Prokurorja Laura Pula

Prokuroria Lajmëron Edhe Për Tri Arrestime

Prokuroria bëri me dije se një person është arrestuar në Mitrovicë për veprën penale prezantim të rrejshëm. Sipas saj në fshatin Shillovë të komunës së Gjilanit, është bërë edhe një arrestim tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve.

Arrestim-ndalimi i tretë i një individi, ndodhi në Graçanicë për cenim të përcaktimit të votuesve.

Për rastin e vjedhjes së një hard-disku që monitoronte hyrje-daljet e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, prokurorja Pula tha se janë intervistuar zyrtarët përgjegjës aty.

Intervistim zyrtarësh prokurorët kujdestarë kanë bërë edhe në Prizren, ku një anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve dyshohej për manipulim votash, pasi transferoi fletëvotimet rezervë nga një depo në zyrat e KKZ-së që janë në Shtëpinë e Bardhë, selinë e kryetarit të Prizrenit.

Për këtë transferim, prokuroria tha se janë pajtuar të gjithë komisionarët e subjekteve politike.

16:53 Prokuroria Njofton Për Pesë Persona të arrestuar

Prokuroria e Shtetit në konferencën e orës 16:00, ka njoftuar edhe për katër raste tjera të shkeljeve zgjedhore, të identifikuara nga prokurorët kujdestarë në terren, derisa prokurorja Pula ka pranuar se para qendrave të votimit në veri, janë lajmëruar, e më pas larguar pjesëtarë të “mbrojtjes civile”. Zëdhënësi i Policisë Kelani, njoftoi se nuk ka asnjë incident të raportuar në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan, ku po votohet.

Prokurorja e Shtetit Laura Pula, ka thënë se një person është arrestuar në Gjilan, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke u ndaluar për 48 orë.

Dy persona të tjerë, njëri në Lipjan që ka qenë vëzhgues dhe tjetri në Mitrovicë, janë arrestuar për armëmbajtje pa leje, njoftoi Prokuroria gjatë konferencës.

Po në Mitrovicë dy persona janë arrestuar për pengim të procesit të votimit.

 

14:50 Nuk ka manipulim votash nga zyrtari i KKZ-së

Laura Pula, prokurorja e Shtetit, gjatë konferencës për media njoftoi se janë paraqitur dy raste të shkeljeve zgjedhore në Prokurorinë e Kosovës. Ajo përmendi se në Prizren një zyrtar i lartë i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) po intervistohet me dyshimin për manipulim votash. Prokurori kujdestar i Prizrenit Sylë Hoxha deklaroi se pas kryerjes së hetimeve ka dalë që nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë.

Deri në orën 11, prokurorja e Shtetit Laura Pula, ka njoftuar se janë hapur dy raste prej këtij institucioni, një në Zhegër për fotografim të votës dhe një në Shtërpcë për dëmtim të pronës. 

Prokurorja Pula, njoftoi se ka qenë edhe një rast tjetër në Prishtinë për lajmërim të rrejshëm, kur një përfaqësues i subjektit politik ka lajmëruar për një rast të fotografimit të votës, i cili më pas është tërhequr. 

Pula, gjatë konferencës përmendi edhe hetimin që po i bëhet një zyrtari të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Prizren, për të cilin tha se po intervistohet për dyshimin e manipulimit të votave. 

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, prokurori kujdestar i rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxha, konfirmoi intervistimin e zyrtarit të KKZ-së nga policia, por tha se organet e rendit kanë deklaruar se nuk bëhet fjalë për manipulim votash. 

Sipas Hoxhës, zyrtari i intervistuar dhe anëtarë tjerë të KKZ-së, ishin duke i zhvendosur fletëvotimet rezervë nga depot e Komisionit në zyrat e tij. 

“Nuk ka pasur asgjë të bëjë me manipulim të votave, zyrtarët e KKZ-së kanë dashur të dërgojnë votat rezervë nga depot e KKZ-së në zyrat e KKZ-së që gjenden në Komunën e Prizrenit, me qëllim që votat të jenë më të sigurta”, tha Hoxha. 

Me prokuroren në konferencë të përbashkët doli edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. 

Ai tha se situata e sigurisë në tërë vendin është e qetë, ndërsa njoftoi se janë angazhuar mbi 5000 zyrtarë policorë, për të vëzhguar procesin zgjedhor. 

Konferenca tjetër e përbashkët e Prokurorisë dhe Policisë do të mbahet rreth orës 16:30. 

“Nuk ka pasur asgjë të bëjë me manipulim të votave, zyrtarët e KKZ-së kanë dashur të dërgojnë votat rezervë nga depot e KKZ-së në zyrat e KKZ-së që gjenden në Komunën e Prizrenit, me qëllim që votat të jenë më të sigurta”, tha Hoxha.