Jeta në Kosovë debaton për masat anti-korrupsion

Çka ka bërë Parlamenti i Kosovës në luftën kundër korrupsionit? Sa janë të fuqishme ligjet aktuale për ta luftuar korrupsionin? Ku qëndron problemi sipas shoqërisë civile? Kush nuk e ka deklaruar fare pasurinë? Pse nuk publikohen deklarimet e pasurisë të vitit 2008? A ka dallime mes deklarimeve të sivjetme dhe atyre të vitit të kaluar? Kush do t’i verifikojë këto deklarata të pasurisë?

Për t’i diskutuar këto dhe masat kundër-korrupsion që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës.
Mysafirë të Artan Haraçisë do të jenë:

Ramadan Avdiu, nga PDK;
Ibrahim Makolli, deputet i AKR-së dhe anëtar i komisionit për legjislacion dhe gjyqësi;
Naim Rrustemi, deputet i pavarur;
Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës;
Ismet Kryeziu, nga Instituti Kosovar për Demokraci;
Lorik Bajrami, nga organizata ÇOHU.

Në kuadër të emisionit, BIRN transmeton reportazhin për deklarimin e pasurisë së krerëve të shtetit.
Ndërsa, në debatin e dytë, Edona Musa pyet për problemet në menaxhimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

A ka filluar decentralizimi i kësaj qendre? Si do të përmirësohet sistemi i shëndetësisë në vend me buxhetin e ndarë për të? Pse u bënë disa shkarkime dhe ndryshime në pozita brenda QKUK-së? A është bërë vlerësimi i punës së katër menaxherëve që janë shkarkuar nga puna në këtë qendër? A është bërë rishikimi i barnave esenciale? Pse nuk vendosen listat e barnave në dhoma të pacientëve as në korridore të klinikave?

Për t’i diskutuar këto, mysafirë të Edona Musës do të jenë:

Rrahim Krasniqi, zëvendësdrejtor i QKUK-së;
Bajram Ajeti, anëtar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës;
Islam Krasniqi, ish menaxher i QKUK-së.

Gjatë debatit, BIRN transmeton reportazhin e hulumtuesit Faton Ademi i cili tregon për gjendjen e rëndë në shërbimin e protetikës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.