Ilustrim

Përleshje të reja në Jerusalem

Në Jerusalem, protestues palestinezë hodhën gurë ndërsa policia izraelite përdori shashka dhe plumba gome në përleshjet jashtë xhamisë Al-Aqsa. Përleshjet ndodhin ndërkohë që Izraeli shënoi përvjetorin e marrjes prej tij të disa pjesëve të qytetit në luftën arabo-izraelite të vitit 1967.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se të paktën 305 palestinezë u plagosën gjatë përleshjeve dhe 228 u dërguan në spital. Sipas njoftimit, disa nga palestinezët ishin në gjendje kritike ndërkohë që policia tha se 21 oficerë të saj u plagosën.

Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame, ka qenë një vatër kryesore dhune në Jerusalem gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit. Përplasjet kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar.

Dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshje të dhunshme me policinë në Jerusalem natën ndërmjet të shtunës dhe së dielës, kur myslimanët shënuan natën e Madhe të Kadrit, dita më e shenjtë e muajit të Ramazanit.

Tensionet ishin veçanërisht të larta me kremtimin nga Izraeli të “Ditës së Jerusalemit”, një ritual i përvitshëm që shënon marrjen nga Izraeli të Jerusalemit Lindor dhe Qytetit të Vjetër, ku ndodhen vendet e shenjta myslimane, hebraike dhe të krishtera.

Në përpjekje për të zbutur situatën, policia izraelite tha se kishte ndaluar grupet hebraike të bënin vizitat e Ditës së Jerusalemit në sheshin e shenjtë ku ndodhet al-Aqsa dhe që hebrenjtë e shohin si vendin e tempujve biblikë të besimit të tyre.

Policia përdori gaz lotsjellës, shashka dhe plumba gome ndaj qindra palestinezëve që hidhnin gurë kundër tyre në shesh. Dhuna në kompleksin e shenjtë u shua pas disa orësh.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i vendosur të respektojë ligjin dhe rendin në Jerusalem duke ruajtur “lirinë e adhurimit dhe tolerancën për të gjithë”.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas, akuzoi “forcat izraelite të pushtimit” për ndërmarrjen e një “sulmi të egër” në Al-Aqsa, siç e quajti ai.

Izraeli thotë se i gjithë Jerusalemi është kryeqytetin e tij, duke përfshirë pjesën lindore që e aneksoi me një veprim i cili nuk ka marrë njohje ndërkombëtare. Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti që ata kërkojnë të ngrenë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gazë.

Tensionet janë nxitur gjithashtu nga dëbimet e planifikuara të disa familjeve palestineze nga lagja Sheikh Jarrah në Jerusalemin Lindor.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan foli të dielën me homologun e tij izraelit, Meir Ben-Shabbat, “për të shprehur shqetësimet serioze të Shteteve të Bashkuara në lidhje me situatën në Jerusalem” si dhe shqetësimet në lidhje me dëbimet e mundshme të familjeve palestineze. Zoti Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit dhe për paqen e qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjithashtu shprehu shqetësim për situatën./VOA