Fazliu: Thaçi po bën lojë fjalësh sa për ta hutuar opinionin

I ftuar në emisionin debatues “Click” të RTV21, ishte Eraldin Fazliu nga Prishtina Insight.

Fazliu në lidhje me ndryshimet e qëndrimeve të presidentit Thaçi në lidhje me marrëveshjen në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i ka quajtur lojë fjalësh.

“Askush nuk e ka kuptuar presidentin Thaçi kur ka thënë se me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të ruhet karakteri multietnik se nuk ka treguar për hapat se si mund të ruhet karakteri multietnik, kur ti po do në baza komplet etnike t’i ndash territoret, të shkëmbesh territore, të korrigjosh apo sido që ti ta quash këtë proces. Domethënë është e paqartë, por mendoj është më shumë lojë fjalësh”, ka thënë ai.

Fazliu deklaratën e Thaçit që ka thënë se synohet të përfshihet Lugina e Preshevës brenda Kosovës pa shkëmbim territoresh, e ka cilësuar që nuk besohet as nga njerëzit që jetojnë me fantazi të mëdha.

“Presidenti Thaçi mbrëmë në deklaratën e tij se synojmë që ta përfshijmë Luginën e Preshevës brenda Kosovës pa shkëmbim territoresh, këtë edhe njerëzit që shikojnë filma imagjinar edhe që jetojnë me fantazi të mëdha, nuk munden me besu një gjë të tillë. Sepse nuk mundesh të njëjtën kohë, presidenti Thaçi ka pas gjithnjë frazën ‘kompromis i dhimbshëm’, atëherë çfarë kompromisi i dhimbshëm qenka për shqiptarët e Kosovës me përfshi Luginën e Preshevës, me marrë edhe mos me dhënë kurrgjë, domethënë është vetëm lojë fjalësh.”, ka thënë ai.

Sipas Fazliut, presidenti po dëshiron të testojë opinionin duke gjuajtur fjalë, të cilat nuk kuptohen qartë as nga ata që studiojnë gjuhën.

“Presidenti Thaçi ka luajtur me shumë terma, i ka përdorë shumë terma të tjerë dhe po bënë lojë fjalësh veç sa për ta hutuar opinionin. Unë besoj që kjo ka ardh më shumë si reaksion i reagimeve të fuqishme kundër idesë të korrigjimit që i ka marrë, e ka marrë këtë si mesazh dhe tash po dëshiron vetëm të e testoj opinionin duke gjuajtur fjalë edhe duke e përdorë njëfarë tautologjie që me gjasë edhe njerëzit që merren komplet vetëm me gjuhën është vështirë me e kuptu çka në fakt po thotë presidenti.”, ka thënë ai./21Media

,