e grave dhe vajzave.

Ky ligj rregullon vetëm çështjen e sponsorizimit në fushën e sportit dhe kulturës, por jo edhe të sponsorizimit të organizatave të cilat merren me të drejtat e grave dhe vajzave.

Disa prej organizatave joqeveritare janë edhe strehimore për viktimat e dhunës në familje. Të njëjtat shpesh ballafaqohen me mungesë të fondeve dhe të hapësirave ku veprojnë dhe i strehojnë viktimat e dhunës në familje, apo viktimat e dhunës mbi baza gjinore.

Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë se 2278 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje gjatë vitit 2022, nga gjithsej 2757 raste sa ishin raportuar vitin që e lam pas.

Ibadete Maloku nga Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan, tregon se tani e tetë vite nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetje nga bizneset.

Maloku thotë se rehabilitimi i një viktime nga dhuna në familje, të cilat në shumicën e rasteve janë bashkë me fëmijët e tyre, shpesh ka kosto të papërballueshme për organizatën që e drejton.

Ajo thotë se një propozim i tyre ka qenë që Komuna e Gjilanit në këtë rast, të bëjë lehtësira për bizneset që ndërtojnë objekte banesore dhe që një banesë t`i dedikohet organizatës në të cilën një viktimë mund të strehohet aty deri sa të bëjë zgjidhje.

“Për një grua e cila del nga shtëpia, vjen te ne trajtohet, rehabilitohet, i merr të gjitha shërbimet, aftësohet, kemi stafin e certifikuar. Mandej dalin probleme me qira me banesë, sa kushton një banesë. Por përveç këtij opsioni, ndihmë nga bizneset do të ishte edhe në sponsorimin e ndonjë produkti ushqimor, etj”.

“Por, mos të fokusohemi vetëm tek banesa por edhe për ndonjë artikuj ushqimor, sepse kemi fabrika të mëdha në Kosovë, qoftë të qumështit ose edhe të tjera të cilat kishin mund me na ndihmu e normalisht edhe ata me përfitu prej shtetit lehtësira nē aspektin tatimor nga shteti”- shtoi ajo.

Në qytetin e Vushtrrisë veprojnë një grup prej shtatë grave në shoqatën “Vullneti i Grave” që merren me përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Këto gra aktivitetin e tyre e realizojnë në një punëtori në shtëpinë e zonjës Lirije Haziri në fshatin Studime në Vushtrri, e cila është edhe iniciatore e kësaj organizate që nga viti 2012.

“Punojmë shtatë gra, ndodhë që kur është sezona e ajvarit, pestilit, turshive, njëra i mbjell domatet, tjetra trangujt, njëra ka pemë, por kështu punojmë mandej varësisht sezonit” – thotë ajo.

Haziri tregon se nuk kanë gjetur përkrahje asnjëherë nga bizneset ose në këtë rast as nga marketet në mënyrë që t’i shesin produktet e tyre. Ajo tregon që produktet e tyre i shesin vetëm në panaire të cilat mbahen në disa qytete.

“Përkrahja nga ndonjë biznes, në këtë rast ndonjë supermarketi normalisht kish qenë shumë e nevojshme, sepse nga mbështetja e ndonjë biznesi rriten kapacitetet tona, zgjerohemi. Deri më tash nuk kemi pasë. Kemi kërku në fakt prej marketeve që me na promovu produktet tona, por kërkohet me u vendos barkodi dhe kjo kushton shumë shtrenjtë. Ne i kemi diku 7-8 produkte dhe gjithsecilit me ju vendos barkodi kushton shumë, kjo ta vështirëson me dal në treg se s’ki përkrahje kërkah”- rrëfen ajo.

Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të drejtave të grave në Drenas tregon për sfidat me të cilat ballafaqohet si drejtuese e kësaj qendre.

Ajo rrëfen se te komuniteti i biznesit nuk kanë gjetur përkrahje gjë e cila sipas saj do e ndihmonte në zhvillimin e veprimtarisë së Qendrës të cilën e drejton.

“Bizneset nuk janë të interesuara me bashkëpunu me organizata që janë një kategori mjaftë e ndjeshme, kemi qenë edhe të nënçmuara. Nuk kam gjetë asnjë mirëkuptim me bizneset ose me na dhanë ndonjë mundësi sepse kjo do të ishte e leverdishme edhe për neve normalisht që me i ngritë kapacitetet. Në Drenas nuk kam gjetur aq mbështetje dhe e kam lënë”- thotë ajo.

