Danush Ademi: Ashkalinjët synojnë postin e zëvendëskryeministrit

Danush Ademi, kryetar i Partisë Demokratike të Ashkalive të Kosovës në një intervistë për KALLXO.com ka pretenduar që pas zgjedhjeve partia e tij ta ketë postin  e zëvendëskryeministrit në qeverinë e re të Kosovës.

“Aty varet kush do ta merr qeverinë dhe unë mendoj se nëse jam deputet do të mundona do ta marrin një post ministror por jo vetëm ministër po na si subjekt politik pretendojmë kësaj radhe ta kemi zëvendës kryeministrin”, theksoi Ademi.

Kauza e tij dhe e partisë, të cilën ai e udhëheqë thotë së është ngritja e mirëqenies sociale për komunitetin që përfaqësojnë, që sipas tij është komunitet i lënë mbrapa.

Ai kërkon që personat dhe familjet që marrin asistencë sociale, pensione invalidore,  të lirohen nga të gjitha taksat komunale.

Amendamentet, të cilat ai do t’i kërkojë përsëri në kuvend nëse bëhet deputet është që të ndryshohet ligji për përfitimin e asistencës sociale, të ndryshohet ligji i zgjedhjeve për komunitete dhe që të gjitha komunitetet të jenë të barabartë.

“Amendamentet i para, që asnjëherë nuk ka gjet miratim nga kuvendi prapë do ta ngriti, ka qenë në Ministrinë për punë dhe mirëqenie sociale kam kërkuar që të largohet kriteri që në momenti kur fëmija i bën 5 vite i ndërpritet asistenca sociale familjes”, tha Ademi.

“Amendamenti i dytë, do të kërkojë të ndryshohet ligji zgjedhor të cilin kuota për komunitete është e diskriminuar sepse ne që dalim si subjekte politike sepse vendi i 4 i jepet komunitetit  nuk po i jepet subjekteve politike dhe kjo është diskriminim”, shtoi Ademi i cili gjithashtu ka kërkuar që komunitetet të gëzojnë privilegje të barabarta.

“Amendament tjetër që e kisha ndryshua është që  në qeverinë e Republikës së Kosovës komunitetet të jenë të barabarta që privilegjet mos ti jepen vetëm serbeve”, potencon Ademi.

Problemet që ballafaqohet komuna e Ferizajt, vend ky nga vjen Ademi sipas tij janë çështjet e ndërtimit, rregullimi i infrastrukturës,  dhe punësimi, duke shtuar se komunitetet nuk kanë përfaqësim të barabartë në nivelin komunal.

Kërkesa e tij është që të ngrihet vetëdija e qytetarëve dhe komunitetin për mbajtjen e pastërtisë.

Ademi është për ndërtimit të termocentralit të tretë dhe po ashtu është deklaruar për edhe për djegien e qymyrit në shtëpi.

Edhe për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës Ademi është deklaruar për.

Kundër është përgjigjur për heqjen e tarifës me Serbinë e po ashtu edhe për shkëmbimin e territoreve.

Gjithashtu Ademi është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, mirëpo është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Ndërsa sa i përket martesës në mes të gjinisë së njëjtë, Ademi deklarohet kundër.

“Kundër sepse feja islame nuk e lejon”, tha Ademi.

Ademi e përkrah bartjen e shamisë në shkolla nga nxënëset.

“Për, çka pengon shamia në shkolla a ka mundësi dikush me arsyetua atë deri sa veshjet e tjera ne kemi pas edhe në parlamentin e Kosovës  dhe në shkolla veshjet të cilat ndodhin momentalisht shamia është numër një e cila do të jetë në çdo shkollë”, theksoi Ademi.

Votën e tij për buxhetin thotë se do ta kushtëzojë me ndërtimin e 500 apo 600 shtëpive për komunitetin që përfaqëson.

Ademi thotë se ligji për futjen e makinave jo më të vjetra se dhjetë vjet duhet të ndryshojë dhe të lejohen makinat që janë prodhuar që nga viti 1970.

“Prej vitit 1970, arsye pse ende nuk e kanë luksin  qytetarët e Kosovës të kenë makina të reja e tash nëse ne i largojmë vetëm për 10 vitet e fundit ku kam qenë edhe kundër votimit nuk po foli vetëm për komunitetin tonë po foli përgjithësi për gjithë qytetarët sepse duhet me pas luksin për me ble një makinë të re e me 300 euro qytetarët e Kosovës nuk e kanë luksin me ble”, theksoi Ademi.

“Zëvendësministra duhet të jenë dy por me kompetenca, jo zëvendës ministër që ministri mos me lanë në zyre dhe kurrë mos me ja hap zyret  kemi raste shumë konkrete do ti bëjmë publik në ndonjë debat sepse zëvendës ministër vetëm për një pagë nuk duhet me shkua po zëvendës ministër duhet ta zëvendësoj ministrin”, theksoi Ademi.