Pamje nga takimi i dështuar për kthimin e komunitetit RAE - Foto: Kallxo.com

Dështon Takimi i Komunitetit RAE për Riatdhesimin

Takimi i përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, që ishte paraparë të mbahej në lidhje me çështjen e riatdhesimit, ka dështuar për shkak të numrit të pakët të të pranishmëve.

E ata që ishin të pranishëm u dakorduan njëzëri që të mos mbahet takimi në këtë përbërje për shkak se, siç thanë, produktiviteti do të ishte i vogël.

Ndërsa deputeti romë nga Grupi 6+, Kujtim Paçaku, tha se ndihet i dëshpëruar.

“Unë jam i dëshpëruar. Kam pritë ma shumë njerëz në këtë takim. Megjithatë kërkoj që bashkërisht të vendosim për një datë tjetër kur mund të takohemi”, tha në mes tjerash ai.

Ndërsa deputeti tjetër nga radhët e komuniteteve, Danush Ademi tha se mungesa e tillë flet për seriozitetin e atyre qe kanë qenë të ftuar.

“Po shihet serioziteti i atyre që kanë qenë të ftuar. Megjithatë unë mendoj që është më mirë të takohemi pas 15 shtatorit sepse edhe administrata shkon në pushim, e nuk mundet të punojë vetëm për neve”, u shpreh ai.

Në këtë takim është pritur të diskutohej për “Task-Forcën” qeveritare për riatdhesimin e qytetarëve të kthyer nga vende të ndryshme.

Qëllimi ishte informimi i të riatdhesuarve nga komuniteti RAE për mbështetjen që mund ta gëzojnë nga institucionet e ndryshme dhe mundësia që ata të kenë përfaqësuesin e tyre në këtë “Task-Forcë“.