Ministrja Nagavci vizitoi shkollën 'Qamil Batalli' në Prishtinë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është takuar me mësimdhënës të shkollës “Qamil Batalli”, në Prishtinë të cilët janë në grevë.

Në njoftim thuhet se mësimdhënësit “kërkuan nga ministrja Nagavci që të bashkëpunojë me SBASHK-un. Me këtë rast, ministrja tha se si Ministri vazhdimisht jemi takuar dhe kemi bashkëpunuar me Sindikatën për çështje dhe kërkesa të ndryshme”.

“Ministrja u shpreh se dinjiteti i mësimdhënësit duhet të rregullohet me ligj dhe pagë të dinjitetshme, ndërsa theksoi se këtë e kemi adresuar në Projektligjin për paga”- thuhet në komunikatë.

1 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Të enjten, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.

“SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Murati. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Nuk e ka pru atë buxhet ai prej shtëpisë të vet. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”- ka thënë Jasharaj para mediave.

Disa shkolla të Prishtinës në grevë, ajo e mjekësisë ‘Ali Sokoli’ po mban mësim