Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur do të përfundojë stadiumi i qytetit të Gjilanit? Këto janë premtimet e kandidatëve për kryetar

Kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit kanë dhënë premtimet për përfundimin e stadiumit të qytetit.

Sipas premtimeve të tyre, ky stadium pritet që të përfundojë më së largu në fillim të vitit 2023.

Leonora Morina Bunjaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se stadiumi do të kryhet në fund të vitit 2022.

“Me neve stadiumi do të kryhet deri në fund të vitit 2022”, ka premtuar Morina- Bunjaku në Debat Pernime.

Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur për kryetar të Gjilanit tha se stadiumi i qytetit është i ndërtuar në vend të gabueshëm.

Sipas tij as ambulanca nuk mund të shkojë aty në rast se do të ketë nevojë.

“Stadiumi është në vend të gabueshëm. Stadiumin e kisha zhvendos në një lokacion krejt tjetër. Gjatë një ndeshjeje as ambulanca nuk mund të shkojë aty nëse ndodh diçka. Mund të sjell shembuj nga Finlanda, tha Bexheti.

Në anën tjetër Gani Neziri – kandidat i pavarur për kryetar të Gjilanit ka thënë se nuk ka ide të mjaftueshme për përfundimin e stadiumit të qytetit.

“Nuk ja datë sepse nuk jap premtim për gjërat që nuk i zotëroj mjaftueshëm. Nuk kam ide të mjaftueshme”, ka thënë Neziri.

Kandidati i lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se ky stadium do të përfundojë brenda 12 muajve.

“Ka mbërri ndërtimi i stadiumit këtu përmes financimit tonë përmes financimit tonë Dizajno dhe Ndërto duke ofru mundësi dy klubeve që janë në gara ndërkombëtare që të krijohet infrastrukturën sipas kategorisë 4B me standarde të UEFA-s dhe FIFA-s. Në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, një vit buxhetor, nëse qeveria e mbështet me mjete do të përfundojë sepse puna ndërtimore është kry dhe kanë mbetur punët e lehta”, ka premtuar Haziri.

Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur dyshime rreth ndërtimit të stadiumit të qytetit.

“Komuna e Gjilanit ka lëshuar leje në perimetër më të afërt se sa lejohet me standarde të UEFA-s dhe FIFA-s dhe ky objekt do të jetë e vështirë që të pranohet nga arena ndërkombëtare. Me neve stadiumi do të kryhet brenda vitit të parë”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa Nazim Gagica nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se stadiumi do të përfundojë më së largu në vitin 2023.

“Unë premtoj që në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023 stadiumi i qytetit do të përfundojë”, ka thënë Gagica.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjilanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit: Alban Hyseni nga LVV; Gani Neziri – kandidat i pavarur; Leonora Morina Bunjaku nga PDK; Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur; Lutfi Haziri nga LDK dhe Nazim Gagica nga AAK.

Po ashtu, pjesë e debatit janë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Albulena Sylejmani nga PD; Arjeta Kastrati nga Vatra; Diana Toska nga LDK; Kaltrina Fazliu nga AKR; Krenare Latifi Kqiku nga LVV dhe Zarife Asllani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.