Facebook-u ndalon përmbajtjet që mohojnë apo shtrembërojnë Holokaustin

Kompania e medias sociale Facebook njoftoi të hënën se po ndryshon politikat e saj mbi gjuhën e urrejtjes dhe se do të ndalojë të gjitha postimet që mohojnë ose shtrembërojnë Holokaustin.

“Ne kemi hequr prej kohësh postime që i thurin lavde krimeve të urrejtjes ose vrasjeve masive, përfshirë Holokaustit”, shkruante shefi ekzekutiv i kompanisë Mark Zuckerberg në një postim në Facebook.

Zoti Zuckerberg shkruante gjithashtu se me rritjen e antisemitizmit, kompania po zgjeron politikat e saj për të ndaluar përmbajtje të tillë.

Ai shtoi se “nëse njerëzit kërkojnë informacione rreth Holokaustit në Facebook, ne do t’i drejtojmë ata tek burime të besueshme për të marrë informacion të saktë”.

Njoftimi pason një fushatë kundër mohimit të Holokaustit të quajtur #NoDenyingIt, Mos e Mohoni, të Konferencës mbi Kompensimin Financiar të Hebrejve nga Gjermania.

Lidhja Anti-Shpifje (ADL) një organizatë jofitimprurëse shkruante në Facebook se ishte e kënaqur që gjigandi i medias sociale “më në fund ka ndërmarrë hapin që kemi kërkuar për gati një dekadë: të heqin informacionet që mohojnë Holokaustin nga platforma e tyre”, siç shkruante ajo.

ADL-ja shkruante gjithashtu se “ata (Facebook) tani duhet të jenë transparentë dhe të dokumentojnë hapat e ndërmarrë për ta mbajtur urrejtjen jashtë platformës”.

Presidenti i Kongresit Botëror Hebre, Ronald S. Lauder e mirëpriti masën. Ai tha se duke ndërmarrë këtë “hap kritik”, Facebooku po tregon se e njeh mohimin e Holokaustit për atë që është me të vërtetë, një formë e antisemitizmit “dhe për këtë arsye gjuhë e urrejtjes”.

Komiteti Hebre Amerikan bëri komente të ngjashme. Drejtori ekzekutiv David Harris, e quajti vendimin “thellësisht të rëndësishëm”. Ai shtoi se “nuk duhet të ekzistojë asnjë pikë dyshimi për atë që bëri regjimi gjerman nazist dhe se një mega-platformë e tillë si Facebooku nuk duhet të përdoret nga antisemitët për të tregtuar manipulimet e tyre groteske të historisë”.

Gjatë Holokaustit humbën jetën rreth gjashtë milionë hebrenj. Zoti Zuckerberg, i cili është vetë me origjinë hebreje, u kritikua në 2018-n kur gjatë një interviste tha se ndërsa i shihte postimet që mohonin Holokaustin si shumë shqetësuese, në të njëjtën kohë nuk mendonte se ato duheshin fshirë.

Në një postim të hënën zoti Zuckerberg shkruante rreth “vështirësive që ai ka hasur për të qëndruar krah fjalës së lirë në njërën anë dhe dëmit të shkaktuar nga minimizimi ose mohimi i tmerrit të Holokaustit nga ana tjetër. Pasi kam parë të dhëna që tregojnë një rritje të dhunës antisemite mendimi im personal ka evoluar, ashtu sikurse politikat tona më të gjera mbi gjuhën e urrejtjes”, shkruante me tej ai.

Ky është vendimi më i fundit i një serie masash të marra nga Facebooku për të fshirë ose ndaluar informacione fyese apo rreme, veçanërisht përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. /VoA