Nuk ka vepra penale të kërcënimit për Sami Lushtakun dhe të tjerët

Gjatë muajit qershor ka përfunduar rasti i njohur si Sami Lushtaku dhe të tjerët kundër Jeta Xharrës. Përkatësisht më 5 qershor Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë aktgjykimin e saj në procesin gjyqësor kundër kryetarit të komunës së Skënderajt Sami Lushtakut, ish deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Rexhep Hotit, gazetarit Qani Mehmedit, ish kryeredaktorit të kësaj gazete Avni Azemit dhe Rizah Hajdarit.

Kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku dhe drejtuesit e gazetës Infopress bashkë me dy opinionistë të saj, janë liruar të mërkurën nga akuzat për kërcënim dhe shkelje të statusit të barabartë të qytetarit të vendit ndaj gazetares Jeta Xharra, drejtoreshës së BIRN-it.

Trupi gjykues nuk gjeti se Rexhep Hoti pronar dhe Avni Azemi kryeredaktor i Infopress-it kishin organizuar fushatë kundër Jeta Xharrës dhe BIRN-it si dhe lidhje direkte ndërmjet artikujve të botuar më 2009 në këtë gazetë dhe kërcënimeve ndaj palës së dëmtuar.

Seanca e 5 qershorit nisi me 20 minuta vonesë, kjo për shkak të mungesës së koordinimit në mes të policisë dhe kryetarit të trupit gjykues Vladimir Mikula.

Të pandehurit në fillim të seancës kishin refuzuar që t’i nënshkruanin të gjitha procesverbalet e shqyrtimeve gjyqësore. Ata akuzoheshin për tetë pika të aktakuzës dhe u liruan për të gjitha.

Gjykata në arsyetimin e saj kishte gjetur se veprimet e përshkruara në aktakuzë nuk përbënin vepër penale.

Gjykata tha se ka gjetur se artikujt e publikuar kanë qenë kundër Jeta Xharrës, Jeta Abazit dhe ekipit të Jetës në Kosovë, por se janë kryer në bazë të aktiviteteve individuale.

Në vazhdim të arsyetimit të aktgjykimit i cili liroi të gjithë të akuzuarit, gjykatësi Vladimir Mikula, tha se “nuk ka pasur dëshmi ose prova materiale se etiketimi i dikujt si bashkëpunëtor i Serbisë është kërcënim”.

“Këta artikuj kanë ndikuar në nderin dhe reputacionin e Jeta Xharrës. Ata ishin fyes dhe shpifës. Por gjykata nuk gjeti lidhje ndërmjet artikujve dhe atyre çfarë pranoi Jeta Xharra. Po flas për e-maila-t perversë kundër saj”, tha Mikula.

“Nuk është konstatuar se kishte lidhje ndërmjet e-mail-ave dhe artikujve, e gjatë gjykimit nuk kemi dëgjuar se dërgimi i tyre ka ardhur si pasojë e shkrimeve”, shtoi ai.

Gjykatësi Mikula foli edhe për veprën tjetër, shkeljen e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se objektivi i këtij gjykimi ishte liria e shprehjes dhe se gjykata i kishte konsideruar artikujt si një tentativë që ta kufizojnë Jeta Xharrën që të publikojë, por se kjo nuk mund të shihet në kontekstin e të drejtës së shprehjes.

Gjykata po ashtu tha se shpifja dhe fyerja tani nuk janë më vepra penale, por civile.

“Për Rexhep Hotin i takon lirimi, pasi sipas kodit të ri nuk ekziston përgjegjësia e botuesit të gazetës”, tha gjykatësi Mikula.

Në fund gjykatësi tha se gjatë shikimit të provave kanë parë shumë gabime në përkthim. Ai tha se gjykata ka marrë për bazë përkthimet më të favorshme për të pandehurit. 

Prokurorja Maria Bamieh, në një prononcim të dhënë menjëherë pas gjykimit tha se “prokuroria nuk është e kënaqur me vendimin e gjykatës dhe për këtë do të ushtrojë ankesë”.

Në anën tjetër i akuzuari, gazetari Qani Mehmedi, pas aktgjykimit tha para gazetarëve se “drejtësia ka ardhur në vend”.

Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci para gazetarëve tha: “Ky ishte një vendim i drejtë e i ligjshëm, ishte një betejë juridike profesionale … argumentet tona ishin më të forta, e që u vërtetuan edhe me këtë aktgjykim se zoti Lushtaku nuk e ka kërcënuar zonjën Jeta Xharra”.             

Jeta Xharra, drejtoresha e BIRN-it e cila në këtë rast ka qenë palë e dëmtuar, tha se beson në drejtësinë e Kosovës dhe se “për këtë arsye ka investuar personalisht shumë energji dhe mund në këtë rast”.

“Dënimi i të pandehurve do të kishte qenë sot një lajm inkurajues dhe pozitiv”, tha ajo.