 

Komuniteti i biznesit  – Baza ligjore e paqartë

Në anën tjetër, drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna në prononcimin për KALLXO.com thotë se baza ligjore nuk është e qartë, dhe sipas tij, kësisoji bizneset nuk janë të sigurta që të sponsorojnë në këtë kategori të organizatave joqeveritare.

Rafuna ka deklaruar se te ligji për sponsorizime, ka hapësirë për ndryshim në fokus kjo që organizatat joqeveritare që avokojnë për të drejtat e grave dhe vajzave, të rregullohet.

“Bizneset nuk kane interes për arsye të bazës ligjore e cila mungon dhe nuk është e qartë, andaj bizneset i ikin problemeve me ATK që mos bëjnë ndonjë shkelje, nuk marrin hap për implementim për më shumë sipas mendimit tonë baza ligjore mungon. Te ligji për sponzorizime pa dyshim që ka hapësirë për ndryshime në kuptim pozitivë dhe mundet me u rregullu edhe kjo çështje të cilën ju e keni ngritur”- thotë Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e cila numëron rreth 700 biznese anëtare, thonë se bizneset nuk janë mjaftueshëm të informuara rreth mundësive për të bashkëpunuar me organizatat joqeveritarë që avokojnë në fushën e të drejtave të grave. 

Fjolla Smaili – Azemi nga kjo organizatë e komunitetit të biznesit thotë se bizneset kanë sponsoruar aktivitete të organizatave, por shton se ende nuk është përkrahje në nivelin e nevojave që kanë organizatat që merren me të drejtat e grave dhe vajzave.

Ajo thotë se organizatat duhet te jetë më afër bizneseve dhe që të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre.

“Do kishte me pas përkrahje nëse kishin më qenë të informuar, jemi të hapur me ua lehtësu punën dhe të kenë mundësi me shpalos idetë projekte që ishin dashtë më u sponsorizu. Jemi të gatshëm me bo sesione – takime që m`u informu të dy palët, se është benefit i dy anshëm”- u shpreh ajo.

 “Andaj ne konsiderojmë që një nga hapat kryesor që duhet organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave është rritja  e aktivitetit në aspektin informues, dhe kërkimi i përkrahjes nga ana e tyre, dhe sigurisht që kjo do të ndikonte në rritjen e përkrahjes në mjete financiare ose sponsorizim nga bizneset”- ka thënë Smaili – Azemi.

 Lidhur me Ligjin për sponsorizime i cili nuk ofron asnjë lehtësirë për komunitetin e biznesit nëse duan të sponsorizojnë aktivitetet e OJQ-ve që avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave, Institucinoni i Avokatit të Popullit nuk e ka trajtuar asnjëherë këtë.

Në një përgjigje nga zyra e mediave të Institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se në praktikën e këtij institucioni është që rastet t`i trajtojnë kryesisht në bazë të ankesave të palëve.

“Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pranuar ndonjë ankesë të kësaj natyre dhe deri më sot nuk është trajtuar si çështje kjo. IAP nuk e ka trajtuar as ligjin në tërësi”- thuhet shkurt në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit dhënë për KALLXO.com.

 

Çfarë rregullon baza ligjore?

Në Kosovë ekziston një ligj përmes të cilit është e rregulluar që bizneset sponsorojnë në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë që nga viti 2017.

Ky ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorimit dhe reklamave.

Ligji thotë se përmes sponsorizimit të aktiviteteve të ndryshme në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit “realizohet interesi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës”.

Sipas këtij Ligji, bizneset që hyjnë sponsor reklamojnë biznesin e tyre, e cila në këtë rast përfshinë promovimin e logos në fanela, në objekte sportive, kulturore, rinore, në radiotelevizione, gazeta, revista, portale, afishe, tiketa, billborde dhe ueb-faqe.

Por, në bazë të Ligjit mbi Sponsorimet, benefitet janë të ndërsjella.

Në rastet kur një biznes është sponsor në aktivitetet e sportit, u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim, ndërsa për sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja 20 për qind.

Lehtësirat tatimore për sponsorizuesit janë të rregulluara në Ligjin për Tatimin ne të Ardhurat e Korporatave.

Ndryshe nga ligji mbi sponsorizimet, në Ligjin mbi Tatimin në të ardhurat e korporatave është e cekur se u njihen lehtësira në tatim për kontribuesit në aktivitetet “të interesit publik”.

As në këtë ligj nuk thuhet qartë se në mesin e organizatave joqeveritare hyjnë edhe ato për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës për KALLXO.com kanë deklaruar se nëse një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të grave është e regjistruar si Organizatë Joqeveritare (OJQ ) me status të përfitimit publik, apo me interes publik, mund të jetë përfituese nga donacionet  e tilla nëse ofrojnë tatimpaguesit.

