Gjilanasi dënohet për posedim të heroinës

8 muaj burgim dhe 500 euro gjobë iu shqiptuan Adnan Halabakut, i akuzuar për posedim të heroinës.

Dënimi i tij erdhi pasi i akuzuari bëri marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Prokurori Agron Uka në gjykatë tregoi detajet e kësaj marrëveshje.

“Prokuroria ka analizuar marrëveshjen dhe provat e saj dhe me në fund ka ardhur në përfundim se dakordimi mes palëve qe një dënim me burg efektiv prej 8 muaj dhe 500€ dënim me gjobë për sasinë 72.8 gram substancë narkotike, i propozoj Gjykatës qe në bazë të marrëveshjes dënimi është i arsyeshëm me arsyetimin se është hera e parë që i akuzuari ka rënë ndesh me ligjin, e ka gjendjen e dobët ekonomike etj, andaj i propozoj gjykatës që marrëveshjen si të tillë ta aprovoj”, tha prokurori Uka.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Shemsedin Pira, po ashtu deklaroi se është arritur një marrëveshje për pranimin e fajësis dhe se kësaj i ka prirë një negocim me të akuzuarin.

“I njëjti është njoftuar në detaje lidhur me përparësitë që i ka kjo marrëveshje në këtë fazë të procedurës dhe i njëjti me vullnet të plot e ka pranuar fajësinë dhe konsideroj se kjo marrëveshje është e mbështetur në ligj”, deklaroi Pira.

I akuzuari deklaroj se e mbështet në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij.

Prokuroria akuzonte Adnan Halabakun j se në muajin shtator në fshatin Pozhoran ka blerë substancë narkotike të llojit heroinë në sasi prej 72.8 gram, me qëllim që ta shes të njëjtën edhe pse e ka ditur se ky lloj i substancës me ligj është i shpallur i rrezikshëm.

Gjyqtari i çështjes ditën e sotme e shpalli Aktgjykimin duke aprovuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë dhe duke shqiptuar dënimin si në marrëveshje, pra 8 muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë.