Nuk Është Ilire

Në vitin 2002, zbulimi i vendbanimit neolitik Bardhosh, në veri të Prishtinës, u bë një ngjarje senzacionale arkeologjike që zgjoi interesimin e opinionit vendor e ndërkombëtar në Kosovë.

Kryeadministratori i atëhershëm i Michael Steiner, për gjetjet në këtë vendbanim qe deklaruar: “Ajo çfarë është gjetur këtu tregon në diçka të cilën ne të gjithë e mbështesim. Në fund të fundit nuk po bëjmë diçka per etnicitetet, por po bëjmë diçka për Kosovën. Këto gjetje na tregojnë se ekziston një trashëgimi e Kosovës të cilën kemi nevojë t’a mbrojmë dhe mendoj se mund ta përdorim këtë për të dëshmuar se është një identitet….që ia vlenë të mbrohet”. Për figurinat që janë hasur aty qe shprehur: “..ato janë simbole perfekte për çfarë ka nevojë Kosova: gruaja në Qeveri” (UNMIK PRESS OFFICE, Press Release; Raporti: Ancient Terracota figures found, 13 Maj 2002, UNMIK/PR/734).

Më 3 qershor 2002, pra 20 ditë më vonë nga ai prononcim, me një bujë spektakolare mediatike, Kryeadministratori e solli në Prishtinë eksponatin muzeor të ashtuquajtur “Hyjnesha në fron”, njërin  prej 1247 eksponateve të Muzeut të Kosovës që ishin dërguar në Serbi më 1999. 

Ky eksponat, do të përurohet më 17 dhjetor 2007 në Muzeun e Kosovës në një mënyrë të veçantë në kuadër të ekspozitës “Kosova arkeologjike” duke u cilësuar simbol i identitetit kulturor të Kosovës. Në atë kohë, shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë T. Kaidanow, e cila edhe e kishte përkrahur materialisht këtë projekt, në fjalën e saj  të përurimit ndër të tjera do të shprehej kështu për këtë figurinë: “një eksponat që ka një kuptim të thellë për shumë njerëz në Kosovë” (Radio Evropa e Lirë; Evropaelire.org, në ditën e përurimit).

Nga përvoja me vizitorët e Muzeut të Kosovës, kryesisht me shqiptarë, pavarësisht  pozitës së tyre në shoqëri, ekziston një përshtypje e gabuar se ky artefakt është relikt ilir. 

Me qëllim që të evitohen keqkuptimet, do të ishte e udhës që  institucionet përkatëse të  bashkëpunojnë në hartimin e një strategjie efektive, që informimi ndaj opinionit të jetë i drejtë  për këtë gjetje arkeologjike dhe sipas nevojës edhe për çdo element tjetër të trashëgimisë materiale kulturore në Kosovë. 

Sidoqoftë, po i jap disa të dhëna të përgjithshme mbi sfondin kulturo-historik të këtij eksponati muzeor:

Kjo figurinë është zbuluar më 1951 gjatë hapjes së themeleve të Fabrikës së Tjerrtores në Prishtinë, në rrënojat e një vendbanimi të epokës së neolitit të vonë që daton  rreth 5500 vjet përpara. 

Në Muzeun e Kosovës, nuk kemi ndonjë informacion zyrtar ose jozyrtar se si ka ardhur deri te emërtimi i saj: “Hyjnesha në fron” apo siç mund të haset ndryshe edhe si “Mbretëresha dardane”. Në libër të inventarit është e regjistruar me emërtimin “Statueta e ulur”. 

Figurina të ngjajshme janë karakteristike për tërë Ballkanit Qëndror, ku përfshihen disa shtete të rajonit. 

Bartësit e kompleksit kulturor me të cilët kulturalisht dhe historikisht kanë të bëjnë  këto objekte, për sa i përket gjuhës që kanë folur dhe se si janë quajtur konsiderohen anonim dhe i takojnë  një shtrese shumë kohë para se të formohej etnosi ilir apo ndonjë prej popujve të lashtë ballkanik që njihen me emër.

Rëndësia e këtyre lloj figurinave është e veçantë edhe për historinë e artit. Specifikat e modelimit shprehin ngarkesat psikologjike të njerëzve që i kanë prodhuar e përdorur ato dhe njëherit shënojnë mjeshtri të arrirë artistike për atë epokë, kështu që kjo është një arsye tjetër e popullaritetit të tyre. 

Statujzat kanë përmasa të ndryshme, ndërsa atributet e tyre janë pjellë e imagjinatës dhe trillit që lidhen me botkuptimin dhe mentalitetin e kësaj shoqërie të kohës së gurit. Kjo gjë vërehet te tiparet androgjenetike, me pjesën e sipërme mashkullore e të poshtmën femërore (siç ngjanë statueta e ulur) dhe te tiparet sinkretike ndërmjet trupit të njeriut dhe të kafshës             (protokentaur), pastaj te mosparaqitja e gojës ndoshta, si simbolikë e “mosushqimimit” dhe e organit gjenital si simbolikë e aftësisë së “vetpllenimit”.

Studiuesit, mbi bazën e mendimeve hipotetike i kanë konsideruar këto figurina si  objekte kulti të natyrës idolatrike ose nëpërmjet të cilave janë paraqitur njerëz të maskuar në momente rituali a hyjni të maskuar, e ndoshta kanë shërbyer edhe si lojra fëmijësh. 

Duke pasur parasysh dy elementë: steatopigjinë (vithët e gjëra) dhe graviditetin (barkun e fryer), koncepti i përgjithshëm është se ato simbolizojnë kultin e pjellorisë duke e bërë një ndërlidhje ndërmjet tokës dhe femrës.  

Tiparet femërore të shumicës së figurinave që janë gjetur në lokalitete të ndryshme të epokës në fjalë, nga një numër studiuesish janë interpretuar si dëshmi që kanë të bëjnë me matriarkatin – periudhën e sundimit të grave. 

Prej atyre që pretendojnë në teorinë e evolucionit të njeriut nga majmunët antropoid si  atlantrop, sinantrop, pitekantrop etj, – edhe pse objektivisht, teoritë mbi të cilat është ndërtuar kjo bindje siç janë: lamarkizmi, darvinizmi, neodarvinizmi dhe mutacionizmi, nuk e kanë vërtetuar kurrë mekanizmin evolutiv- matriarkati supozohet si formë të vjetër shoqërore në historinë e njerëzimit, duke iu përshtatur kështu pikëpamjeve dhe tendencave ideologjike  materialiste e feministe. 

Pas çlirimit, promovimi me theks të veçantë i një eksponati muzeor që lidhet me një shoqëri të tejlashtë pagane, nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejt në çështje etnike aktuale, por tërthorazi ndikon, sidomos në shtresat e paformuara të qytetarëve në këtë aspekt, për të krijuar kuptime të gabueshme për historinë e identitetit.

Statueta e ulur vetëm gjeografikisht ka lidhje me trashëgiminë kulturore etnike të komuniteteve që jetojnë në këto treva.

Prandaj, duhet konsideruar e domosdoshme nga bartësit e përgjegjësive që të kenë qëndrim konsekuent dhe parimor për ¬çështje identitare me rastin e promovimit të elementëve të caktuar të trashëgimisë kulturore, me qëllim që të mos lihet hapsirë për ndikime jo të drejta në mentalitetin e shoqërisë dhe në integritetin kulturo-historik, ekskluzivisht të popullit shqiptar.

(Autori është kustos profesional i arkeologjisë në Muzeun e  Kosovës).