Ish krye-inspektori në Ministrinë e Shëndetësisë, Zef Komani, dënohet me një (1) vit e tetë (8) muaj burg për korrupsion

Ish krye-inspektori i Zyrës së Inspektoratit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, Zef Komani, është gjetur fajtor dhe dënuar me një (1) vit e tetë (8) muaj burg për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në kohën e aktivitetit të paligjshëm, Komani ishte përgjegjës për inspektimin, nëse klinikat private shëndetësore po respektonin ligjet dhe rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë. Komani kishte shqiptuar dhe kërcënuar se do të shqiptonte dënime të majme për disa klinika private shëndetësore me arsyen se nuk kishin respektuar rregulloret. Klinikat mund të evitonin këto dënime në rast se do të paguanin Komanin për “heshtjen” e tij në Ministri. Një pronar në një klinikë private shëndetësore i kishte dhënë Komanit 2,500 € për të evituar një gjobë prej 12,000 eurosh. Pas disa muajsh, Komani kishte telefonuar prapë pronarin e kësaj klinike duke kërkuar përsëri një shumë prej 2,500 eurosh, në të kundërtën do t’i shqiptonte një gjobë të madhe nga ministria. Qytetari pranoi të takohet me Komanin dhe të ia dorëzonte paratë. Ai poashtu njoftoi dhe policinë e Kosovës për këtë takim, që rezultoi me arrestimin e Komanit për mit-marrje. Komani argumentonte se paratë që i kishte marrë nga i dëmtuari, ishin për qëllime të plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm për hapjen e një ordinance të re që i dëmtuari po planifikonte të bënte së shpejti. Gjithashtu dhe avokati i Komanit argumentonte se klienti i tij ishte një njeri profesionist dhe i përgjegjshëm, duke përmendur disa raste ku Komani u kishte shqiptuar gjoba disa klinikave ku punonin të afërm të tij. Kjo megjithatë nuk pati ndonjë ndikim në trupin gjykues, i cili shpalli Komanin fajtor dhe dënoi atë me një (1) vit e tetë (8) muaj burg.