24 Orët e Ardhshme të Reshjeve

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sipas parashikimeve ka njoftuar se gjatë 24 orëve në vijim, do të këtë reshje të shiut në viset e ulëta, ndërsa në ato malore edhe reshje bore.

Instituti gjatë 24 orëve të ardhshme parashikon reshje në sasi prej 10 milimetrash, të cilat do të shkojnë duke humbur intensitetin.

“Kjo gjendje gjatë 3 ditëve në vijim do të karakterizohet më ulje të intensitetit të reshjeve, e cila do të jetë karakteristike për viset e ulëta, ndërsa në ato malore do të ketë reshje bore të intensitetit të dobët,” thuhet në njoftim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit, janë si pasojë e ciklonit të ardhur nga pjesa veri-perëndimore e Kontinentit Evropian, në të cilin është përfshirë edhe vendi jonë.

“Këto të reshura kanë shkaktuar ngritjen e shpejtë të nivelit të ujit të lumenjve të Kosovës të cilët janë të vrullshëm për shkak të karakterit malor të tyre, ku si pasojë shumica e tyre kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës,” thuhet në njoftim.

lumi1

Më tutje thuhet se gjatë ditës së sotme janë regjistruar temperaturat e ajrit prej + 50C, të cilat kanë kushtëzuar shkrirjen më intensive të shtresës së borës së rënë para dy ditëve, trashësia e së cilës në Prishtinë ka arritur 13 centimetra.

“Problematike paraqiten rrjedhat malore me karakter rrëkesh (përroskat, prrojet) etj të cilat për shkak të konfiguracionit të relievit, kanë karakter vërshues duke shkaktuar dëme nëpër disa fshatra  dhe lagje qytetesh, në disa vise të Kosovës,” vijon njoftimi.

Sipas njoftimit nga data 07, 08, 09 niveli dhe prurjet e ujit nëpër shumicën e lumenjve të Kosovës do të karakterizohen me rritje graduale, kjo situatë do të vazhdojë deri më datën 10, kur niveli i ujit nëpër ujë-rrjedha gradualisht do të bie.