Dëshmuan ata që 'dhuruan' veshka

Gjatë muajit qershor, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vazhduan seancat në rastin e njohur për publikun si Rasti Medicus.
Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek nga komuniteti turk në Kosovë dhe ish-punëtor shëndetësor i OSBE-së në Kosovë; Ilir Recaj, mjek dhe ish-sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e ministrit Alush Gashit; Sokol Hajdini, Islam Bytyçi dhe Sylejman Dula, të tre mjekë anesteziologë.

Në këtë muaj kolegji i gjykatësve dëgjoi dëshmitarët dhe të dëmtuarit në rastin Medicus. Dëshmitarët ishin ata që kishin ‘dhuruar’ veshkat e tyre për shuma të ndryshme të parave.

Të gjithë dëshmitarët dëshmuan përmes video lidhjes nga Izraeli. Kurse kolegji në marrëveshje me palët i mbrojti emrat e dëshmitarëve që të mos dalin për publikun.

Dëshmitarët treguan për shumat që ata kishin marrë në këmbim të veshkave, se ato i kanë dhënë me vullnetin e tyre pasi që kishin pas nevojë për të holla në atë kohë.

Një veshkë ishte paguar deri në 12 mijë dollarë ndërsa nga dëshmitarët në seancat e mëhershme kishim mësuar se ata veshkat i kishin paguar deri në 80 mijë euro.

Dëshmitarët treguan se si në një gazetë në gjuhën Ruse në Izrael e kishin parë shpalljen dhe aty ishin paraqitur në telefon e personi kontaktues i kishte treguar se si duhet të vepronin më tutje.

Dëshmitarët thanë se kanë kaluar nga Stambolli dhe kanë ardhur në Kosovë, ndërsa njihnin përmes fotos vendin se ku e kishin kryer operimin. Dëshmitarët po ashtu njohën Yousuf Somnezin dhe Moshe Harelin, por jo edhe të pandehurit në këtë çështje.
Në fund dëshmitarët tregonin se sot kishin probleme shëndetësore dhe gjatë gjithë kohës ishin në terapi e kujdes mjekësor, pasoja të cilat nuk i kishin ditur para se të hynin në operim.

Seancat e radhës do të vazhdojnë gjatë muajit korrik me dëshmitarë të tjerë.