Ngujohen Minatorët e Trepçës, i Japin Ultimatum Qeverisë

Rreth orës 23:00 minatorët janë vizituar nga deputetët e LDK-së Muhamet Mustafa, Sadri Ferati e Bardhyl Metaj.

Këta deputetë kur dolën nga nëntoka thanë se nuk kanë mundur të merren vesh me xehetarët e “Trepçës” për ndërprerjen e grevës.

Muhamet Mustafa u pyet nga gazetari i KALLXO.com-it se pse nuk i ka vizituar minatorët kryeministri Isa Mustafa.

“Për shkak të agjendës së ngarkuar, mirëpo kryeministri është i shqetësuar për fatin e minatorëve dhe ‘Trepçës’ dhe është duke punuar vazhdimisht për këtë punë,” u përgjigj Mustafa.

Ky deputet nuk tregoi se kur Mustafa mund ta bëjë këtë vizitë.

“Kryeministri do t’i vizitojë, po unë nuk vendosi për këtë, ai vendos vetë për vete,” tha Muhamet Mustafa.

Minatorët e “Trepçës” i kanë dhënë afat qeverisë deri nesër në orën 9 e 30 për plotësimin e kërkesës së tyre.

Ata kërkojnë që pronësinë e kësaj ndërmarrjeje ta ketë ekzekutivi i vendit.

20:33

Minatorët e ndërrimit të parë që kanë hyrë në grevë që nga mëngjesi, kanë filluar të kenë probleme shëndetësore. Nga thellësia prej 650 metrash ku janë ngujuar në grevë, ata i kanë dhënë ultimatum 24 orësh qeverisë për aprovimin e kërkesës së tyre që miniera të jetë pronë e shtetit të Kosovës.

Problemet e minatorëve me shëndetin i pëmendi drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava që para disa çastesh doli nga nëntoka e minierës ku po zhvillohet greva.

“Greva për çdo orë më shumë po merr seriozitetin e saj,” tha Tmava.

Ai tregoi se në grevë kanë hyrë edhe minatorët e Kishnicës për t’u solidarizuar me kolegët e tyre nga Stan-Tërgu.

“Unë tash po shkoj t’i vizitoj minatorët e tjerë që i janë bashkëngjitur grevës në Minierën e Kishnicës,” tregoi Tmava.

Që nga mëngjesi kur minatorët hynë në grevë Tmava u takua dy herë me ta.

19:46

Gazetari i KALLXO.com-it , bashkë me disa kameramanë të mediumeve tjera dolën rreth orës 19:00 nga nëntoka, ku i vizituan minatorët e ngujuar.

Esat Meha nga Këshilli Grevist tregoi se minatorët i kanë dhënë ultimatum njëditësh qeverisë që ta mbledhë parlamentin dhe ta aprovojë kërkesën e vetme të këtyre xehetarëve-që “Trepça” të jetë në pronësi të ekzekutivit të vendit.

Meha paralajmëroi masa tjera nëse kjo gjë nuk ndodh.

“Masa të cilat ju do i mësoni nesër në orën 9 e 30 kur edhe bahen 24 orë nga hyrja jonë në grevë,” shpjegoi ai.

Ndërkaq Beqir Ibishi, i cili tregon që është minator nga viti 1971 edhe njëherë eka përsëritur se nuk do të dalin nga greva pa miratimin e kërkesës së tyre.

“Trepça duhet me qenë e Qeverisë së Kosovës. Na vetë vendosim për të e jo Brukseli apo dikush tjetër,” tha ai.

Të ngujuar në grevë në horizontin e dhjetë janë 600 deri 700 minatorë.

 


15:25

Drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe deputetët e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj sapo kanë dalë nga një takim me minatorët. Minatorët e Trepçës të cilët kanë qenë në ndërrim të mëngjesit sot janë ngujuar nëpër horizontet e minierës dhe janë duke kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që t’u japë informacione se cili do të jetë fati i kompanisë pas ligjit të miratuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

Të katërt e kanë pranuar se minatorët ndodhen në grevë.

