Katër kandidatë të suksesshëm largohen nga lista e rekomanduar për emërim në gjykata dhe prokurori

Pas më shumë se dy viteve prej fillimit dhe 5.8 milion eurove të shpenzuara, Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial (KPGJP) njoftoi përfundimin e procesit të vlerësimit dhe riemërimit të aplikantëve për pozita të përhershme në gjykata dhe prokurori të Kosovës. Nëse koha dhe investimi ia kanë vlejtur do të shihet në vitet në vijim. Megjithatë, statistikat duken premtuese; më shumë se 60% nga 345 kandidat janë emëruar për herë të parë. Sipas kryetarit të KPGJP Timothy Baland, kriteret e përdorura në procesin e rishikimit kanë qenë të dizajnuara të arrijnë dy qëllime, paanshmëri dhe objektivitet – të gjithë janë trajtuar të barabartë dhe janë vlerësuar e rekomanduar bazuar në meritë. Sido që të jetë, 116 pozita në sistemin e drejtësisë kosovare mbesin ende të zbrazëta. Rrjedhimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të filloj një proces të ri të identifikimit, hulumtimit dhe të emërimit të kandidatëve. Gjithashtu, në fazën e tretë, të emërimit dhe riemërimit të kandidatëve për nivelin komunal të gjykatave, katër
kandidatë të cilët kishin përfunduar me sukses të gjitha testet dhe nuk kishin biografi të dyshimta, ishin larguar nga “lista e rekomanduar” të dërguar në presidencë për aprovim
nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Sipas KGJK-së, kandidatët ishin larguar nga ana e presidencës, me Jakup Krasniqi në krye të saj si u.d i Presidentit. Presidenca e pranon këtë fakt, mirëpo refuzon të japë çfarëdo arsye zyrtare për largimin apo mos emërimin e kandidatëve të caktuar.

Kandidatët të cilët ishin larguar janë: Driton Muharremi, kandidat për Kryetar të Gjykatës Komunale në Prishtinë; Agron Calaj, Florije Shamolli dhe Vehbi Hajdini, të cilët ishin kandidatë për Gjykatën Komunale dhe Prokurorinë Komunale në Ferizaj. Z. Muharremi ishte kandidati i vetëm i suksesshëm për pozitën në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Në pyetjen nëse Driton Muharremi ishte larguar për shkak të lidhjeve të babës së tij me LDK-në, i cili ishte këshilltar i ish-presidentit Ibrahim Rugova, U.D i presidentit Krasniqi nuk përgjigjet. KGJK dhe të intervistuarit e tjerë gjithashtu nuk përgjigjen, duke lënë dyshime se kandidatët janë larguar për motive politike.