Bien Pllaka të Tavanit në Pallatin e Drejtësisë

Pllaka të tavanit kanë rënë sot në dysheme në pjesën e Pallatit të Drejtësisë ku është e vendosur Gjykata e Apelit.

Lajmin e ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari.

Jashari ka thënë se ka pasur rënie të pllakave dhe rrjedhje të ujit në Objektin B ku është e vendosur kjo gjykatë.

Sipas Jasharit rrjedhja e ujit ka filluar para një jave, ndërsa sot kanë rënë disa nga pllakat.

Rënien e pllakave në dysheme e përmendi edhe Asllan Rusinovci, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës që edhe vetë punon në pallat.

“Sot kanë ra këto pllaka, më herët nuk e di a ka pasur [rënie të tyre],” tha Rusinovci.

Edhe Rusinovci, si zëdhënësi Jashari tha se rrjedhja e ujit ka nisur më herët.

“Unë sot jam informuar se ka filluar kjo pikje e ujit, një zyrë tjetër ka rrjedhur dje gjithë ditën, edhe kështu me radhë ka rrjedhur edhe në zyrë nalt,” shpjegoi Rusinovci.

Ai bëri me dije se kanë ardhur mjeshtër në pallat për ta ndalur këtë rrjedhje uji.

“Tash kenë ata mjeshtrit, hipën lart edhe sigurisht kanë bërë diçka edhe e kanë ndalur,” tha Rusinovci

Këto nuk është problemet e vetme të këtij pallati.

Në shkurt kur nuk kishte kaluar ende një muaj nga vendosja në këtë pallat, uji rrodhi nëpër disa zyra të Gjykatës së Apelit.

Pastaj në mars një gjyqtar u ngujua në njërin nga ashensorët e këtij Pallati.

Në prill ashensori i lëshoi katër punonjës të Gjykatës së Apelit, të cilët u lënduan.

Po në prill punonjësit e këtij pallati protestuan për mungesë oksigjeni.

Pallati i Drejtësisë kushtoi mbi 30 milionë euro, 26 nga të cilët u dhanë prej BE-së.