Komuna e Prishtines

76 milionë euro borxhi ndaj komunës së Prishtinës, prej tyre 40 milionë nga tatimi në pronë

Borxhi i qytetarëve të Prishtinës ndaj Komunës kap vlerën e 76 milionë eurove, prej tyre 40 milionë euro për tatimin në pronë, sipas raportit të pasqyrës financiare për vitin 2023 nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Sipas ZKA-së, komuna nuk ka marr hapa të mjaftueshëm për mbledhjene borxheve.

“Llogaritë e arkëtueshme për vitin 2023 ishin gjithsej 76,035,612€, prej të cilave 40,288,843€ apo 53% ishin për tatimin në pronë. Komuna kishte dërguar një listë për kërkesë të inicimit të procedurës përmbarimore, ndaj disa debitorëve për përmbushjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë në dhjetor të vitit 2022, megjithatë nuk kishte pasur asnjë rezultat në arkëtimin e këtyre borxheve. Më tutje komuna nuk kishte marrë veprime tjera lidhur me arkëtimin e borxheve”- thuhet në raport.

Pjesa tjetër e borxhit vjen nga taksat nga infrastruktura në vlerë 4 milionë euro, taksat nga leje ndërtimi në vlerë rreth 13 milionë euro, nga mbeturinat në vlerë 12 milionë euro, nga shpronësimet në vlerë 5.6 milionë euro.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së veprimeve të vazhdueshme të departamenteve përgjegjëse në tentim të mbledhjes së të arkëtueshmeve. Mosinkasimi i të arkëtueshmeve reflekton në shkallë më të ulët të buxhetit nga të hyrat vetanake”- thuhet më tej në raportin e ZKA-së.

Raporti rekomandon që Kryetari  të sigurojë forcimin e mekanizmave të kontrollit në mbledhjen e borxheve nga tatimpaguesit, duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet në dispozicion, pa përjashtuar edhe veprimet ligjore.