Mes Aferave dhe Ditës së Kiametit...

Së pari festimet e 100 vjetorit dhe retorika ultra patriotike, më se e kuptueshme për këtë rast, pastaj fill pas kremtes së madhe, lirimi dhe kthimi i pafajshëm nga Haga i Ramush Haradinajt, çka edhe pasoi me përfoljet e vërteta për futjen e pritshme të AAK-së në qeveri, më pas skandali i përgjimeve (pronto, pronto… come stai…) dhe vijimi i takimeve në Bruksel mes Thaçit dhe Daçiqit, për më tepër akoma, retorika patriotike artikulon qartë bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës (Sali Berisha dhe premtimi i tij për pajisjen me pasaportë shqiptare të çdo shqiptari kudo që ai ndodhet) dhe natyrisht 21 dhjetori- dita e kiametit sipas kalendarit Maja…

Ngjarje interesante ato të lartpërmendurat, te të cilat natyrisht që ia vlen të ndalemi me radhë…

Pasi lanë pas festimin e 100 vjetorit të pavarësimit të Shqipërisë, me gjasë nën efektin e frymës patriotike që shoqëroi këtë ngjarje të rëndësishme për historinë e vendit, shqiptarët “u befasuan” me deklaratën e radhës së Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili premtoi se në mandatin e tij të tretë (pas zgjedhjeve të qershorit 2013) do të përgatitet një ligj i ri në mënyrë që të gjithë shqiptarët kudo që janë të mund të marrin shtetësinë shqiptare.

Berisha iu rikthye retorikës nacionaliste (e cila kishte kulmuar në Shkup gjatë manifestimeve për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë) ndërsa më 4 dhjetor, drejtoi mbledhjen e qeverisë së tij nga Vlora. Pikërisht nga shtëpia muze ku u shpall pavarësia, Berisha- nacionalist njoftoi rreth nismës për dhënien pa kushte të nënshtetësisë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. “Nga ky vend, nga kjo mbledhje, në këtë datë, unë dua të informoj shqiptarët se kjo qeveri do të ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për ta, kudo që jetojnë. Kombi është një dhe çdo shqiptar, kudo që jeton, meriton shtetësinë shqiptare”- kumtoi Berisha.

Lajmi natyrisht u prit me pompozitet (ashtu siç edhe u deklamua) dhe me optimizëm e ekzaltim të pashoq, veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës, të cilëve ndoshta më shumë se për arsye nostalgjike e patriotike pasaporta e Shqipërisë ju duhet për të lëvizur lirshëm nëpër Evropë.

Iu mësy edhe ambasadës së Shqipërisë, ku shumë shtetas të Kosovës tentuan të aplikojnë për nënshtetësi të Shqipërisë.

Natyrisht që bëhej fjalë për qytetarë që e kishin kuptuar gabim deklarimin e kryeministrit të Shqipërisë.

Por, nëse në Kosovë e kanë marrë shumë seriozisht dhe presin nga kryeministri Berisha që të përmbushë premtimin e tij, vetëm katër orë larg Prishtinës, në Tiranë, skepticizmi rreth kësaj çështjeje është i madh. Natyrisht që nuk munguan zërat e frikësuar se premtimi i kryeministrit Berisha do të rikthejë liberalizmin e vizave, ndërkaq që shumica e analistëve e sheh potezën e fundit nacionaliste të Berishës si strategji e tij elektorale, pse jo për të marrë elektoratin nacionalist të Aleancës KuqeZi.

Larg ekzaltimit që ka provokuar premtimi i Berishës, duhet pranuar se edhe nëse Berisha e ka seriozisht punën e nënshtetësisë për të gjithë ata që kanë gjak shqiptari, ky proces kërkon kohë, pasi atij do t’i paraprijë rishikimi i ligjit mbi shtetësinë, një proces ky relativisht i gjatë që duhet të kalojë edhe procedurat e parapara në Kuvendin e Shqipërisë.

Zërave kritikë dhe mosbesues Berisha iu kundërpërgjigj sërish nga Tirana gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ish- kryeministrin e Kosovës, Ramush Haredinaj, duke këmbëngulur se shtetësia u takon të gjithë shqiptarëve.

Nga ana e tij, Haradinaj i sapokthyer fitimtar nga Haga e përkrahu Berishën në këtë iniciativë.

Kthimi si i pafajshëm i Haradinajt nga Haga natyrisht që është një nga ngjarjet e rëndësishme që e ndryshuan dinamikën e jetës politike e shoqërore në Kosovë.

