DOKUMENT- Haradinaj i përzihet sërish punëve të Agjencisë së Akreditimit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj është përzier edhe njëherë në punët e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Të martën, Haradinaj ka nisur një letër në adresë të kryetarit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe ish-u.d drejtorit të AKA-së, Avni Gashi.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Haradinaj ka akuzuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim për procedura të tejzgjatura dhe pengesa administrative burokratike në punët e akreditimit për disa kolegje private.

“Procedurat e tej zgjatura dhe pengesat administrative burokratike nuk duhet të jenë pengesë e ngritjes së cilësisë. E kuptoj dhe ju inkurajoj që të ruani misionin tuaj”, thuhet në letrën e tij ndër të tjera.

Madje, Haradinaj ka kërkuar nga AKA-në që të kenë “kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga Kolegjet, të cilat janë legjitime dhe ligjore, e veçanërisht që janë dëshmuar si kualitative”.

“Kërkoj nga ju që në kuadër të mandatit tuaj kushtetues dhe ligjor, menjëherë të filloni tejkalimin  e pengesave administrative e burokratike dhe të procedoni më përmbushjen e mandatit tuaj për arsim cilësor”, thuhet në fund të letrës së Ramush Haradinajt.

Ai ka kërkuar edhe njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

KALLXO.com ka provuar të marrë koment lidhur me këtë nga Zyra e Kryeministrit por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit me 16 dhe 17 janar. Në këtë mbledhje janë akredituar disa programe të dy kolegjeve private, Rezonanca dhe Heimerer.

Kjo ishte edhe arsyeja pse tre anëtarë të KShC-së kanë lëshuar mbledhjen e 17 janarit dhe janë ankuar për përshpejtim të procedurave nga ana e AKA-së në procesin e akreditimit.

Rreth akreditimeve të këtyre kolegjeve, sonte në emisionin Jeta në Kosovës prej orës 21:00 në RTK, do të ndiqni reagimet e anëtarëve të KShC-së rreth kësaj letre, qëndrimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe rrëfime të studentëve të këtyre kolegjeve.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj ka reaguar ndaj vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ai këtë e ka bërë edhe në vitin e kaluar, kur ky këshill vendosi që mos t’i akreditojë disa universitete publike.

“E di që kanë me kritiku, agjenci e pavarur, cilësia ajo, kjo, por po i shohim se çfarë mafie janë nëpër plot këto institucione të pavarura”, kishte thënë Haradinaj.

Në shkurt të vitit 2019  organizata ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte  përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë Kosovare të Akreditimit i ishte degraduar statusi brenda Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Ndërsa më 2 tetor të vitit 2019, AKA-së nuk iu vazhdua anëtarësia në ENQA.

Agjencia e Akreditimit të Kosovës përjashtohet nga ENQA