Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Fillojnë gjobat për ‘Vala’ dhe ‘IPKO’

10 mijë euro do të jetë gjoba mujorëshe për operatorët telefonikë ‘IPKO’ dhe Telekomi i Kosovës ‘Vala’, për shkak se nuk kanë larguar nga përdorimi kodet e huaja telefonike.

15 janari i vitit 2019 ka qenë  afati i fundit që operatorët telefonikë si Telekomi i Kosovës dhe IPKO të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 në mënyrë që kodi shtetëror telefonik i Kosovës +383 të jetë i vetmi i përdorshëm në Kosovë.

Nga sot , Autoriteti për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) do të fillojë shqiptimin e gjobave për operatorët që nuk e kanë arritur këtë afat.

Drejtori i ARKEP-it, Kreshnik Gashi  tha se testimet e tyre kanë dëshmuar që operatorët nuk kanë kryer obligimet e tyre.

“I kemi testuar dhe prej datës së sotit fillojnë gjobat. Nuk i kanë larguar ende[kodet e huaja]. Megjithatë e kemi edhe një konfirmim prej tyre  që na duhet me shkrim që e marrim në ndërkohë por e kemi vërtetuar me testime tona që nuk i kanë larguar. Gjobat fillojnë nga sot, 10 mijë euro në muaj edhe nëse në gjysmë të muajit i heqin kodet”, tha Gashi.

Sipas Gashit, kjo gjobë duhet të paguhet më 15 shkurt dhe do të rishikohet brenda 3 muajsh dhe nëse shihet se operatorët kanë vazhduar të mos largojnë kodet e huaja, kjo gjobë parashihet të rritet në masë të madhe që do ta vendosë bordi i ARKEP-it.

Përderisa kanë arritur që të bëjnë transferin teknik të numrave në kodin e ri shtetëror +383, IPKO thotë se nuk e kanë larguar nga përdorimi kodin që e kanë përdorur deri më tani +386.

“IPKO ka migruar tërësisht në aspektin teknik, që është hapi më i rëndësishëm në procesin e kalimit në kodin e ri telefonik. Si rezultat i migrimit teknik, nga 17 Prilli i vitit 2018, të gjithë klientët e telefonisë mobile identifikohen vetëm me kodin e ri shtetëror 383. Identiteti i përdoruesve të telefonisë mobile të IPKO është vetëm me 383, përderisa thirrjet ndërkombëtare në hyrje klientët mund ti pranojnë në të dyja kodet: 383 edhe në 386”, thuhet në përgjigjen e IPKO-s për KALLXO.com

Sipas tyre, arsyeja që kodi +386 nuk është mbyllur tërësisht është në mënyrë që të mos shkaktohen pakënaqësi te klientët nëse operatorët e vendeve të largëta nuk e njohin kodin e ri shtetëror.

“ IPKO dëshiron që të gjithë klientët e saj të jenë të qasshëm nga të gjitha vendet e botës, prandaj derisa shumica e operatorëve të bëjnë ndryshimet në sistemet e tyre drejt kodit të ri shtetëror, do ta mbajë të hapur edhe kodin e vjetër.Mbyllja e kodit 386 për thirrjet ndërkombëtare në këtë moment do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve tanë dhe si rrjedhojë nuk do të mund të lidheshin me më të dashurit e tyre që jetojnë jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, Telekomi i Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com se a është arritur implementimi i tërësishëm i kodit telefonik dhe largimi i kodit të vjetër +377.

Megjithatë, para vendosjes së ultimatumit nga ARKEP-i, operatorët telefonikë kishin kërkuar që afati për këtë implementim të ishte deri në tetor të këtij viti.

15 janari i vitit 2019 ka qenë afati i fundit që operatorët telefonikë si Telekomi i Kosovës dhe IPKO të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386 përndryshe pasojnë dënimet monetare.

Në mbledhjen e bordit,  Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare mori vendim që t’i shqiptohet vërejtja e fundit për zbatim të kodit të gjithë operatorëve, si masë paraprake e domosdoshme para përcaktimit të sanksioneve ekonomike si edhe të përcaktohet masa sanksionuese  në shumë prej 10.000 euro në baza mujore efektive prej datës 15 janar 2019 për operatorët që nuk largojnë kodet e huaja nga përdorimi.

ARKEP po ashtu ka trajtuar kërkesat për shtyrje të afatit të largimit të kodeve të huaja në përdorim në Republikën e Kosovës si kode paralele, respektivisht kodit 377 nga operatori Telekomi i Kosovës dhe kodit 386 nga operatori IPKO dhe ka vendosur që të mos pranojë kërkesat për shtyrje të afatit.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të  viti 2018 por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-tës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 ( e përdorur nga Vala) dhe +386 (e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të vitit 2018

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të 2018-tës

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383.

 

Sfidat e 383-shit