I pritur me gjithë nderet që i takojnë fitimtarit, ai nuk humbi kohë të artikulonte qëllimet dhe ambiciet e veta. Me një retorikë interesante, më shumë të ngjashme me atë të një plaku të urtë sesa të një ish-luftëtari ai foli gjatë e gjerë (në shtyp e kudo) për qëllimin e tij të ndihmonte në proceset në Kosovë dhe përmirësimin e keqqeverisjes…

Ai u kujdes goxha që ta zbuste retorikën e tij, ndërsa fliste për qeverinë, e cila deri më tani kishte qenë në epiqendër të akuzave të rënda bërë nga partia e tij.

Vetë Hashim Thaçi e priti në aeroport Haradinajn e sapokthyer nga Haga. Shtrëngimi i dorës mes dy ish- rivalëve politikë u pa edhe si hapi i parë rreth koalicionit të mundshëm mes PDK dhe AAK-së, i cili kishte kohë që përflitej.

Haradinaj nuk e ka mohuar koalicionin, as Thaçi dhe as dy partitë e tyre respektive.

Para lirimit të Haradinajt koalicionit i parapriu dekretimi nga presidentja Jahjaga  I nënkryetarit të AAK-së, Blerim Shalës si koordinator i dialogut me Serbinë.

Shala ia nisi punës së bërë edhe më parë prej tij (ai ka qenë koordinator i grupit të Unitetit në bisedimet e Vjenës) duke e shoqëruar Thaçin në bisedimet e radhës me Daçiçin. Thaçi e Daçiçi kanë bërë disa raunde bisedimesh në Bruksel dhe këto bisedime janë përkrahur nga i gjithë faktori politik. Natyrisht që vetëm Vetëvendosja është deklaruar kundër tyre.

Bisedimet e radhës dhe kumbaria e koalicionit PDK- AAK u eklipsuan në një farë mënyre nga afera e përgjimeve të zyrtarëve të lartë (kryeministri Thaçi &co…). Publikimi në medie i këtyre përgjimeve tronditi në një farë mënyre opinionin publik, i cili u detyrua të hapë sytë e të shohë krejt cullak nivelin e atyre që e udhëheqin.

Në epiqendër të bisedave telefonike të përgjuara ishte kryeparlamentari Jakup Krasniqi kundër të cilit përdorej një gjuhë e ulët dhe vulgare. Duke pasur parasysh se Krasniqi është një figurë emblematike e PDK-së për opinionin u bë e qartë se çka mund të ishte gjuha e përdorur ndaj kundërshtarëve nga partitë e tjera politike kur ndaj Krasniqit përdoret ajo gjuhë…

Thuhet se ka ende edhe shumë përgjime të tjera. Thuhet e çka nuk thuhet, edhe pse qeverisë duket se as këtë herë nuk iu prish tymi.

Njëherë vetë kryeministri dhe të apostrofuarit e tjerë e mohuan vërtetësinë e përgjimeve duke thënë se janë montime me karakter shantazhues dhe kur EULEX-i pranoi se ishte ai “autori” i përgjimeve, atëherë fajtorë u shpallën ata që i publikuan përgjimet e bisedave që u cilësuan si private…

Meqë në emër të moscënimit të privatësisë, kryeministri& co u shpallën viktima e jo fajtorë, me gjasë “fajtori” i vetëm nga kjo aferë do të rezultojë krye parlamentari Krasniqi…

Edhe kjo mund të ndodhë në këtë shoqëri e cila nga dita në ditë duket sikur po e prek kiametin.

E për të mbetur te ky i fundit, ai edhe është paralajmëruar nga profecia Maja. Sipas kalendarit Maja 21 dhjetori shënon fundin e botës ndaj edhe ankthi i ditës së kiametit ka pushtuar veçmas botën virtuale. Nëpër rrjetet sociale shumë njerëz kanë nisur numërimin mbrapsht duke i dhënë krahë ankthit të tyre më të keq.

Ata harrojnë se kiametin e kanë prekur tashmë. Ai është jetësuar në trajtën e varfërisë, krimit të organizuar, korrupsionit, papunësisë, hipokrizisë e prostitucionit shpirtëror e moral.

Meqë shpresa vdes e fundit, urimi i vetëm do të ishte që ndoshta më 21 dhjetor, të fillojë pse jo të hallakatet e të shpërbëhet ky kiamet…