KALLXO 360: Punëtorët e Postës Kundër ‘Favorizimit të Bankave Private’

Punëtoret e Postës së Kosovës po kërkojnë sqarim për anulimin e një draft-marrëveshjeje mes Postës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shpërndarjen e ndihmave sociale përmes Postës në Maj të vitit 2015.

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës tha se kjo marrëveshje u anulua një orë para se do të bëhej nënshkrimi i saj dhe, sipas tij, me këtë anulim po anashkalohet puna kualitative e postës kundrejt bankave private.

“Kërkesa jonë është nënshkrimi i marrëveshjes së negociuar përmes grupeve punuese të postës dhe ministrisë dhe posta të fillojë të bëjë shpërndarjen e skemave sociale kur dihet që Posta ofron një operativitet shumë të suksesshëm dhe ka dallim prej bankave dhe shërbimet i kryen me një kualitet më të lartë”, tha Hoti për KALLXO.com

Emine Haziri, punëtore e Postës në Ferizaj gjithashtu theksoi se posta është e aftë të kryej shërbimin e shpërndarjes së ndihmave sociale por po diskriminohet.

“Ne i kryejmë të gjitha shërbimet, mund ta kryejmë edhe këtë dhe qytetarët janë të kënaqur me shërbimet tona. Nuk kemi asnjë problem deri tani dhe asnjë palë që është ankuar”, deklaron Haziri.

Pas anulimit të marrëveshjes në maj të vitit të kaluar, në dhjetor të po atij viti Ministria e Punës ka shpallur tender për shërbimin e lartcekur ku mund të konkurrojnë vetëm bankat.

“Dihet se Posta e Kosovës ka dikund mbi 160 zyre postare në të gjithë vendin. Shumica dërrmuese e tyre punojnë me orar të zgjatur ,prej orës 08:00 deri në orën 21:00 që për përfituesit e skemave sociale do të ishte një lehtësim shumë i madh”, tha Isa Azemi, përgjegjës i një zyre postare në Gjilan.

Punëtorët u zotuan se do të vazhdojnë me protesta deri sa të marrin një përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.