Ministri Likaj thotë se nuk do të ndërhyjë në Këshillin e Cilësisë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj që vjen nga AAK,  u zotua se nuk do të bëjë ndërhyrje në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, siç kishte bërë dikur kryetari i partisë së tij, Ramush Haradinaj.

“Unë ju siguroj plotësisht që nuk do të ketë asnjë ndërhyrje nga ana e ministrisë, pos asaj që na takon me Ligj si organ, nëse ka pengesa në punën e tyre, por une dje kam kërkuar nga ana e Komisionit Parlamentar ndihmën e tyre për me na ndihmu me i zgjedh disa probleme të brendshme që i ka KShC. Ata duhet me punu, duhet me kry detyrën me përgjegjësi, me i dhënë llogari Kuvendit të Kosovës që i ka ratifikuar”, tha Likaj në një intervistë për KALLXO.com.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ishte përzier disa herë në punët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ai fillimisht kishte shkarkuar bordin e Agjencisë për Akreditim që rezultoi më vonë në largimin e kësaj agjencie nga organizata ndërkombëtare, nën dyshimet për mungesë të pavarësisë politike.

Edhe pas emërimit të bordit të ri, Haradinaj kishte ndërhyrë në punët e Këshillit të Cilësisë që është i paraparë të jetë i pavarur nga politika.

Ai kishte drejtuar  një letër në adresë të kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe ish-u.d drejtorit të AKA-së, Avni Gashi.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Haradinaj kishte akuzuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim për procedura të tejzgjatura dhe pengesa administrative burokratike në punët e akreditimit për disa kolegje private.

Ai ka komentuar në punët e KShC-së  edhe në vitin e kaluar, kur ky këshill vendosi që mos t’i akreditojë disa universitete publike.

“E di që kanë me kritiku, agjenci e pavarur, cilësia ajo, kjo, por po i shohim se çfarë mafie janë nëpër plot këto institucione të pavarura”, kishte thënë Haradinaj.