Foto: Kallxo.com

Mbi 6,500 euro u shpenzuan për mbushje telefoni pa kontratë

Pa kurrfarë kontrate, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka shpenzuar mbi 6 mijë euro e gjysmë për kartela mbushëse të celularëve për stafin. Këto shpenzime u bën pa një kontratë të nënshkruar.

“OSHP-ja për stafin e saj shfrytëzon kartelat mbushëse mujore nga Telekomi i Kosovës SH.A “Vala” që e faturon çdo muaj. Ne kemi vërejtur se për këtë shërbim nuk kishte marrëveshje apo kontratë të nënshkruar me Telekomin e Kosovës SH.A, ku përcaktohet çmimi i minutave/sms-ve të shpenzuar, sasia, shuma e pagesës për muaj dhe koha e caktuar për pagesë. Gjatë viti 2017, gjithsej mjetet financiare të shpenzuar për këtë shërbim ishin në vlerë 6,555€”, thuhet në raportin e Auditorit.

OShP kishte paguar 394 euro për një biletë udhëtimi për një zyrtare të këtij institucioni, mirëpo në momentin e fundit ishte anuluar ky udhëtim. Udhëtimi ishte planifikuar në Slloveni, por sic shpjegon Auditori anulimi ishte bërë përmes ‘një njoftimi me telefon për zyrtaren që të mos merr pjesë në këtë udhëtim, përkundër konfirmimit të pjesëmarrjes në agjendë dhe rezervimit të biletës’.

Auditori kishte konstatuar parregullësi edhe i përket invesrtarizimit të pasurive, pasi nuk ishte marrë parasysh rekomandimi i komisionit për t’i larguar nga regjistrit i e-pasurisë 5 pasuri. Sistemi elektronik i pasurisë, nuk kishte përllogaritur zhvlerësimin e krejt pajisjeve të IT-së.
“Sistemi i e-pasurisë nuk e kishte kalkuluar zhvlerësimin e disa pajisjeve të IT-së si dhe disa pajisjeve tjera, dhe për këtë OSHP nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të rregulluar këtë problem. Sipas pohimit të zyrtarit të pasurisë zhvlerësimi duhet të kryhet nga MAP në mënyrë automatike, mirëpo kjo nuk është aplikuar drejtë. Për më tepër këtë çështje e kemi trajtuar duke dhënë rekomandime edhe në vitin e kaluar”, thotë raporti.

OSHP-ja gjithashtu nuk i kishte adresuar rekomandimet e dhëna nga Auditorit në auditimin e vitit të kaluar.
“Niveli aktual i trajtimit të rekomandimeve nuk është i kënaqshëm për shkak se OSHP nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të rishikuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve dhe identifikimin e pengesave për veprim në adresimin e tyre të plotë. Një qasje e tillë është e nevojshme për të menaxhuar përmirësim të vazhdueshëm në të gjithë organizatën”, bën të ditur raporti.

Përmes letër konfirmimit nga Organi Shqyrtues I Prokurimit (OShP) dorëzuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) pajtohet me të gjeturat e kësaj zyre duke mos dhënë ndonjë koment lidhur me këtë raport.

Buxheti i realizuar i OShP-së për vitin 2017 është 292 mijë e 214 euro, ku sipas raporti të auditorit OShP shpenzoi rreth 89 për qind që paraqet një rënie prej 10 për qind më pak në krahasim me 2016-ën.

Në vitin 2017, buxheti final ishte 329 mijë e 695 euro. Pjesa më e madhe e buxhetit të realizuat, është për paga dhe mëditje në vlerë prej 192 mijë e 229 euro, pastaj 96 mijë e 409 euro për mallra dhe shërbime.

Suspendimi i 2 zyrtarëve të OShP-së dhe masat disiplinore për zyrtarë të tjerë ndikuan që të teprojnë mbi 18 mijë euro mjete të planifikuara për paga dhe mëditje

“Për kategorinë e pagave dhe mëditje nuk kishte ndryshime në mes të buxhetit fillestar dhe atij final. Teprica e mjeteve financiare në fund të vitit (18,011€) ishte rezultat i suspendimit të dy zyrtarëve gjatë vitit 2017 si dhe masat disiplinore të ndërmarra për zyrtarët e tjerë, dhe kjo ka ndikuar në nivelin e përgjithshëm të realizimit të buxhetit në këtë kategori; dhe “ thuhet në raportin e Auditorit.