Senati i Universitetit të Prishtinës në kohën e përplasjeve mes senatorëve dhe ish-rektorit Ramadan Zejnullahu | Foto: KALLXO.com

UP Rriti Numrin e Publikimeve Shkencore

Universiteti i Prishtinës e ka shtuar kualitetin e tij akademik duke regjistruar një numër në rritje të publikimeve akademike në vitin 2015, dhe po ecën me hapa të njëjtë edhe në muajt e parë të vitit 2016.

Një raport i Scopus (platformës më të madhe të publikimeve të recenzuara) tregon se numri i publikimeve është rritur prej 104 sa ishte në vitin 2014, në 142 në vitin 2015, pra për 36,5%. Për vitin 2016 në 4 mujorin e parë janë 53 publikime që është tregues se po ruhet niveli me një rritje të lehtë edhe për këtë vit.

Kësaj rritje i parapriu një vit i vështirë i fillimit të reformave gjatë mandatit të ish-rektorit Ramadan Zejnullahu, të cilat u fokusuan në zbatimin e rregullave rreth avancimit të stafit akademik.

Duke ditur se avancimet janë të lidhura ngushtë me punimet shkencore të publikuara, del se rezultati pozitiv i vitit 2015 është rrjedhojë e vendimeve të vitit paraprak.

Rritja e publikimeve shkencore të UP-së në vitin 2015 vërehet edhe nga ky raport i Scopus | Foto: Scopus
Rritja e publikimeve shkencore të UP-së në vitin 2015 vërehet edhe nga ky raport i Scopus | Foto: Scopus

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë eksperti i arsimit dhe njëkohësisht rektori i kolegjit universitar AAB, profesor Xhavit Rexhaj.

“Konsideroj se ky trend pozitiv është inercion i lëvizjes që e pat bërë rektorati i kaluar i udhëhequr nga profesori Zejnullahu”, tha Rexhaj.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC) dhe profesori universitar Dukagjin Pupovci është i të njëjtit mendim.

“Në këtë rritje kanë mundur të ndikojnë edhe ngjarjet nga fillimi i vitit 2014 që kanë nxjerrë në pah avancimet me publikime në revista të dyshimta, kështu që njerëzit kanë pasur kujdes së çfarë dhe ku po publikojnë”, tha Pupovci.

Në vitin 2014, po ashtu, pati protesta të studentëve dhe shoqërisë civile pas publikimit të lajmit se rektori i atëhershëm Ibrahim Gashi kishte publikuar në një revistë të gënjeshtërt, të cilat rezultuan me dorëheqjen e rektorit Gashi nga kjo pozitë.

Gashi Dorëhiqet nga Posti i Rektorit

Megjithatë ekziston mundësia që ky trend të bjerë në rast se hiqet dorë nga kriteret që janë imponuar gjatë mandatit të kaluar.

“Nëse kuptojmë se cikli i botimit të një artikulli të mirëfilltë është rreth një vit, atëherë besoj se ky trend do të kthehet prapa në rrjedhat ‘normale’ joshkencore kosovare pas një viti”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se numri i punimeve aktuale mund të kthehet në atë të para 2015 këtë vit, “kur të kenë kaluar nëpër sistem punimet që janë hartuar dhe dorëzuar në kohën e udhëheqjes së kaluar e deri para tre-katër muajsh”.

Ekspertët thonë se kjo rritje është e pamjaftueshme për situatën e Universitetit të Prishtinës.

Për Rexhajn Kosova si tërësi është shumë larg në këtë drejtim. “Kosova mbetet larg prapa vendeve në rajon – e të mos flasim për trendet shkencore në vendet perëndimore”, theksoi ai.

Në anën tjetër, Pupovci është shprehur po ashtu i skeptik me arritjet e deritanishme. “Me gjithë rritjen, numri i publikimeve lë shumë për të dëshiruar pasi të gjitha vendet tjera të rajonit na tejkalojnë në këtë aspekt”, tha Pupovci.

Me gjithë zotimin e rektorit Marjan Dema, gjatë mandatit të së cilit ka pasur disa lëvizje në rritjen e cilësisë së publikimeve, siç është rasti i qarkores që iu dërgua fakulteteve lidhur me publikimin e punimeve, Rexhaj nuk sheh mundësinë e ndonjë përparimi me senatin ekzistues.

Rektorati ‘Konfirmon’ Botimin e Marjan Dema në Revistë të Dyshimtë

“Për fat të keq, ky senat e kjo udhëheqje janë aty ku janë sepse janë deklaruar para ‘votuesve’ të vet në kohë të zgjedhjeve në UP se nuk do të përfillnin qasjen e profesorit Zejnullahu dhe të ekipit të tij përkitazi me kërkimet shkencore dhe promovimin akademik”, theksoi ai.

Rektori i ri i UP-së Marjan Dema është shprehur me optimizëm për këtë çështje në një komunikim zyrtar me Gazetën Jeta në Kosovë.

“Jemi në proces të zhvillimit të disa kritereve, të cilat do të shërbejnë për procedim te mëtutjeshëm, konform legjislacionit në fuqi”, thuhej në përgjigjen e rektorit.

Problem tjetër në zhvillimin e avancimeve përbën fakti që Senati në shumicën e vet përbërëse, numrin më të madh të anëtarëve nuk e ka me gradën më të lartë, ndërkohë që të njëjtët do t’u japin grada personave që janë më të kualifikuar se ata vetë.

Nga 35 anëtarë sa ka senati sot, vetëm 7 janë me gradën e profesorit të rregullt, që është grada më e lartë akademike në Universitetin e Prishtinës.

Senatorët Jokompetentë të UP-së do të Zgjedhin ‘Kompetentët’

Megjithëse Kosova ka shënuar rritje, në krahasim me vendet e rajonit ajo qëndron shumë keq në aspektin e publikimeve.

“Këto rritje prej rreth 30-40 % nuk e kompensojnë dot ngecjen substanciale si në sasi dhe cilësi të komunitetit shkencor kosovar prapa kolegëve të tyre në rajon e në Evropë”, vlerësoi Rexhaj.

Ai tha se rritjet prej e këtij niveli nuk mund të shënojnë ndonjë farë progresi për sa i përket arritjes së nivelit rajonal mirëpo ai beson se “shkenca e mirëfilltë do të vazhdojë të realizohet nga individë e ‘fanatikë‘ të pakët që do të punojnë me institucione e projekte ndërkombëtare”.

Sipas Pupovcit, kjo çështje lidhet ngushtë me fondet shtetërore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.

Ai mendon se në nivel kombëtar “duhet të rriten fondet për kërkime shkencore dhe mësimdhënësit universitarë të mobilizohen më shumë që të bëjnë publikime të reja”.

“Po ashtu, duhet të punohet në ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë për financim që janë në dispozicion nga fondet evropiane”, shtoi ai.

Ndërkohë rektorati është duke hartuar strategjitë zhvillimore, diçka që e ka konfirmuar edhe vetë rektori.

“Nën udhëheqjen e Këshillit Drejtues të këtij institucioni,  jemi në proces të draftimit të Strategjisë Zhvillimore të Universitetit të Prishtinës”, tha ai në një komunikim me email për Gazetën JNK.