Ndërrimi i parë sot nuk ka dalë nga horizonti i dhjetë ku punonte, ndërsa edhe ndërrimi i dytë po përgatitet të hyjë.

Të njëjtën gjë pritet ta bëjë në mesnatë edhe ndërrimi i tretë i punëtorëve të “Trepçës”.

Drejtori i këtij kompleksi industrial Ahmet Tmava tha se minatorët janë të vendosur të qëndrojnë në grevë, ndërsa deklaroi se kërkesë e vetme e tyre është që të miratohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike që u paralajmërua se do të miratohej të hënën në Kuvend, por më pas u hoq dorë prej tij.

Para gazetarëve foli edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Bashkë me drejtorin tash po shkojmë në takim te kryeministri dhe të gjithë së bashku jemi duke pritur dhe duke provuar të bëjmë më të mirën e mundshme,” tha Bahtiri.

Në takimin me minatorë ishin edhe deputetët e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi dhe Pal Lekaj.

Kadaj-Bujupi tha se megjithëse ka pritur gjatë derisa është lejuar të hyjë për t’u takuar me minatorët, përkrah ata.

“Kërkesa e tyre është shumë e drejtë. Na do të jemi me ta dhe në përkrahje të tyre deri në miratimin e Ligjit për ‘Trepçën,’” tha Kadaj-Bujupi.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj të hënën pasi nuk u miratua ligji që do ta bënte pronare të minierës Qeverinë e Kosovës, nuk i përjashtoi as protestat si formë të reagimit.

13:30

Para pak çastesh drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava që kishte hyrë në horizontin e dhjetë të minierës për të biseduar me minatorët, doli nga atje për të treguar se çfarë po ndodh brenda. Minatorët e Trepçës të cilët kanë qenë në ndërrim të mëngjesit sot janë ngujuar nëpër horizontet e minierës dhe janë duke kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që t’u japë informacione se cili do të jetë fati i kompanisë pas ligjit të miratuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

Tmava konfirmoi se punëtorët që ndodhen 650 metra nën tokë aktualisht nuk janë duke punuar.

“200 deri 250 punëtorë momentalisht nuk janë duke punuar dhe se po kërkojnë garanci shtesë nga liderët institucionalë, pasi që dihet se nuk është kryer dje e gjithë puna për ‘Trepçën’,” tha Tmava.

Dje Kuvendi i Kosovës vetëm me votat e pozitës aprovoi Ligjin Për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, i cili vetëm parandalon likuidimin dhe falimentimin e kompleksit industrial, por nuk përcakton pronësinë ndaj këtij gjiganti ekonomik.

Tmava tha se sindikata e minatorëve të “Trepçës” është duke vazhduar konsultimet me punëtorët.

“Tash sindikata është duke biseduar me punëtorë dhe shumë shpejt do t’i harmonizojnë disa kërkesa drejtuar institucioneve me të cilat do të dalin,” deklaroi Tmava.

Tmava u pyet se a i përfaqëson ai punëtorët.

“Unë çdoherë jam dhe kam me qenë zani i punëtorëve,” u zotua drejtori.

10:44

Minatorët e Trepçës të cilët kanë qenë në ndërrim të mëngjesit sot janë ngujuar nëpër horizontet e minierës dhe janë duke kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që t’u japë informacione se cili do të jetë fati i kompanisë pas ligjit të miratuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin për këtë hap të minatorëve e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i kompanisë, Musa Mustafa.

Raportohet se ata janë ngujuar në Horizontin e 10-të, rreth 650 metra në thellësi të tokës.

Pritet që gjatë orëve në vijim, menaxhmenti i Trepçës të shkojë të takohet me minatorët dhe më pas të mbajë një konferencë për shtyp.

Pas presionit nga qeveria serbe, Qeveria e Kosovës u tërhoq dje nga miratimi i një projektligji për ndërmarrjet publike me të cilin Trepça do të kalonte në duart e qeverisë dhe në vend të tij miratoi Ligjin Për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së tyre.