Mitrovica me Program të Vetëpunësimit

Të papunët me ide të veçanta për biznes  në rajonin e Mitrovicës tani do të kenë mundësi të konkurrojnë në tregun e punës nëpërmjet programit të  vetë –punësimit.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Tregtisë dhe Ambasadën Finlandeze kanë lansuar programin e vetëpunësimit në sektorët që janë vlerësuar me më shumë potencial nga analiza për sektorin privat.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka vlerësuar këtë program si mundësi e krijmit të vendeve të punës të qëndrueshme për të papunët e Mitrovicës.

“Përmes granteve do të mbështesim punëkërkuesit me ide unike biznesi të cilët sigurojnë mundësi të qëndrueshme punësimi për veten e tyre dhe punëkërkues të tjerë të papunë”, tha Abrashi.

Ky program sipas zëvendës përfaqësues së përkohshme të UNDP Alessandra Roccasalvo do të zhvillojë konkurrencën në sektorin privat dhe rrjedhimisht tregun e punës në Kosovë.

“Qasja jonë gjithëpërfshirëse për të mbështetur bizneset prodhuese në plasimin e produkteve të tyre në tregun vendor dhe atë të jashtëm, i shërben krijimit të një sektori privat më konkurrues që ka mundësi të ofrojë vende të reja pune duke përmirësuar indikatorët në tregun e punës në Kosovë”,  vlerësoi Roccasalvo.

Thirrjen për aplikim për grante dhe mbështetje të bizneseve e ka shpallur zyra e punësimit në Mitrovicë.

Programi i vetëpunësimit në Mitrovicë ka ardhur pas lansimit paraprak të këtij programi edhe në rajonin e Gjilanit, Prishtinës dhe Prizrenit.