“Bazuar në dispozitat e sipër shënuara dhe sqarimeve të dhëna në kërkesën tuaj, ju informojmë se Ligji me Nr. 05/L-106  për Tatimin në të Ardhura të Korporatave (TAK),  përcakton që një tatimpagues i cili tatohet në të ardhura reale, ka të drejtë të jep donacion, në shumën prej 10% të të ardhurave të tatueshme para tatimit për një organizatë e cila kryen aktivitete me interes publik” – thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas nënkryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, njëkohësisht deputetes Albana Bytyqi, e udhës do të ishte plotësim-ndryshimi i Ligjit mbi Sponsorizimet, ku sipas saj, vërtet do të ndjehej efekti në shoqëri e specifikisht te gratë në nevojë.

Ajo thotë se në këtë ligj ka mungesë të hapësirave ligjore që do të lejonte donacionet dhe ndihmat materiale për OJQ-të që kanë avokim veçmas në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe vajzave.

Bytyqi ka shtuar se përkrahja për OJQ-të që merren me të drejtat e grave nē Kosovë është e domosdoshme duke ditur problemet dhe nevojat mbi mbrojtjen e të drejtave të Grave në vendin tonë.

“Ligji mbi Sponsorizimet, mes shumë të mirave ka edhe mangësi, një nga këto është edhe mungesa e hapësirave ligjore që do të lejonte donacionet dhe ndihmat materiale për organizatat e mbrojtjes së të drejtave të grave”- ka thënë ajo.

KALLXO.com ka kërkuar sqarim nga Ministria e Kulturës dhe Rinisë nëse ligjin të trashëguar kanë në plan që ta ndryshojnë në dobi të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mirëpo nga ky institucion në përgjigjen e tyre kanë përcjellë vetëm linkun me detajet rreth sponsozimit

“Në legjislacionin në fuqi përcaktohet saktë se kush mundet me sponsorizuar dhe kush mund të jetë përfitues i këtij sponsorizimi. Edhe përfitimet e bizneseve nga sponosorizimi janë të përcaktuara sipas këtij legjislacioni me përqindje të caktuar të lirimit nga tatimi” – thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Aktualisht nga kjo ministri nuk kanë treguar nëse pritet që në një të ardhme të afërt të amandamentohet ligji për sponsorizime, ligj ky që aktualisht e rregullon vetëm fushën e sponsorimit në fushën e sportit dhe kulturës.

 

Si është e rregulluar në vendet e rajonit çështja e sponsorizimit?

Kosova ka përfshirë në legjislacionin e saj një qasje të ngjashme në fushën e sponsorizimit sikurse disa prej vendeve të rajonit.

Në vitin 2019 në Shqipëri është përmirësuar ose ndryshuar edhe Ligji për Sponsorizimet, i cili ekziston në Shqipëri që nga viti 1994.

Ky ligj rregullon mbështetjen financiare dhe materiale të veprimtarive shoqërore dhe publike, si vepra humanitare, kulturore e estetike, sportive, arsimore, edukative, mjedisore dhe letrare, si dhe veprimtaritë shkencore e enciklopedike. Sponsorizimi me qëllim të përfitimit të sponsorit është i paligjshëm.

Sponsor sipas kësaj rregulloreje përcaktohen vetëm ato subjekte me cilësi të tregtarit, qofshin persona fizikë apo juridikë, vendas apo ndërkombëtarë apo sipërmarrje të përbashkëta.

Në ligjin në Shqipëri, subjektet buxhetore (p.sh. organet shtetërore) dhe organet e financuara nga buxheti nuk kanë të drejtë të bëhen sponsorë. Subjektet buxhetore ose që përfitojnë financime buxhetore, nuk mund të jenë sponsorizues.

Ndërkaq në Maqedoninë Veriore, në prill 2006, Parlamenti miratoi një ligj që rregullon donacionet dhe sponsorizimin në aktivitetet publike.

Ligji u propozua nga një konsorcium i drejtuesve të biznesit, ligjvënësve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ligji përcakton donacionet dhe sponsorizimet, përshkruan qëllimet për të cilat ato mund të jepen dhe identifikon subjektet që janë të kualifikuar për të dhënë dhe marrë dhurata/sponsorizime sipas ligjit.

Individët dhe organizatat mund të përfitojnë gjithashtu nga lehtësimet tatimore për donacionet dhe sponsorizimet e bëra për të mirën publike.

Vetëm kompanitë kishin të drejtë të bënin donacione me taksa të zbritshme për institucionet publike dhe Kryqin e Kuq përpara miratimit të këtij ligji.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.